Kosova më afër BE-së me strategji për kontrollin e financave

13:20 | 21 Maj 2015
Arbresh.info

Zbatimi i duhur i strategjisë së re të kontrollit të brendshëm të financave publike për vitin 2015-19, e cila është miratuar në muajin e kaluar është një hap shumë i rëndësishëm për të fuqizuar integrimin e Kosovës në BE.

Po ashtu, më e rëndësishmja është se kjo strategji është model i vet krijuar dhe dizajnuar nga Kosova për mjedisin e brendshëm të kontrollit të saj.

Kështu u tha në konferencën të mbajtur për strategjinë e kontrollit të brendshëm të financave publike, e cila ka për objektivë ngritjen e vetëdijes në përkushtimin e Qeverisë së Kosovës dhe përgjegjësinë e menaxhmentit të lartë të institucioneve të sektorit publike në zbatimin e strategjisë së KBFP-së, duke e forcuar kështu kontrollin ndaj burimeve publike, rritjen e efikasitetit të shpenzimit publik dhe përmbushjen e kërkesave të BE-së për sa i përket kontrollit të financave.

Për zbatimin e kësaj strategjia, Ministria e Financave do ta ketë përkrahjen e plotë të Bashkimit Evropian. Tomas Gnocchi, kryesues i sektorit politik, ekonomik dhe integrimeve evropiane tha se zbatimi i duhur i kësaj strategjie nga ana e Kosovës do ta ofrojë atë me parimet e BE-së dhe përformanca e saj do të vlerësohet në kapitullin e BE-së që ka të bëjë me kontrollin financiar.

“Fillimi i kontrollit të financave publike në sektorin publik dhe menaxhimi i financave publike i japin vlerë të hollave të taksapaguesve të Kosovës dhe ministrat se menaxherët mbahen si llogaridhënës për të dhe prandaj kjo është një hap shumë me rëndësi për të fuqizuar integrimin e Kosovës në BE. Zbatimi i duhur i kësaj strategjie do ta ofron Kosovën më afër parimeve të BE-së dhe më afër standardeve dhe kontrolleve të financave publike dhe nga përformanca e saj do të vlerësohet në kapitullin e katërt të BE-së”, tha Gnocchi.

Ndërsa, Raymond Hill, ekspert i kontrolleve të brendshme në departamentin e përgjithshëm të buxhetit, i cili ka ardhur nga Brukseli enkas për këtë ngjarje, tha se kjo strategji të ndërtohet mbi praktikën dhe traditën kulturore të saj dhe jo të ndonjë shteti tjetër.

“Mjedisi i kontrollit të brendshëm në çdo shtet duhet të vendoset, nuk duhet të jetë kopje e sistemit të ndonjë shteti tjetër, duhet të bazohet në praktikat e juaja, në traditat e juaja kulturore dhe administrative. Dhe kjo është ajo që po shoh se është duke ndodhur këtu. Nuk është fillim i procesit ky… Ajo çka presim prej kësaj strategjie do të jetë model i vetkrijuar për mjedisin e kontrollit të brendshëm, i përpiluar, i dizajnuar prej Kosovës dhe për Kosovën, për qytetarët dhe bizneset e juaja”, tha Hill.

Zëvendësministri i Ministrisë së Financave, Agim Krasniqi, tha se qëllimi i kësaj çështje është që të përmirësoj kontrollin e brendshëm ndaj shpenzimeve publike dhe mbledhjes së të hyrave që të mund të sigurojnë shërbime më të mira për qytetarët.
“Ne kemi përgatitur dhe kemi miratuar strategjinë për kontroll të brendshëm të financave publike, kemi miratuar planin për veprim të kësaj strategjie e që është e orientuar drejt një orientimi dhe një llogaridhënie ma të madhe, të një transparence dhe një lidhshmërie për shfrytëzimin e mjeteve publike, e që është në interes të të gjithë tatim paguesve në Kosovë. Kjo strategji ka të bëjë me shumë çështje që lidhen me pajtueshmërinë ligjore në kuptimin e veprimit të menaxhimit të sektorit publik, qëllimi i saj është të përmirësoj kontrollin e brendshëm ndaj shpenzimeve publike dhe mbledhjes së të hyrave që të mund të sigurojmë shërbime më të mira për qytetarët, si dhe të zvogëlojmë rreziqet që kanë të bëjnë me menaxhim, shpërdorim ose edhe mashtrim lidhur me burimet publike” tha Krasniqi.

Strategjia për Kontrollin e Brendshëm të Financave Publike 2015-2019 është aprovuar nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës me datën 15 prill 2015 dhe tashmë ajo vetëm ka filluar implementimin e saj.

Strategjia ka 3 objektiva kryesore, kontrollin ndaj imputove dhe burimeve që duhet të integrohen në sistem dhe proces të menaxhimit të financave publike deri në vitin 2017, të ekzistoj llogari dhënia menaxheriale për imputon dhe menaxhimin e burimeve, të përgatitura nga menaxherët e fondeve publike 2017-2018, dhe të ekzistoj menaxhimi nga rreziku nga çdo organizatë buxhetore , e verifikuar nga strukturat dhe raportet e menaxhimit të rrezikut deri në vitin 2017.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme