Klubi i Prodhuesve reagon ndaj bllokimit të prodhimit në komunat në karantinë

10:36 | 13 Prill 2020
Arbresh.info

Klubi i Prodhuesve të Kosovës reagon ndaj ndalimit të lëvizjes së mallrave dhe të punëtorëve të cilët janë në qytetet në komunat në karantinë në Kosovë.

KPK kërkon nga ministritë përkatëse që të nxjerrin një udhëzim apo vendim ku do të bëjnë sqarimin e të gjitha paqartësive të cilat e pengojnë lëvizjen.

“Ju bëjmë thirrje Qeverisë në detyrë të Kosovës, por edhe ministrive në linjë, Ministrisë së Ekonomisë, Punës, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, edhe Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike që sa më parë të nxjerrin një udhëzim/vendim ku do të bëjnë sqarimin e të gjitha paqartësive të cilat e pengojnë lëvizjen e të lartpërmendurve. Është kritike që vendimi të vije sa më parë, pasi që shumë ndërmarrje janë të bllokuara dhe ju është pamundësuar lëvizja e punëtorëve dhe mallrave në të gjitha komunat të cilat janë në karantinë”, thuhet në njoftimin e KPK-së.

Klubi i Prodhuesve thotë se e kupton gjendjen aktuale dhe sfidën për ta mbajtur gjendjen pa panik dhe izolimin sa më të shpejtë të virusit COVID-19, mirëpo kërkojnë mos kufizimin e lëvizjes për të gjithë punëtorët e sektorit të prodhimit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme