Korporata Energjetike e Kosovës përmes një komunikimi me media, në Ditën e Tokës sot ka rikujtuar projektet e realizua në mbrojtje të mjedisit.
Korporata Energjetike e Kosovës është shfaqur e gatshme t’i adresojë të gjitha brengat e komunitetit.
Komunikata e plotë:
Është e drejtë e çdo qytetari që pakënaqësitë e tyre ti shprehin edhe në formë proteste, mirëpo ne mendojmë se zgjidhja më e mirë është që secila brengë e tyre të zgjidhet bashkërisht, gjithmonë duke respektuar ligjet në fuqi.
Në këtë drejtim, për hir të së vërtetës jemi të obliguar që për opinionin e gjerë publik të rikujtojmë faktin se KEK-u është biznes i rregulluar me tarifa të përcaktuara nga Zyra Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).
Të gjitha të hyrat, kërkesat për shpenzime si dhe investimet e Korporatës duhet të aprovohen nga ZRRE-ja. Prandaj, çdo investim hynë në rritjen e tarifave që me automatizëm nënkupton rritjen e çmimit të energjisë. Për këtë arsye edhe vetë investimet e KEK-ut në shumë raste nuk e marrin aprovimin nga ZRRE-ja.
KEK-u, në bashkëpunim me Komunën e Obiliqit, për vitin 2016 kishte identifikuar disa projekte infrastrukturore ekskluzivisht për ndihmë të komunitetit, të cilat kapin shumën prej 1 milion euro, që më pas janë dërguar për aprovim në ZRRE, mirëpo ato nuk kanë kaluar.
Mbrojtja e mjedisit është një nga objektivat kryesore të KEK-ut. Pas përmbylljes së ciklit madhor të investimeve mjedisore, përkundër faktit se KEK operon me stabilimente të teknologjisë se trashëguar, e cila nuk ishte dizajnuar të jetë miqësore ndaj mjedisit, ndotja nga impiantet e korporatës është zvogëluar në nivelet më të ultë që nga fillimi i operimeve të tyre.
Viti paraprak për KEK-un ka qenë viti i përfundimit të suksesshëm të ciklit të investimeve mjedisore e që kapin shumën prej mbi 50 milionë eurove, kryesisht nga mjetet vetjake.
Në vazhdim janë disa nga projektet e realizuara.
Transporti hidraulik i hirit TC-A.
Për 50 vjet, bartja e hirit të thatë nga TCA përmes shiritave ishte shkaktar i 80 % të ndotjes për zonat përreth.
Në vitin 2013 është ndërtuar sistemi hidraulik i bartjes së hirit nga TC-A
Me këtë rast është ndërprerë përfundimisht hedhja e hirit të freskët në ish-deponinë e hirit të Kosovës A.
Pastrimi i zonës së ish Gasifikimit
Impianti i mbyllur ne 1988 – ndotje e trashëguar dhe zonë ku KEK asnjëherë nuk kishte operuar. Janë eliminuar mbi 20 mijë tonelata të materialeve të rrezikshme-duke i trajtuar dhe duke i eksportuar për trajtim në BE.
Elektrofiltrat në TCA
Pas 50 vjetëve operimi, në njësitë aktive të TCA-së janë vendosur elektro-filtrat e rinj dhe si rezultat kemi zvogëlim madhor të shkarkimeve të grimcave të pluhurit në ajër. Mesatarja vjetore e këtyre shkarkimeve tani është rreth kriterit të lejuar me ligj (50 mg/Nm3)
Ish deponia e hirit TCA
Në ish-deponinë e vjetër te hirit të Kosovës A, qe nuk përdoret tash e disa vite dhe që ka një sipërfaqe prej rreth 250 hektarësh është akumuluar hiri që nga fillimi i viteve të 60-ta. Përkundër faktit se kjo ish-deponi e hirit është e trashëguar, KEK-u në mesin e projekteve për përmirësimin e mjedisit është ne finalizim të trajtimit edhe të kësaj ish-deponie.
Projekti i dizajnimit dhe mbulimit të kësaj ish-deponie ka filluar para 6 vjetëve në kuadër të një projekti të përbashkët të Bankës Botërore, Qeverisë Holandeze dhe KEK-ut. Deri më tani është mbuluar 85% e sipërfaqes. Në sipërfaqen e mbetur prej 15% është bërë dizajnimi gjatë sezonit dimërorë dhe tani ka filluar faza e mbulimit me djerrinë (dhe), e cila parashihet të përfundojë gjatë 3 muajve në vazhdim.
Si rezultat i punës së bërë gjer më tani , që vërtetohet edhe nga matjet e realizuara në baza të rregullta, niveli i pluhurit përreth ish-deponisë se hirit është zvogëluar dukshëm (shih diagramin me poshtë) dhe qe është brenda kufijve te lejuar me ligj.
Si rezultat përfundimtar, një kodër e hirit, e cila për 50 vjet ishte burim i ndotjes së vazhdueshme, e cila prekte një zonë të gjerë nga Obiliqi deri në Prishtine, është duke u rikultivuar dhe po shndërrohet në një zonë të gjelbër.
Vlen të theksohet se me këtë projekt janë trajtuar edhe deponitë e vjetra në Lismir (palosja e jashtme – jugu) dhe Bardh të Madh (palosja e jashtme – kalaja).
Paralelisht me këtë KEK-u ka nisur edhe mbjelljen e fidanëve në deponitë e djerrinave dhe hirit. Deri tash janë mbjellë 150 mijë fidanë .
KEK-u është e para dhe e vetmja kompani në vend që i ri-kultivon tokat e eksploatuara, duke i kthyer ato në gjendjen e mëparshme. Në këtë vazhdë, në koordinim me aksionarin dhe Bankën Botërore tashmë është aplikuar tek mekanizmat ndërkombëtarë dhe KEK-u është në proces të marrjes së një kredie të butë për rehabilitimin dhe rikultivimin e tërë hapësirës se gropave të ish mihjeve të Bardhit dhe Mirashit. Në këtë rast, një sipërfaqe prej rreth 10 km2, e cila është shfrytëzuar për eksploatim të qymyrit gjatë një periudhe shekullore, do të rehabilitohet dhe do të kthehet në gjendjen paraprake dhe për shfrytëzim të komunitetit.
KEK-u do të vazhdojë me adresimin e brengës së përbashkët që kemi për mjedisin në zonën e ndikimit që ka Korporata. Theksohet se mirëpret çdo reagim të bazuar dhe inkurajon që të gjitha brengat rreth kësaj çështjeje për të mirë të qytetarëve dhe komunitetit, t’i diskutojmë bashkërisht.
Policia ndalon në Bërnjak një furgon me targa serbe që po tr...
Njoftimi i UEFA-s për ndeshjen Rumani-Kosovë
Policia shqiptoi mbi dy mijë gjoba trafiku për 24 orë
Përfshihet nga flakët një ndërtesë banimi në Kinë, të paktën...
Arrestohen dy persona në Lipjan pas një mosmarrëveshje për p...
Shtetasit turk i vjedhet një çantë në Prishtinë, i’a m...