Vetëm Austria si shtet i Evropës ia kalon Kosovës kur bëhet fjalë për koston e ndërtimit të rrugëve.
Sipas raportit “Trajtoje me kujdes! Është pronë e qytetarëve” të përpiluar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të hapur KFOS dhe Instituti Riinvest, vetëm në Austri kostoja e ndërtimit të rrugëve është e afërt me koston e ndërtimit të një kilometri autostrade në Kosovë.
“Një kilometër rrugë i autostradave kosovare është ndërtuar me çmim mesatar prej mbi 11 milionë eurove. Ky çmim, krahasuar me terrenet e ngjashme nëpër Evropë tejkalon dukshëm mesataret e regjistruara atje. Sipas hulumtimit tonë, vetëm në Austri kostoja e ndërtimit të rrugëve është e afërt me koston e ndërtimit të një kilometri autostradë në Kosovë. Në shumë vende të tjera Evropiane, që kanë terrene të ngjashme mes të Kosovës, janë shënuar mesatare të kostove të ndërtimit nga 7 deri në 8 milionë euro për kilometër”, ka thënë gjatë prezantimit të këtij raporti Lumir Abdixhiku nga Institutit Riinvest, transmeton arbresh.info.
KFOS dhe Riinvest i kanë përmbledhur 5 numërues të përbashkët që tregojnë për investimet kapitale, transformimet e pronave publike dhe koncesionimin në vend që janë: Jotransparenca, Kostot e transaksioneve, mungesa e studimeve dhe anashkalimi i Kuvendit, monitorimi dhe papërgjegjësia korporative.
Luan Shllaku nga KFOS ka thënë se në këtë raport janë studiuar katër proceset më të rëndësishme që janë: Koncesionimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Privatizimi i Distribucionit të KEK-ut, ndërtimi i autostradës Morinë-Merdare dhe i asaj që pritet të ndërtohet Prishtinë-Shkup dhe procesi i privatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës që nuk ka përfunduar ende.
“Ne kemi parë që është shumë e rëndësishme që t’i analizojmë të gjitha investimet kapitale qofshin ato si privatizimi i Distribucionit, qofshin ato që janë dhënë me koncesion siç është rasti i ANP-së, qofshin ato investime që janë bërë me paratë e taksapaguesve siç është rasti i autostradës së ndërtuar për Shqipëri dhe asaj që pritet të ndërtohet për Shkup apo edhe ato investime si privatizimet e pjesshme siç është rasti me PTK-në”, ka thënë Shllaku.
Sa i përket jotransparencës, raporti thekson mungesën në masë të madhe të transparencës së Qeverisë dhe akuzave për korrupsion në të gjitha proceset si në atë për ndërtimin e autostradës Morinë-Merdare, si në koncesionimin e aeroportit, e po ashtu edhe në privatizimin e distribucionit të KEK-ut dhe privatizimit të PTK-së.
Tek kostot e transaksioneve, Lumir Abdixhiku ka thënë se në përgjithësi Kosova ka shitur shumë lirë dhe ka blerë shtrenjtë.
Sipas tij, autostrada ka qenë tepër e kushtueshme e Distribucioni i KEK-ut është shitur shumë lirë.
Raporti thekson se pothuajse gjatë të gjitha proceseve të privatizimit dhe po ashtu edhe ndërtimit të autostradës dhe koncesionimit të ANP-së ka pasur mungesë të studimeve të fizibilitetit dhe anashkalim të Kuvendit të Kosovës në vendimmarrje.
Edhe sa i përket monitorimit të kontratave të nënshkruara në të gjitha këto procese të rëndësishme, është vërejtur se ka pasur mungesë të monitorimit në momentin që janë nënshkruar këto kontrata, konflikte interesi dhe politizim të skajshëm të strukturave udhëheqëse të këtyre ndërmarrjeve.
Ndërkaq, te përgjegjësia e korporatave, në raport theksohet se kompanitë e kontraktuara kanë pasur kushte të rënda për punëtorët dhe mungesë të investimeve në rrethin e punimeve në rastin e ndërtimit të autostradës nga Bechtel-Enka, mungesë të proceseve të prokurimit, shkelje të të drejtave të punëtorëve dhe mos-respektim të ligjit të punës në rastin e koncesionimit të ANP-së, mungesë të zbatimit të Ligjit për Prokurimin Publik edhe në rastin e kompanisë e cila e ka privatizuar distribucionin, KEDs dhe punësime të mëdha politike e partiake në PTK.
Muhamet Mustafa, kryetar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik në Kuvendin e Kosovës ka paraqitur si nevojë emergjente ndryshimin e kornizës ligjore në mënyrë që të balancohet roli i të gjithë akterëve në investime kapitale./F.Gashi-Mehmeti/arbresh.info.
Osmani e Maqedonci takuan Bauerin, flasin për përkushtimin e...
I pandalshëm Edon Zhegrova – ylli kosovar gjen golin në sfid...
Banorët e Bazelit miratojnë fondet publike për Eurovision
Bajrami: Të gjithë ata që mbrojnë të korruptuarit, janë të k...
Anisa: Xheneta nuk ka pasë pëlqim të vërtetë ndaj Gjestit, p...
S’ka gola në Ferizaj