Mbi 2.5 miliardë euro është vlera e importit të produkteve të huaja në Kosovë, gjatë vitit të kaluar, kurse eksporti i produkteve të Kosovës në vendet e rajonit dhe Evropës ka arritur në vlerën mbi 300 milionë euro.
Këto të dhëna janë paraqitur në vlerësimin e tremujorit të katërt për vitin 2015, publikuar ditë më parë nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës.
Ky debalanc tregtar, për përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe ekspertë për çështje ekonomike, paraqitet shqetësues dhe njëherësh tregon se në çfarë gjendje të rëndë paraqitet industria e prodhimit.
Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, konsideron se fajtor për shkëmbimet tregtare eksport-import, janë politikat aktuale të Qeverisë, të cilat nuk janë të orientuara me prioritet në prodhim, rrjedhimisht punësim dhe rritje të nivelit të eksportit.
Politikat fiskale të ekzekutivit, Shahini i quan kozmetike, dhe në këtë mënyrë, sipas tij, Kosova edhe për një periudhë të gjatë do të mbetet e varur nga produktet e importuara.
“Motivet e ndërmarrësve kosovarë për t’u futur në sektorin e prodhimit, po bien. Vitin e kaluar në Kosovë nuk janë hapur më shumë se gjashtë kompani prodhuese për t’u futur në sektorin e prodhimit. Kjo tregon se në Kosovë nuk ka interes që të vijnë investitorët e huaj apo këta vendorë të orientohen në sektorin prodhues për shkak të vështirësive të tyre”, thotë Shahini.
Forcimi i kapaciteteve prodhuese vendore është zgjidhja e vetme e përmirësimit të bilancit tregtar me vendet e rajonit dhe Bashkimit Evropian , thotë edhe eksperti për çështje ekonomike, Naim Gashi.
Bilanci negativ tregtar që aktualisht ka Kosova, po shkakton largimin e parasë së gatshme në treg, thotë Gashi, duke shtuar se në këtë mënyrë kapitali i nevojshëm për afarizëm, po bëhet i pamjaftueshëm për kompanitë e Kosovës.
“Në këtë fushë, një rol të rëndësishëm kanë edhe konsumatorët, të cilët duhet të konsumojnë më tepër prodhime vendore, për arsye se në tregun kosovarë ekzistojnë prodhimet vendore”.
“Ndërkaq, sektori kryesor që mund të ndikojë në përmirësimin e bilancit tregtar të Kosovës me botën e jashtme, është sektori i minierave dhe mineraleve. Mandej, aktivizimi i kapaciteteve të reja energjetike që do të eksportonin energji elektrike dhe do të ulnin varshmërinë nga importi”, thotë Gashi për Radion Evropa e Lirë.
Në Kosovë shumica e produkteve importohen nga vende të ndryshme të rajonit dhe Bashkimit Evropian, duke përfshirë edhe produktet elementare ushqimore. Shahini thotë se Kosova nuk ka ndonjë sektor të prodhimit, me produkte të caktuara që mund të mbulojë nevojat e tregut në Kosovë.
“Nëse e analizojmë çdo sektor, sektori i energjisë është më i zhvilluari, por prapë importojmë energji elektrike. Megjithatë, janë disa sektorë që janë më të avancuar, por për këta sektorë nuk është bërë asgjë për t’i mbrojtur, për arsye se dëshira e kosovarëve për t’u integruar në mekanizmat ndërkombëtar siç është CEFTA, tashmë MSA-ja, këto e kanë lënë sektorin e prodhimit tepër lart konkurrencës. Ne kemi bërë një hap drejt integrimit, por nuk kemi marrë masa mbrojtëse për prodhime të vendit”, thekson ai.
Sipas Bankës Qendrore të Republikës se Kosovës, rritja e kërkesës së brendshme vlerësohet se ka ndikuar në rritjen e importit dhe, rrjedhimisht, në rritjen e deficitit të llogarisë rrjedhëse.
Në kuadër të importit të mallrave, janë shënuar produktet ushqimore, metalet bazë, plastika dhe goma.
Ndërkaq, Republika e Kosovës në përqindje më të madhe ka eksportuar plastikë, goma dhe produkte ushqimore.
Mbledhja e përbashkët Kosovë-Maqedoni, dalin detajet
Shqipëria mbyll përgatitjet në “Air Albania”, gati për ndesh...
Vëllai i Xhenetës me urgjencë vjen nga Suedia, gruaja e Mevl...
Kryetari Konjufca priti në takim deputetët laburistë të Mbre...
Qipro arrin fitore ndaj Lituanisë
Gjendet pa shenja jete një 60-vjeçar në Dibër, dyshohet se e...