Kinezët ikin nga Kosova

09:23 | 27 Shkurt 2016
Arbresh.info

Qytete të ndryshme të Kosovës ishin “pushtuar” vite më parë nga bizneset e ndryshme kineze. Mirëpo, edhe këto të fundit tashmë janë larguar nga vendi.

Sipas statistikave zyrtare, në katër vitet e fundit në Kosovë janë regjistruar vetëm pesë biznese kineze, përderisa në Agjencinë për Regjistrim të Bizneseve, i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, janë të regjistruara rreth 410 biznese kineze, por që nuk kanë treguar se sa është numri i bizneseve kineze që janë shuar.

“Nga viti 2010 kërkesa për regjistrimin e bizneseve të reja nga Kina ka rënë dukshëm (në vitin 2011-2015 gjithsej janë regjistruar 5 biznese të reja), ndërsa shumica dërmuese e bizneseve nga Kina merren me tregti”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Tregtisë për gazetën “Zëri”.

Ndërsa Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve, ka thënë se shumica e këtyre bizneseve kineze janë tërhequr nga Kosova. Shahini thotë se AKB-ja nuk ka të dhëna se sa biznese kineze janë aktualisht duke operuar në vend. Sipas tij, arsyet e largimit të bizneseve kineze kanë qenë me arsyetimin se tashmë kosovarët po importojnë vetë prodhimet nga Kina.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme