Google ADS

Kërkohet përmirësimi i mjedisit për biznes

12:27 | 14 Qershor 2015
Arbresh.info

Reformat e të bërit biznes nga Qeveria e Kosovës, siç duket nuk kanë qenë të mjaftueshme për përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Në takimine fundit me zyrtarë qeveritarë, përfaqësues të FMN-së kanë kërkuar përmirësimi të mjedisit të të bërit biznes.

Shefi i misionit të këtij institucioni financiar ndërkombëtar për Kosovë, Jacques Miniane, madje ka thënë se në këtë kuadër nevojitet rritja e transparencës, duke krijuar kushte të barabarta për të gjithë, për të tërhequr investime vendore dhe të huaja.

Ndryshe, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë tashmë ka bërë disa reforma për përshpejtimin e procedurave për regjistrimin e bizneseve, mbrojtjen e investitorëve dhe përshpejtimin e procedurave për leje ndërtimi.

Vjollca Dibra, këshilltare për media dhe komunikim në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se kjo ministri është e përkushtuar për përmirësimin e mjedisit të të bërit biznes.

Disa nga reformat kryesore, sipas Dibrës, janë përmirësimi i infrastrukturës së cilësisë dhe fuqizimi i sektorit privat.

“Në fuqizimin e sektorit privat do të bëjmë një sistem të ri elektronik, ku do të regjistrohen bizneset duke zhvilluar një sistem elektronik. Do të thotë ofron mundësi që të gjitha shërbimet, të cilat ofrohen në kuadër të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, të kryhen online”.

“Pastaj, përmes kësaj kërkohet që të jetë një numër identifikues, që eliminon katër numra që janë aktualisht, numrin e biznesit, numrin fiskal dhe Tatimin Mbi Vlerën e Shtuar dhe eksport – importin, do të thotë një numër identifikues”, bën të ditur Dibra.

Por, nëse reformat e realizuara nuk japin efekte konkrete, atëherë janë të kota, thonë ekspertë për çështje ekonomike.

Këto reforma kanë ndodhur edhe te Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, konsideron Ibrahim Rexhepi, drejtori i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale “STRAS”, duke shtuar se këto reforma më tepër kanë shërbyer për promovime individual dhe institucionale, se sa për përfitime të qytetarëve apo bizneseve.

“E njëjta është edhe te Ministria e Tregtisë dhe Industrisë. Nuk mjafton vetëm të shkurtohen terminët kohor dhe shpenzimet e biznesit derisa ambienti për biznes është tejet i disfavorshëm”.

“Duhet të them se hapi i parë është reforma e institucioneve shtetërore, jo vetëm të rritja e efikasiteti të tyre, ulja e kostos, por te zbatimi i ligjit, respektimi i kontratave dhe respektimi i interesave-qoftë të qytetarit, por edhe të biznesit”, vlerëson Rexhepi.

Ndryshe, në raportin e Bankës Botërore “Të bërit biznes” për vitin 2015, Kosova ka shënuar përparim në renditjen e përgjithshme. Nga pozita e 86 sa ka qenë në vitin 2014, për këtë vit Kosova është renditur në pozitën e 75- të.

Megjithatë, për ekspertin Ibrahim Rexhepi, kjo nuk reflekton situatën e vërtetë në Kosovë.

Nëse merren parasysh parametrat zhvillimor, social dhe respektimi i kontratave, Rexhepi thotë se kjo nuk ka ndryshuar fare.

Prandaj, vlerësimet e Bankës Botërore, më tepër u referohen akteve të ndryshme, qoftë rregulloreve, apo në nivel të ligjeve, sesa situatës reale që është në terren.

“Nëse Kosova ka avancuar te çështja e regjistrimit të biznesit apo marrja e lejeve të ndryshme, asgjë nuk ka avancuar te respektimi i kontratës, çka do të thotë se nuk funksionon ligji. Dhe, derisa kjo nuk ndodh, është problem të flitet për reforma apo impaktin e reformave në zhvillimin ekonomik dhe social”, shpjegon Rexhepi.

Ndryshe mjedisi i të bërit biznes në Kosovë është kritikuar disa herë edhe nga subjektet dhe institucionet e pavarura ekonomike. Sipas tyre, pikërisht për shkak të klimës së pafavorshme afariste, sektori privat është në gjendje kritike.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme