Kompanitë në shumicë nuk i përgjigjen detyrimeve ndaj punëtorëve të tyre

13:53 | 18 Shtator 2015
Arbresh.info

Kushtet e punëtorëve në sektorin privat janë të brishta dhe gjithnjë e më shumë po përkeqësohen. Kjo ishte kryefjala e konferencës së sotme për media nga Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës.

Ndër gjërat më të këqija me të cilat ballafaqohen këta punëtorë janë rrogat e ulëta, të cilat ka raste kur janë vetëm 120 euro, për çka edhe bie në kundërshtim me ligjet e vendit. Problem tjetër i punëtorëve janë edhe kontratat e punës, që në shumë raste nuk u ipen të punësuarve, në mënyrë që kompanitë tu shmangen kontributeve ndaj punëtorëve.

Të pakta janë kompanitë të cilat plotësojnë nevojat dhe kushtet elementare për punëmarrësit, tha udhëheqësi i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi.

Ai tha se punëtorët e sektorit privat po ballafaqohen me kushte tejet të këqija, dhe nga 18 kompani sa kanë vizituar, vetëm njëra prej tyre doli të kishte punëtorë të kënaqur me kushtet e punës.

“Kjo sindikatë gjat ë periudhës dy mujore nuk bëri asnjë pushim, me qëllim që gjendja e punëtorëve të sektorit privat të përmirësohet. Megjithatë, ne bëmë një punë jashtëzakonisht të madhe edhe pse rezultatet nuk munguan, gjendja e punëtorëve të sektorit privat është gjendje e brishtë, një gjendje me tendencë përkeqësimi…është shumë normale që gjatë kësaj periudhe nuk kemi parë gjithçka çka është zi, është shumë normale që kemi parë edhe kompani që në njëfarë forme deri diku kanë plotësuar kushtet ligjore dhe marrëveshjet kolektive në raport me punëdhënësin dhe punëmarrësin”, tha Azemi.

Sipas Azemit, vetëm në skllavëri kanë ndodhur këto që po ndodhin sot me punëtorët e sektorit privat.

“Ne shpeshherë po dalim edhe vulgar në atë çka e themi. Është shumë e vërtetë që fuqia punëtore në sek torin privat është një fuqi e cila vetëm në skllavëri kanë ndodhur këto gjëra, po ndodhin dhe sot. Një pjesë e madhe e këtyre punëtorëve edhe sot e asaj dite paguhen me paga 120 euro, e cila është në kundërshtim me të gjitha rregullat, me të gjitha ligjet në Kosovë, edhe përkundër insistimit dhe presionit dhe njoftimit të gjitha organeve relevante, ne sot kompani dhe institucione paguhen punëtorët në kundërshtim me ligjin dhe sanksionet tjera”, shtoi Azemi.

Udhëheqësi i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat kritikoj mos angazhimin e Inspektoratit të Punës. “Ata nuk janë duke e kryer punën e tyre. Me vet faktin që kemi 5 vdekje të menjëhershme në vend të punës dhe mbi 7 raste të tjera të cilët kanë vdekur pas një periudhe të shkurtë kohore, dhe po ashtu kemi mbi 470 raste lëndime në punë, janë mjaftueshëm tregues se puna në inspektorat duhet të bëhet me dëshirë dhe vullnet”, tha Azemi.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme