Transformimi i Institucioneve Mikrofinanciare OJQ (IMF OJQ) në shoqëri aksionare, respektivisht entitete private, ishte shtyrë fuqishëm nga një numër i IMF OJQ-ve dhe grupeve tjera të interesit qysh nga viti 2005, dhe përgjatë gjithë kësaj periudhe ishte kundërshtuar vazhdimisht nga shoqëria civile në Kosovë.
Procese të ngjashme për të lejuar me ligj transformimin e tillë ishin bërë edhe në vitin 2009, 2010 dhe 2011, kryesisht nëpërmjet Ligjit për Liri të Asociimit në OJQ apo akteve të ndryshme nënligjore, por ishin parandaluar në kohë për shkak të kundërshtimit aktiv të shoqërisë civile.
Megjithatë, kundërshtimi i shoqërisë civile dhe një numri të madh deputetësh nuk e ndaluan Kuvendin e Kosovës që të miratonte Ligjin për Banka, më 12 prill 2012, dhe ta lejonte një transformim të tillë.
Pikërisht një vit pas miratimit të tij kundërthënës, Gjykata Kushtetuese vendosi në favor të kërkesës së shoqërisë civile dhe anuloi të gjitha dispozitat e këtij ligji që e mundësonin transformimin e kapitalit të OJQ-së në kapital privat.
Problemi me institucionet mikrofinanciare qëndron edhe sot dhe ende Kuvendi nuk ka siguruar ndonjë zgjidhje për to për shkak ndjeshmërisë që e kanë si veprimtari biznesi.
Institucionet Mikrofinanciare janë të regjistruara në tri etnitete që operojnë në Kosovë në zyrën e Organizatave Joqeveritare, ato janë regjistruar si OJQ me statusin e përfituesit publik, në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) ato janë regjistruar si biznese ndërsa në Bankën Qendrore e cila edhe i monitoron veprimtarin e tyre herë pas here, ato janë të regjistruara si institucione mikrofinanciare.
Lajmi.net ka tentuar të komunikoj me shoqatën e institucioneve mikrofinanciare të Kosovës AMIK por kontakti me ta ka qenë i pamundur për të na dhënë përgjigje në lidhje me procesin transformimit të tyre.
Njohësi i zhvillimeve ekonomike Gëzim Osmani, vlerëson se këto institucione në Kosovë janë të regjistruara si organizata joqeveritare ose humanitare, e për këtë sipas tij, ligji duhet të ndryshohet sa më shpejt. Osmani vlerëson se institucionet kompetente duhet të veprojnë në mënyrë që të zgjidhin statusin e tyre.
Sipas Osmanit kamatat e këtyre instituteve mikrofinanciare janë marramendëse, e kjo bëhet për shkak të procedurave më të thjeshta që i kanë dhe nuk kërkojnë shumë garantues.
“Institucionet e Kosovës duhet ta rregullojnë këtë punë, sepse këto institute mikrofinanciare kanë krijuar kapital të madh nga kredit-fajde, e që po ashtu udhëheqësit e këtyre institucioneve ju ndajnë rrogë të majme vetit, që për standardin e Kosovës është tepër”, thotë Osmani për lajmi.net.
Osmani thotë se institucionet mikrofinanciare që veprojnë në Kosovë, “aktivitetin e tyre e zhvillojnë me norma tejet të larta të interesit për kredi”.
“Norma e interesit për kredi, që arrijnë deri në 22 për qind. Përkundër saj këto IMF kanë lëshuar kredi deri në dhjetor të vitit 2017 mbi 130 milionë euro, në bazë të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës”, ka thënë Osmani.
“Punonjësit e IMF-ve sidomos stafi menaxherial pagat i kanë tejet të larta ne krahasim me standardin e jetesës në Kosove. E këto paga i sigurojnë nga kamatat e larta të kredive që disbursojnë për qytetar me kushte te rënda ekonomike. Andaj ndërhyrja e shtetit është e domosdoshme”, ka thënë Osmani.
Institucionet Mikrofinanciare origjinën e kanë nga vendet e Lindjes së largët dhe synim kryesor kanë që të ofrojnë asistencë ekonomike për kategoritë më të varfra të popullsisë, të cilat përndryshe nuk kanë qasje në sistemin privat bankar. Nga vet emri i tyre, këto institucione e arrijnë këtë qëllim duke ofruar kredi të vogla dhe për kategori të caktuara të përjashtuara nga sistemi bankar komercial.
Në vendet e zhvilluara nuk ekzistojnë institucione të tilla, ose janë shumë të rralla. Në Kosovë, qysh nga viti 1999, OJQ-të mikrofinanciare kanë rritur kapitalin e tyre shumëfish nga kapitali fillestar, dhe kjo kryesisht duke ofruar kredi me përqindje të lartë interesi. Korniza ligjore e aplikueshme në Kosovë, e që është e bazuar në parimet ndërkombëtare të kësaj fushe, nuk e ka lejuar një gjë të tillë. Përkundër kësaj, në vend që të synohet zbatimi i plotë i obligimeve ligjore, një numër i IMF OJQ’ve dhe institucioneve publike kanë kërkuar që kjo praktikë e jashtëligjshme të legalizohet dhe IMF OJQ edhe zyrtarisht të shndërrohen në kompani private, dhe si të tilla ligjërisht të lejohen të përfitojnë nga aktiviteti i tyre financiar./Lajmi.net/
Kadrijaj e AAK-së komenton skandalet me subvencione në Minis...
Osmani e Maqedonci takuan Bauerin, flasin për përkushtimin e...
I pandalshëm Edon Zhegrova – ylli kosovar gjen golin në sfid...
Banorët e Bazelit miratojnë fondet publike për Eurovision
Bajrami: Të gjithë ata që mbrojnë të korruptuarit, janë të k...
Anisa: Xheneta nuk ka pasë pëlqim të vërtetë ndaj Gjestit, p...