Inspektorati gjeti vetëm 1860 punëtorë pa kontrata

09:08 | 31 Mars 2016
Arbresh.info

Derisa sindikalistët kosovarë thonë se janë më shumë se 50 mijë punëtorë të sektorit privat pa kontrata, Inspektorati i Punës vitin e kaluar ka gjetur vetëm 1860 punëtorë pa kontrata pune

Biznesi privat vazhdon të jetë “kampion” për shkelje të Ligjit të Punës në Kosovë, duke mos u ofruar punëtorëve as kontratat e punës.

Derisa sindikalistët kosovarë thonë se janë më shumë se 50 mijë punëtorë të sektorit privat pa kontrata, Inspektorati i Punës vitin e kaluar ka gjetur vetëm 1860 punëtorë pa kontrata pune.

Bastri Ibrahimi, kryeinspektor në Inspektoratin e Punës, thotë për “Zërin” se në vitin 2015 kanë pasur më pak raste të punëtorëve pa kontratë, krahasuar me vitin 2014.

“Në vitin 2015 në gjithë Kosovën kemi hasur në 1860 punëtorë që nuk kanë kontrata të punës. Ndërsa në vitin 2014 i kemi pasur rreth 2700, ndërsa në vitin 2013 rreth 3400. Çdo vit ka shkuar duke rënë numri i punëtorëve pa kontrata, besojmë se kjo është edhe çështje e vetëdijesimit të punëdhënësve”, bën të ditur Ibrahimi.

Ai ka shtuar se vitin e kaluar Inspektorati ka realizuar një fushatë vetëdijesuese për çështjen e kontratave të punës.

“Për arsye të ndryshme ka disa lloje të bizneseve që vazhdojnë të kenë punëtorë pa kontratë. Më së shumti punëtorë pa kontratë kemi në sektorin e ndërtimtarisë. Kjo për shkak se puna e tyre në pjesën më të madhe është sezonale. Pastaj kemi sektorin e hotelerisë që është më i theksuar në Prishtinë”, ka shtuar Ibrahimi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme