Google ADS

Ja kur do të rimbursohen paratë e kuponëve të mbledhur për tre muajt e fundit

09:13 | 23 Mars 2017
Arbresh.info

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) e ka vonuar rimbursimin e mjeteve për kuponët fiskalë për tremujorin e fundit të vitit 2016.

Kështu kanë deklaruar për gazetën “Zëri” disa qytetarë të cilët i grumbullojnë kuponët e tillë.

Sipas tyre, në tremujorin e fundit të vitit që lamë pas ATK-ja është treguar më e ngathtë se herët tjera, me ç’rast ende nuk u kanë dalë në llogari mjetet e kuponëve.

Megjithëkëtë, në Administratën Tatimore të Kosovës kanë thënë se për tre muajt e parë të këtij viti, janar, shkurt dhe mars, ka përfunduar i gjithë procesi i verifikimit të plikove me kuponë fiskalë.

Kurse, lidhur me vonesat e rimburësimit të kuponëve fiskalë me të holla, Administrata Tatimore e Kosovës ka thënë se këto janë vetëm çështje procedurash, asgjë më shumë.

“Vonesat që janë bërë janë për çështje procedurale e asgjë tjetër”, ka deklaruar për “Zërin” zëdhënësja e ATK-së, Valentina Bytyqi-Sefa.

Sipas Sefës, vetëm 200 pliko gjithsej kanë mbetur që të verifikohen për vitin e shkuar.

“Rreth 200 pliko janë që do të verifikohen për vitin 2016”, ka shtuar tutje ajo.

Sefa gjatë bisedës ka potencuar se qytetarët që dorëzojnë kuponë fiskalë kanë mundësi që ta shohin vetë se a u është refuzuar apo jo aplikimi.

“Qytetarët kanë mundësi që përmes faqes të mundë të hyjnë dhe të shohin a është në proces të verifikimit, a është verifikuar dhe a është refuzuar”, ka theksuar Bytyqi-Sefa.

Ndërkohë, ATK-ja ka njoftuar qytetarët e Kosovës të cilët po vazhdojnë t’i grumbullojnë kuponët fiskalë që në mënyrë përfitimi t’iu rimburësohen mjetet nëpër llogaritë e tyre bankare.

Ndërkaq, ATK-ja më tej potencon se do ta bëjë shqyrtimin e të gjitha aplikacioneve dhe më pas do ta bëjë rimbursimin e mjeteve.

Ndryshe, që nga fillimi i kësaj kampanje e deri më tani, numri i përgjithshëm i qytetarëve të rimburësuar është mbi 847 mijë qytetarë në vlerë të rimbursimit mbi 15 milionë e 542 mijë eurove.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme