Google ADS

Këtë vit rritet në 46 milionë euro buxheti për grante dhe subvencione për fermerët

16:37 | 18 Shkurt 2016
Arbresh.info
Këto ditë pritet të shpallet ftesa për aplikim për grante dhe subvencione në bujqësi nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Në krahasim me vitin e kaluar sivjet është planifikuar një buxhet më i madh për 3 milionë euro. Këtë e ka konfirmuar ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi në një prononcim për Telegrafin.
Buxheti vitin e kaluar ishte 43 milionë euro ndërkaq sivjet është planifikuar 46 milionë euro që do të shkojnë direkt tek fermerët. Në 2015 janë mbështetur rreth 380 agrobiznese dhe kanë gjeneruar 2500 vende pune në bujqësi.

Krasniqi tha se përveç rritjes së buxhetit janë lehtësuar edhe shumë kritere në shumë nën sektorë të bujqësisë, me qëllim që të krijohen më shumë mundësi për të gjithë fermerët.

“Është e kuptueshme që me ketë buxhet nuk mund të plotësojmë kërkesat e secilit fermer, por rritja natyrisht se siguron një vazhdimësi të mbështetjes dhe zgjerimin e saj në disa nënsektorë. Kjo më pastaj përkthehet në rritje të prodhimit sepse ne do të kemi shumë më shumë sipërfaqe me serra, pemishte, më shumë prodhim të qumështit dhe mishit”, ka thënë ministri Krasniqi.

“Programi natyrisht se gjithmonë ka nevojë për plotësime dhe në bashkëpunim edhe me shoqatat e fermerëve ne kemi bërë në disa nënsektorë lehtësime për aplikim, dhe kemi reduktuar disa dokumentacione për t’u dhënë më shumë fermerëve mundësi për të hyrë në vlerësim”.

Ai deklaron se edhe këtë vit do të punohet që të rritet transparenca dhe efikasiteti në implementimin e programit.

“Kriteret dhe çdo procedurë tjerë ka qenë e hapur për publikun vitin e kaluar. Ne kemi bërë çdo gjë publike. Por padyshim se ka nevojë që të bëhet edhe më shumë punë në këtë drejtim”, ka thënë Krasniqi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme