Kosova dhe BE-ja diskutojnë për investimet infrastrukturore

15:44 | 3 Qershor 2015
Arbresh.info

Nën organizmin e Ministrisë së Integrimit Evropian, Ministrisë së Financave dhe Komisionit Evropian, u mbajt sot takimi përgatitor i Komitetit Kombëtar për Investime (KKI).

Gjatë takimit, u diskutuan investimet kyçe infrastrukturore në nivel kombëtar dhe rajonal. Në veçanti u diskutua bashkë-financimi i projektit të linjës hekurudhore 10, me ç’rast Komisioni Evropian konfirmoi gatishmërinë për financim në vlerë prej 40 milion eurosh.

Jean-Eric Paquet, drejtor për Ballkanin Perëndimor pranë Komisionit Evropian tha:

“Themelimi i KKI-së dhe Lista prioritare e projekteve janë kërkesa kyçe që duhet plotësuar në mënyrë që të sigurohet bashkëfinancim i projekteve nga Komisioni Evropian nëpërmjet Kornizës për Investime në Ballkanin Perëndimor në vitin 2015 si dhe në periudhat e ardhshme programuese. Komisioni Evropian shpreson se KKI-ja e themeluar do të  mblidhet para fillimit të verës. Në këtë takim duhet të shqyrtohet dhe të përgatitet një draft i parë i projekteve prioritare për investime në pajtim me rrjetin kyç të ndërlidhjes në Ballkanin Perëndimor dhe projekte me interes për komunitetin e energjisë”, ka thënë Paquet.

Ministri i Integrimeve Evropiane Bekim Çollaku se është krijuar momenti për investime infrastrukturore në kuadër të Ballkanit Perëndimor.

“Vitin e kaluar, nën udhëheqjen e Kancelares Merkel u organizua takimi i Ballkanit Perëndimor në Berlin me qëllim të dakordimit të prioriteteve rajonale për investime infrastrukturore në Ballkan Perëndimorë apo ajo çfarë sot njihet si “Connectivity agenda”. Tani më është krijuar momentum i ri në kuadër të agjendës evropiane për Ballkan Perëndimor nga këndvështrimit i investimeve infrastrukturore dhe rrjedhimisht ofrimi i mbështetjes për rritjen ekonomike dhe sociale të vendeve të Ballkanit Perëndimorë. Bashkimi Evropian tani më ka ndarë 1 miliard euro për financimin e investimeve infrastrukturore që do të dalin nga procesi i Berlinit”, tha Çollaku.

Ndërkaq, ministri për Financa, Avdullah Hoti tha se anëtarësimi i Kosovës në FMN, BERZH, BEI dhe BZHKE paraqesin një mundësi të mirë për financimin e projekteve kapitale të rëndësishme në Ballkan.

Takimet e Komiteteve Kombëtare për Investime janë forumet e krijuara në kuadër të obligimeve nga procesi i Berlinit, e të cilat sigurojnë mbikëqyrje të projekteve dhe implementim në nivel vendi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme