Kosova, pjesë e Konferencës Ndërkombëtare të Gjeodetëve

15:26 | 18 Maj 2015
Arbresh.info

Një delegacion i Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK) nën udhëheqjen e kryeshefit të AKK-së, Prof. Dr. Murat Meha, dhe në përbërje nga udhëheqësi i Zyrës për koordinimin e projekteve, z. Muzafer Çaka, ekspertja për kadastër z. Ajshe Gashi, dhe eksperti ligjor z. Xhevdet Shala, janë duke qëndruar në Sofje , ku është duke u mbajtur Java e Punës e Federatës Ndërkombëtare të Gjeodetëve, me titull pune “Nga urtësia e viteve kah sfidat e botës moderne”.

Gjatë javës së punës do të shkëmbehen informacione dhe përvoja mbi zhvillimet e fundit në botën e gjeodezisë dhe kadastrës, planifikimit hapësinorë dhe administrimit të tokës, si dhe do të prezantohen punime profesionale nga ekspertët me renome botërore, përfshi edhe ato të Republikës së Kosovës.

Përfaqësuesit e Agjencisë Kadastrale të Kosovës në këtë konference do të paraqiten me punimin profesional me titull “Implementimi i infrastrukturës së të dhënave hapësinore në Kosovën moderne”, përmes të cilit në detaje do të qartësohet metodologjia e grumbullimit, mirëmbajtjes dhe shpërndarjes së të dhënave gjeohapësinore ndërmjet institucioneve publike dhe private.

Pos prezantimit, kryeshefi i AKK-së z. Meha do të kryesojë edhe sesionin e Konferencës me titull “Nga kadastra kah aplikacionet shumëqëllimore”. Po ashtu një prezantim me titull “Aplikacionet mobile të bazuara në platformën Android për pikat e rrjetit referent të rendit III në qytetin e Prishtinës” do të mbajnë edhe përfaqësuesit e Shoqatës Mbarëkombëtare të Gjeodetëve Shqiptarë “Karl Gega”, z. Bashkim Idrizi , z. Ismail Kabashi dhe z. Atdhe Buzhala.

Konferenca njëjavore përfundon më datën 21 maj, ndërsa në të marrin pjesë qindra delegatë nga të gjitha shtetet e botës.

Republika e Kosovës është anëtare e përhershme dhe e plotfuqishme në Federatën Ndërkombëtare të Gjeodetëve që nga viti 2005, ku është shumë aktive në prezantimin e projekteve dhe produkteve nga fusha e kadastër, gjeodezisë dhe administrimit të tokës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme