Koronavirusi mund të rris çmimet, e humb vende pune në Kosovë

09:07 | 11 Mars 2020
Arbresh.info

Të gjitha shtetet që rrethojnë territorin e Kosovë janë prekur nga koronavirusi.

Ndërsa, aspekti ekonomik është i pari që atakohet në raste të tilla.

Edhe pse deri tani në vend të gjitha rezultatet e këtij virusi kanë dalë negative, ekonomia e Kosovës mund të goditet edhe nëse nuk ka raste të prekura.

Mungesa  lëndës së parë dhe rritja e çmimeve mund të jenë pasojat e para.

Kështu ka bërë të ditur për arbresh.info, Besart Zhuja, analist i politikave ekonomike në Klubin e Prodhuesve.

“Si rezultat i përhapjes së korova-virusit në vendet e rajonit, Evropës dhe botës, për pasoj mund të goditet edhe ekonomia e Kosovës pavarësisht se a ka apo jo raste të të prekurve me këtë virus në Kosovë. Më saktësisht, goditje mund të ketë zingjiri i furnizimit për industrinë vendore – që do të thotë se si shkak i rënieve në tregjet ndërkombëtare dhe pamundësive për të siguruar lëndë të parë, pasoj mund të ketë ngadalësim të prodhimit dhe rritje të çmimeve në Kosovë”, ka thënë Zhuja.

Ndërsa pasoja do të ketë edhe eksporti i Kosovës pasi vendet që përbëjnë pjesën më të madhe të eksportit janë të prekura nga korona virusi.

“Edhe në sektorin e eksportit të mallrave, partneret kryesor në të cilat mallrat e Kosovës eksportohen janë Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Italia. Këto shtete përbëjnë gati 40% të total eksporteve të Kosovës. Prandaj, përkeqësimi i situatës në këto vende nuk është një lajm i mirë për eksportuesit Kosovarë. Megjithatë, Kosova, krahasuar me vendet e tjera të rajonit si Maqedonia e Veriut dhe Serbia, është më pak e rrezikuar shkaku i ekspozimit më të ulët të sajë në tregjet e eksporteve. Për shembull, në Maqedoni ose Serbi, eksporti përbënë rreth 30% të Bruto Produktit Vendor, e ndërsa në Kosovë kjo shifër është diku rreth 11% nëse thirremi në të dhënat e Bankës Botërore”, ka thënë ai.

Ai ka kërkuar shmangie të blerjes së produkteve nga vendet e dyshimta.

“Qytetarët në këtë rast, duhet të kenë kujdes të shtuar në origjinën e produkteve që ata konsumojnë – sidomos kujdes të veçantë duhet t’i kushtohet produkteve ushqimore. Është mirë që në këto kohë, të shmangen blerjet e produkteve me origjinë nga vende të dyshimta që tashme janë të prekura nga ky virus. Prandaj, konsumi i produkteve të prodhuara në Kosove mund të jetë më i sigurtë”, ka thënë Zhuja.

Zhuja ka shtuar se mbajta nën kontrollë  e panikut të qytetarëve është hapi më i rëndësishëm në këtë rast.

“Hapi më i rëndësishëm në këtë rast është mbajtja nën kontrollë e panikut të qytetarëve. Në parandalimin e përhapjes së panikut rol esencial ka qeveria, mediat dhe të gjithë opinion bërësit. Paniku si fenomen, nëse nuk menaxhohet mirë, mund të prek edhe sektorin bankar për shkak se nga paniku, njerëzit do të kërkojnë që të tërheqin mjetet e tyre si pasojë e pasigurisë dhe rrethanave të reja të krijuara. Është mirë që qeveria të dal në prononcime të shpeshta për të dhënë sqarime mbi statistika të sakta nëse ka ose jo të infektuar dhe për masat që ata i marrin në raport me rastet eventuale”, ka përfunduar ai.

Ndërsa kryetari i bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi, ka thënë se Qeveria duhet të ndaj mjete edhe për sektorin privat.

“Nëse vazhdon me këtë trend siç po vazhdon në BE, ne mendojmë se Qeveria duhet të ndaj mjete edhe për bizneset sepse në rast se zvogëlohet qarkullimi i qytetarëve nëpër lokale dhe vendet ku janë të punësuara sepse bizneset do të ballafaqohen me probleme të të hyrave të pa parashikuara si shkak i coronavirusit që do të kemi rrezik të largimit të punëtorëve, në pamundësi që kryhet obligimet ndaj bankat apo qiraxhinjve “, ka thënë ai.

Krasniqi ka shtuar se duhet tu paguhet pushimi edhe 300 mijë qytetarëve që punojnë në sektorin privat.

“Rreth 300 mijë qytetarë zyrtarisht janë të punësuar në Institucionet private do të ishte mirë që shtetit t’i ketë parasysh edhe këta qytetarë, dhe jo vetëm të mendohet për punëtorët  institucioneve të shtetit. Nëse shteti vendos që arsimtarët t’i dërgoj në pushim e njëjta gjë duhet të vlej edhe për bizneset sepse do të detyrohen t’i paguajnë dhe buxheti i tyre nuk është i madh”, ka shtuar ai.

I pari i OAK-së ka thënë se rritet rreziku pasi Qeveria nuk ka rezerva dhe 90% të produkteve të importon.

“Sipas të dhënave që i kemi ne, Qeveria e Kosovës nuk ka rezerva shtetërore dhe kjo është masë që do të duhej të merrej shumë më herët, të mendohej për të ardhmen, të rritet kapaciteti i prodhimit vendor sidomos për ushqim, që të prodhojmë vet e jo të varemi nga importi. Gjendja është shumë e rëndë, ne mbi 90% të produkteve i importojmë prandaj ne rrezikohemi edhe nga kjo masë të ballafaqohemi”, ka përfunduar ai.

Ndryshe në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës të mbajtur të martën janë ndarë mbi 10 milionë euro për ekipin që është pjesë e planit të veprimit të organizuar nga Ministria e Shëndetësisë.

“Situata rreth koronavriusit paraqet një gjende emergjente globale. Për ne paraqet një emergjencë kombëtare dhe të gjitha aktivitete e marra kanë qenë më qëllim parandalimin e tij. Plani i veprimit parasheh specifikat e tij dhe kërkoj që të miratohet nga kabineti I qeverisë”, ka thënë ministri i shëndetësisë, Arben Vitia./arbresh.info/

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme