Përfaqësues të bizneseve në Kosovës thonë se politikat e Qeverisë së Kosovës që nga paslufta deri më tani nuk arritën të krijojnë strategji dhe hapësirë të mjaftueshme për të zhvilluar ekonominë dhe prodhimtarinë vendore.
Sipas tyre, si pasojë e kësaj, produktet e Kosovës kanë një konkurrencë të dobët karshi produkteve të importuara.
Vlera totale në vit e mallrave të importuara në Kosovë arrin shifrën në mbi 2.5 miliardë euro, derisa eksporti i produkteve të Kosovës në vendet e rajonit dhe Evropës nuk arrin vlerën mbi 300 milionë euro në vit.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit Agim Shahini i ka thënë Radios Evropa e Lirë se politikat fiskale të aprovuara nga qeveria nuk kanë dhënë efekte të dëshiruara në mënyrë që Kosova të këtë ekonomi prodhuese të fuqishme, por edhe nivel më të lartë të punësimit.
“Ka munguar vazhdimisht një strategji zhvillimore e vendit. Në kohën kur importet kanë vërshuar tregun e Kosovës politikanë tanë janë kënaqur me furnizim nga importi, por edhe lobi i fuqishëm tregtar ka bërë që të bind konsumatorët dhe udhëheqësit e vendit se prodhuesi vendor nuk ka fuqi, nuk ka kapacitet dhe kualitet për të furnizuar vendin me prodhime”, thekson Shahini.
Shahini konsideron se Marrëveshja e Stabilizim Asociimit e cila ka hyrë në fuqi një vit më parë nuk do të ketë fuqinë e saj nëse Kosova nuk arrin ta zhvillojë më shumë industrinë prodhuese.
Ai tha se pa zhvillim të prodhimtarisë nuk do të mund të ketë zhvillim ekonomik në vend.
“Edhe MSA-ja nuk e ka kuptimin e vet nëse ne nuk kemi prodhim vendi. MSA hap hapësirë, por njëkohësisht krijon konkurrencë më të madhe në vend. Prandaj integrimi duhet të shikohet jo vetëm në aspektin si integrim ekonomik, por si fuqizim i prodhimtarisë së vendi që ka eksport shumë më të lartë”, tha Shahini.
Ndërkohë edhe në raportin e fundit të Bankës Botërore është thënë se e Kosova duhet të krijojë kushte për konkurrencë të jashtme, pasi mungojnë kapacitetet për eksport të prodhimeve.
Vetëm në këtë mënyrë, sipas përfaqësuesve të Bankës Botërore, Kosova është në gjendje të krijojë vende të reja të punës në mënyrë të vazhdueshme dhe të qëndrueshme për të rinjtë.
Sidoqoftë, përfaqësues të Qeverisë së Kosovës vazhdimisht janë deklaruar se janë duke krijuar politika fiskale në favor të bizneseve prodhuese.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramiz Kelmendi kohë më parë në një prononcim për Radion Evropa e Lirë pati thënë se pakoja e re fiskale e quajtur 2.0 e cila pritet të hyjë në fuqi në muajin maj të këtij viti, do të krijojë hapësirë më të mirë për zhvillimin e prodhimtarisë.
“Nëse kjo pako fiskale do të hyjë në fuqi në muajin maj, unë besoj që procesi zhvillimor i prodhimtarisë do të ecë shumë më shpejtë dhe më mirë. Kjo është vetëm në fazën e parë.
Kosova ka kapacitete për të zëvendësuar disa produkte të cilat importohen dhe jo vetëm të zëvendësohen, por të krijohen edhe potenciale për pjesëmarrje në tregun ndërkombëtar nëpërmjet Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit”, ka thënë Kelmendi.
Pakoja e re fiskale, përveç tjerash, është thënë se do të përfshijë zgjerimin e listës së produkteve që konsiderohen si lëndë e parë, për lirim nga tatimi doganor, futjen në fuqi të pushimeve tatimore dhe ndryshim/plotësimin e listës së produkteve që i nënshtrohen normës zero për qind, apo normës së reduktuar 8 për qind të TVSH-së.
Memli Krasniqi merr një fanellë dhuratë nga Granit Xhaka
Stërvitja e përbashkët mes PK-së, EULEX-it dhe KFOR-it, Bard...
Gjyqtarët kosovarë ndajnë drejtësi në ndeshjen e Conference ...
Agjencioni Anti-Korrupsion do të hetojë grantet për vëllain ...
Fjalim prekës nga gjyshit i 14-vjeçarit të vrarë: S’dua t’i ...
Klinika e Urologjisë në QKUK rikthen shërbimin ESWL për traj...