KEDS vendos trafon e re dhe zëvendëson komplet rrjetin në Drenoc

15:45 | 27 Nëntor 2015
Arbresh.info

Dhjetëra shtylla të betonit, si të Tensionit të Lartë ashtu edhe të Tensionit të Ulët, së bashku me trafon e re, kanë lehtësuar jetën e banorëve të Drenocit. Fshati më verior i Prishtinës tash ka infrastrukturë komplet të re energjetike.

Xhafollët e Drenocit të Prishtinës po hyjnë në këtë dimër me një brengë më pak se herëve tjera. Tash, në lagjen e tyre, KEDS ka vendosur trafon e re, përderisa ka ndërruar komplet rrjetin si të Tensionit të Lartë, ashtu edhe të Tensionit të Ulët në tërë fshatin. “Kjo lagje ishte lënë pasdore. Mungonte gjithçka. Tash, janë kryer shumë punë. Më së shumti po na gëzon rrjeti i ri elektrik. Sot, kemi shërbime të energjisë elektrike shumë më kualitative dhe shumë më të sigurta”, thotë Hysen Xhafolli, banor i lagjes. Trafo është vendosur në një lëndinë, disa metra larg shtëpisë së tij.

KEDS ka vendosur në një nga fshatrat më verior të kryeqytetit dhjetëra shtylla të betonit, duke i zëvendësuar me ato të drurit, të cilat ishin në një gjendje shumë të rëndë. Kompania këtë gjendje e kishte trashëguar nga koha kur Distribucioni ishte aset publik. “Shtyllat ishin të kalbura, frikësoheshim shumë edhe për sigurinë tonë fizike, sidomos për fëmijët”, shton Xhafolli.

Drenoci është një nga shembujt e shumtë ku KEDS vetëm sivjet ka ndërruar komplet infrastrukturën energjetike. “Tensioni ishte më i ulët se sa duhej, përderisa furnizimi nuk ishte i sigurt nga asetet e vjetruara. Ne reaguam menjëherë duke hartuar projektin dhe duke e implementuar atë. Sot, rrjeti modern i standardeve më të larta shtrihet anekënd fshatit”, thotë Teuta Buqinca, mbikëqyrëse e projektit nga ana e KEDS-it.

Ky investim është në kuadër të projekteve që po bën KEDS-i anekënd Kosovës për zgjerim dhe përforcim të rrjetit elektrik. Deri tash janë realizuar qindra projekte, përderisa fokusi është tek zonat ku gjendja e rrjetit është me e rëndë. Është zotim i kompanisë që përmes investimeve të fuqishme të rregullojë infrastrukturën energjetike që e ka në pronësi, në mënyrë që konsumatorët të ken ë shërbime kualitative dhe të sigurta.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme