Kosova ka nevojë për strategji afatgjate për energjetikën

11:51 | 7 Korrik 2016
Arbresh.info

Kosova ka nevojë të madhe për një strategji energjetike afatgjate së paku 40 vjeçare për të pasur zhvillim në këtë sektor.

Kështu u tha sot gjatë një diskutimi në panel me temë “Një Don Kishotizëm-Pse nuk ka Kosova strategji afatgjate energjetike”, të organizuar nga KFOS dhe instituti Riinvest.

Luan Shllaku nga KFOS tha se ka kohë që Kosova gjendet vazhdimisht e sfiduar nga zhvillimi i sektorit energjetik në njërën anë dhe nga shumë tentativa të pa përfunduara, për të sjell investues të jashtëm në këtë sektor.

Ai tha se ka një dekadë që të gjitha forcat kosovare politike garojnë për të treguar se e kanë zgjidhjen për këtë problem të madh zhvillimor të vendit. Ndër të tjera në këtë panel u tha se institucionet përkatëse nuk duhet të fokusohen vetëm në thëngjillin dhe linjitin e Obiliqit, por duhet të shtrihen edhe rajonin e Dukagjinit, ngase në ato vende ka më shumë se 2 miliardë tonelata linjit në atë rajon.

I përfshirë në këtë panel ishte edhe ministri i MZHE, Blerand Stavileci, i cili paralajmëroi se strategjia dhjetë vjeçare energjetike do të jetë e gatshme deri në fund të këtij muaj dhe do të përfshihen 7 alternativa për furnizim me energji elektrike, por gjithnjë duke pasur parasysh përballueshmërinë e tarifave apo çmimeve për konsumatorët.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme