Google ADS

Kosova në terr, Stavileci prezanton të “arriturat” në Francë

14:35 | 4 Korrik 2016
Arbresh.info

Kosova vazhdon të përballet me reduktime të ashpra të energjisë elektrike. Me gjithë temperaturat e larta në stinën e verës, ku konsumi i energjisë bie dukshëm, reduktimet vazhdojnë. Qytetarët, përveç tjerash, në prag të festës, këtyre ditëve detyrohen të qëndrojnë me orë të tëra pa energji elektrike.

Edhe në verën e 2016-ës premtimet për një Kosovë me energji stabile e pa reduktime mbeten një ëndërr.  Pothuajse në të gjitha qytetet e fshatrat e Kosovës, reduktimet vazhdojnë.

Me gjithë këtë situatë të krijuar, me reduktime të ashpra të energjisë, përfaqësues institucional vazhdojnë të flasin për të arriturat në këtë fushë. Madje, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, në kohen kur qytetarët e vendit të tij po qëndrojnë në terr me orë të tëra, ka udhëtuar në Francë për të prezantuar të arriturat në fushën e energjisë.

Ministri i qytetarëve pa rrymë, në Forumin e Biznesit, i cili po zhvillohet në kuadër të Samitit të Parisit, do të flas  për të arriturat në sektorin e energjisë dhe mjedisit.  Ai do të numëroj të arriturat e një vendi, i cili dhe pas kaq vitesh, vazhdon të përballët me mungesën e energjisë elektrike.

Në një njoftim të ministrisë së Zhvillimit Ekonomik thuhet se ministri Stavileci do të prezantojë në Paris të arriturat e Kosovës në sektorin e ekonomisë dhe energjisë në këtë Samit, duke nënvizuar të arriturat sidomos në fushën e energjisë, ku hyn përfundimi i interkoneksionit 400kV Kosovë-Shqipëri, tregu i përbashkët, etj.

Me gjithë përpjekjet e KosovaPress për të marrë një koment të ministrit Stavileci për mungesën e energjisë në vend dhe të arriturat për të cilat ai do të flas, një gjë e tillë ishte e pamundur. Ministri nuk e ka të hapur telefonin.

Në anën tjetër, KESCO ka bërë të ditur se njësia B1 e termocentralit Kosova B është ndalur së prodhuari nga mesnata ndërmjet të dielës dhe të hënës. Sipas KESCO-s aktualisht të dy njësitë e Kosovës B janë jashtë prodhimit, gjë që nënkupton se vetëm brenda dy ditësh është reduktuar prodhimi me mbi 70 për qind. Në një njoftim për media, bëhet e ditur se kjo është ndalje e paplanifikuar dhe ndodhi vetëm një ditë pasi njësia B2 ishte ndalur gjithashtu në mënyrë të paplanifikuar.

“Ekipet e KESCO-s janë duke bërë të pamundurën që të sigurojnë energji shtesë nga importi, por kjo është shumë e vështirë, sidomos gjatë orëve të para për shkak të rregullave ndërkombëtare”, thuhet në njoftim. Më tej në njoftim thuhet se KESCO është e përgatitur që të furnizojë konsumatorët si në terma afatshkurtër ashtu edhe më afatgjatë. Por, mungesa e përnjëhershme e 70 për qind të prodhimit e vë në vështirësi, pasi duhet siguruar sasi e madhe e energjisë për një kohë shumë të shkurtër që të mbulohet GEP-i ndërmjet prodhimit të pakët dhe konsumit që pritet të rritet edhe më tepër gjatë festës së Bajramit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme