“Buxheti i Kosovës nuk mund të përballojë një rritje aq të shpejtë të shpenzimeve për skemat sociale. Të mos i përmendim skemat e tjera pensionale që janë duke u shqyrtuar. Po që se do të zbatoheshin edhe ato, shpenzimet do të rriteshin në shkallë të paqëndrueshme”, thotë ndër të tjera në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, shefi i Fondit Monetar për Kosovë, Ruud Vermeulen.
Radio Evropa e Lirë: Më shume se 350 mijë qytetarë të Kosovës marrin para nga skemat sociale dhe pensionale, ky numër mund të rritet. Qeveria e Kosovës paguan 370 milionë euro për këto skema. A do ta sjell kjo në krizë buxhetin?
Ruud Vermeulen: Tingëllon shumë alarmuese të flasim për një krizë në këtë pikë. Megjithatë, nëse shikojmë trendet dhe presionin në rritje për të futur në zbatim skema të reja të pakuptimta kategorike sociale- qoftë për mësimdhënësit, policët, minatorët e Trepçës, e kështu me radhë – Kosova mund të jetë në rrugën e krijimit të një krize fiskale. Kjo është natyrisht diçka që ne do të donim ta shmangnim.
Vitin e kaluar, Kosova shpenzoi diku 383 milionë euro për skemat sociale, 30 për qind më shumë se në vitin 2015. Dy të tretat e kësaj rritje kanë ardhur vetëm për shkak të skemës për pensionet e veteranëve të luftës, derisa 13,300 veteranë të luftës kanë nisur të marrin pensione në pjesën e fundit të 2015-ës (më shumë se sa 12,000 që parashiheshin në fillim) dhe ky numër shkoi pastaj në 36,000 në fund të vitit të kaluar.
Këtë vit, parashihet që shpenzimet për skema sociale të shkojnë deri në mbi 400 milionë euro, një rritje prej më shumë se 10 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Rreth një e treta e kësaj rritje vjen sërish për shkak të skemës për veteranët e luftës meqë mbi 2000 përfitues të rinj janë shtuar këtë vit.
Nëse shohim përpara, buxheti i Kosovës nuk mund të përballojë një rritje aq të shpejtë të shpenzimeve për skemat sociale. Të mos i përmendim skemat e tjera pensionale që janë duke u shqyrtuar. Po që se do të zbatoheshin edhe ato, shpenzimet do të rriteshin në shkallë të paqëndrueshme.
Më lejoni të theksoj se kjo nuk është vetëm shqetësuese për shkak të kostos fiskale dhe diversionit të parasë së taksapaguesve që do të ishte në dispozicion për shpenzime më produktive në edukim, shëndetësi dhe infrastrukturë, por është shqetësuese edhe për shkak të ndikimit në tregun e punës.
Benefitet e skemave pensionale që janë gjeneroze dhe mund të krahasohen me pagat minimale dhe mesatare dhe që kërkojnë që përfituesit të mos jenë në marrëdhënie pune mund të lënë jashtë tregut të punës një numër tepër të madh të kosovarëve që janë të aftë për punë dhe po ashtu mund të dekurajojnë përfituesit për të gjetur punë (duke fryrë në këtë mënyrë të ashtuquajturat pagat e rezervimit) . Kjo lëndon konkurrencën dhe rritjen ekonomike të Kosovës.
Riklasifikimi i veteranëve të luftës është dashur të ndodhte shumë më parë
Radio Evropa e Lirë: Prokuroria e Kosovës, ka filluar hetimet për të gjithë ata që janë regjistruar si veteranë lufte, po që asnjëherë nuk kane marrë pjesë në luftë. Ju e keni kritikuar këtë proces qe nga fillimi se nuk është bërë në mënyrë të duhur. A jeni të kënaqur me atë se çfarë po bëjnë autoritetet tani?
Ruud Vermeulen: Ne kemi avokuar dhe vazhdojmë të avokojmë për verifikimin dhe riklasifikimin e veteranëve të luftës, i cili është dashur të ndodhte shumë më parë, në përputhje me ligjin e amendamentuar mbi veteranët e luftës që hyri në fuqi në prill të vitit të kaluar.
Ky proces i riklasifikimit të veteranëve sipas kohës së shërbimit të tyre dhe duke rregulluar pensionet në përputhje me këtë shërbim, sikurse duke ndalur dhe kthyer pagesat për pensione nga ata që nuk kanë kërkuar këto benefite në mënyrë legjitime, ishte dashur të mbaronte tashmë për të siguruar që shpenzimet totale të mos tejkalonin 0.7 për qind të Bruto produktit Vendor, siç parashihej me ligj.
Për fat të keq, ky proces nuk është iniciuar ende. Si rezultat, këtë vit shpenzimet për pensionet e veteranëve të luftës pritet të tejkalojnë 0.5 për qind të Bruto Produktit Vendor. Kjo është baras me më shumë se 30 milionë euro të cilat do të mund të përdoreshin për të investuar në përmirësimin e infrastrukturës, shëndetësisë dhe edukimit.
FMN: Rritja ekonomike në vitin 2018 parashihet rreth 4 për qind
Radio Evropa e Lirë: Cilat janë parashikimet e FMN-së për rritjen e ekonomike më 2018? Çka po e shtynë këtë rritje? Pavarësisht rritjes së ekonomisë, varfëria dhe papunësia akoma janë të larta. Çfarë duhet të bëjë Kosova në mënyrë që të rrisëpunësimin dhe të zvogëloj varfërinë.
Ruud Vermeulen: Ne presim që rritja ekonomike të jetë rreth 4 për qind këtë vit, kryesisht në linjë me shkallët e rritjes që kemi parë në vitet e fundit, por ne do ta rishikojmë këtë çështje në misionin tonë të ardhshëm konsultativ mbi Artikullin IV.
Aktiviteti ekonomik ende dominohet nga konsumi privat, i cili financohet në masë të madhe nga të hyrat e remitencave, pastaj nga investimet. Krahasuar me vitin 2017, kontributi nga eksportet kaloi në negativ për shkak të rritjes në importit dhe rënies në eksporte e që pjesërisht ka të bëjë me ndalimin e përkohshëm të prodhimit të Ferronikelit, eksportuesit më të madh të Kosovës.
Derisa rritja është e lartë krahasuar me vendet e rajonit, nuk mjafton të ngushtohet boshllëku i madh i të hyrave me vendet e tjera në rajon apo BE, ose të gjenerohen vende pune për të ulur shkallën e papunësisë.
Për ta zmadhuar rritjen ekonomike të Kosovës, politik-bërësit duhet të dizajnojnë një model tjetër duke kaluar nga modeli aktual i rritjes ekonomike që bazohet në konsumin e financuar nga remitancat dhe investimet në sektorë jo-tregtues drejt një modeli që do të bazohej në investimet në sektorë tregtues dhe eksporte.
Investimet në kapitalin human dhe fizik janë të nevojshme për të nxitur zhvillimin dhe rritjen e sektorit privat. Kjo duhet të shkojë paralelisht me reformat që forcojnë klimën e biznesit e që përfshijnë sundimin e ligjit. Sektori privat dhe jo sektori publik do të duhej të ishte motori i rritjes së ardhshme ekonomike dhe i krijimit të vendeve të reja të punës.
Radio Evropa e Lirë: A ka ndonjë plan për një program të ri ndërmjet Kosovës dhe FMN-se?
Ruud Vermeulen: Ne jemi të gatshëm të diskutojmë për një program të ri të mbështetu nga fondet me kërkesë të autoriteteve. Deri më tani nuk kemi marrë një kërkesë të tillë.
Rritja e shpejtë e kredive në disa segmente mund të ngërthejë në vetë riske të mëdha
Radio Evropa e Lirë: A është sektori financiar i qëndrueshëm?
Ruud Vermeulen: Me kapitalin e lartë, mbulesat e larta të likuditetit dhe një nivel të ulët të kredive me probleme (NLP) me dispozita të tërësishme, bankat e Kosovës janë të pajisura mirë për të përballuar goditje të mëdha. Pas krizës globale financiare që nuk e preku aq shumë Kosovën, bankat dhe mbikëqyrësit e tyre në të gjithë botën, por edhe në Kosovë, forcuan menaxhimin e rreziqeve, rrjetet e sigurisë financiare, dhe mbikëqyrjen mikro- e makro- prudenciale. ]
Kjo ndihmoi sigurimin dhe forcimin e stabilitetit financiar. Rritja e kredisë reflekton pjesërisht thellimin financiar meqë më shumë amvisëri dhe firma kanë qasje në financimin nga bankat. Megjithatë, ne tërheqim vëmendjen nga përqendrimi tek rritja e statistikave për rritjen e kredive duke marrë parasysh që rritja e shpejtë në disa segmente mund të ngërthejë në vetë rriske të mëdha.
Për shembull, rritja e shpejtë në huamarrjen nga konsumatorët e pasiguruar që përdorët për të financuar blerjen e pronave mund të jetë shqetësuese nëse kalon në furnizim të tepërt. Andaj, mbetet e rëndësishme për mbikëqyrësit që të monitorojnë kësi lloj dobësish. Jashtë sektorit bankar, është inkurajuese të shohim se Banka Qendrore ka ndërmarrë poashtu masa për të përmirësuar kushtet në sektorin e sigurimeve.
Radio Evropa e Lirë: Kosova tashmë ka shpenzuar pothuajse të gjithë fondin e rezervave – emergjencave kryesisht për evente folklorike. A është kjo mënyra e duhur për tu shpenzuar ky fond?
Ruud Vermeulen: Sipas nesh, një rezervë e dizajnuar mirë për paparashikueshmërinë duhet të jetë një balancë ndërmjet fleksibilitetit buxhetor dhe disiplinës fiskale. Shumë shtete kanë rezerva të tilla në buxhetin e tyre për të mbuluar shpenzimet urgjente, të paparapara dhe të pashmangshme brenda vitit fiskal pa i dëmtuar targetet buxhetore si për shembull shpenzimet që vijnë si pasojë e katastrofave natyrore.
Buxheti i Kosovës përmban gjithashtu një rezervë të vogël për shpenzime të tilla. Në praktikë, ka një presion të madh për ta përdorur këtë rezervë për financimin e iniciativave të reja shpenzuese e, në këtë mënyrë, ai e humb kuptimin. Natyrisht se disa nga gjërat për të cilat është përdorur kjo rezervë nuk ishin të parapara. Në këtë kontekst, për të ecur përpara ne mendojmë se është e rëndësishme të kufizohet përdorimi i kësaj rezerve dhe të përdoret vetëm për shpenzime urgjente dhe të paparashikuara.
Kosova duhet të forcojë luftën kundër ekonomisë joformale
Radio Evropa e Lirë: Kosova ka pranuar para nga donatorët e jashtëm me shumë se secili shtet ne rajon. Pse akoma është shteti me i varfër ne Ballkan? Kush duhet të fajësohet?
Ruud Vermeulen: Më lejoni që fillimisht të them se krahasimi ndërmjet shteteve vetëm se pasqyron pjesërisht tërë pamjen. Sfidat për zhvillimin e Kosovës ishin dhe janë ende të vështira. Konflikti 1998-1999 ka lënë rezervat edhe ashtu të ulëta të Kosovës virtualisht të zbrazëta, ndërsa për shkak të neglizhencës disa-vjeçare para konfliktit kjo është reflektuar edhe në bazën e nënzhvilluar prodhuese, shkolla, rrugë dhe infrastrukturë tjetër jetike.
Duke e marrë parasysh këtë, regjistrimi i rritjes që nga pavarësia është modest por do të mund të ishte më i mirë gjithashtu duke marrë parasysh shkallën e lartë të papunësisë dhe shkallët e joaktivitetit që i përmenda më herët. Që nga pavarësia, resurse të limituara janë shndërruar në shpenzime joproduktive për pagat në sektorin publik dhe benefitet sociale, derisa investimet në sektorin publik nuk janë dedikuar domosdoshmërish për projektet me kthimin më të lartë ekonomik.
Me mbledhjen e taksave që janë më të ulëta se mesatarja në rajon, Kosova duhet të forcojë luftën kundër ekonomisë joformale, të mbyll boshllëqet e mëdha të taksave, dhe të zgjerojë bazën tatimore, duke u siguruar se paratë e taksapaguesve shpenzohen si duhet.
Andaj, autoritetet duhet të fokusohen në përmirësimin e mëtejmë të përbërjes së buxhetit dhe në efektshmërinë e shpenzimeve për të krijuar më shumë hapësirë për shpenzime që kanë për qëllim rritjen ekonomike në fushat që i përmenda më herët.
Përshpejtimi i reformave për të fuqizuar prokurimin publik, menaxhimin e investimeve publike, performimin dhe mbikëqyrjen e ndërmarrjeve publike, do të jetë o rëndësishëm jo vetëm për të përmirësuar efektshmërinë e shpenzimeve, por edhe për të rritur transparencën dhe llogaridhënien. Pra, për të pasur një rritje kuptimplotë ekonomike reforma të tilla të financave publike duhet të plotësohen nga reforma të tjera për të forcuar klimën e biznesit.
Bill Clintoni shtrohet në spital
Federata e Futbollit në Gjermani nderon legjendën Franz Beck...
Përgjuesi i Vullnetit po “çmend” banorët
Xuxi aludon se Gresa ka pëlqim për të, tregon momentet kur i...
NASA: Anija kozmike Parker Solar Probe i afrohet Diellit
Pesë lojtarë të kombëtares shqiptare nuk e kanë humbur asnjë...