Rritja ekonomike në Kosovë, viteve të fundit po shënon rënie. Nga 5.39 përqind sa ishte në vitin 2010, sipas parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, rritja ekonomike gjatë këtij viti do jetë tre përqind.
Kjo normë e rritjes është e pamjaftueshme për krijimin e vendeve të reja të punës dhe uljes së nivelit të varfërisë në vend.
Rritja ekonomike është rritja e prodhimtarisë, kapaciteteve prodhuese dhe të gjithë përbërësve tjerë të një ekonomie. Rritja ekonomike vjen për shkak të rritjes së fuqisë punëtore ose kapitalit.
Ekspertë për çështje ekonomike, ndërkaq vlerësojnë se duke marrë për bazë krizën politike gjatë vitit të kaluar dhe fillimin e vitit 2015, atëherë duhet të pranohet se rritja ekonomike prej tre përqind është kapaciteti i mundshëm i arritshëm në Kosovë.
Drejtori i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale “STRAS”, Ibrahim Rexhepi, ka thënë se kjo normë e rritjes do të ndihmojë në mbajtjen e një ritmi të zhvillimit ekonomik të viteve të kaluara, raporton REL.
Rexhepi konsideron se për të pasur rritje të qëndrueshme ekonomike, autoritetet kompetente në Prishtinë, duhet të forcojnë sektorin privat.
“Përforcimi i sektorit privat ndodhë vetëm duke ndryshuar ambientin, duke krijuar lehtësi qoftë edhe fiskale, duke gjetur forma alternative të një financimi me një kosto më të lirë dhe krijimin e sigurisë për kapitalin, qoftë edhe për sigurinë fizike të njerëzve. Krejt kjo, kërkon një shtet funksional, një shtet ligjor, një shtet që mbron qytetarin, investitorin dhe mbron kontratat”, thekson Rexhepi.
Eksperti tjetër për çështje ekonomike, Menderes Ibra, vlerëson se niveli i rritjes ekonomike nuk mundëson krijimin e vendeve të reja të punës dhe përmirësimin e gjendjes socio-ekonomike.
Sipas tij, për një bazë të qëndrueshme ekonomike, “nevojitet përmirësim në sektorin privat, konkretisht në atë prodhues, në mënyrë që të rritet niveli i eksportit”.
“Kuptohet se gjithmonë rritja e prodhimit në një vend është bazë për rritjen e sektorëve dhe nën sektorëve tjerë, se kjo përveç se zvogëlon importin e produkteve, krijon mundësi edhe për hapjen e vendeve të reja të punës. Kjo nënkupton edhe rritjen e investimeve qofshin ato të brendshme, apo të jashtme”, tha Ibra./arbresh.info/
Superliga rikthehet sot me dy superduele
Poker dhe baste sportive online, 29 të arrestuar në Tiranë
A do të arrestohej Benjamin Netanyahu në Gjermani?
Aksident me fatalitet në Suharekë, vdes një person e lëndohe...
Vidhet një pistoletë me 40 fishekë në Prizren
Policia jep detaje rreth protestës së kompanisë “Pastrimi” p...