Pjesa dërmuese e të hyrave për arkën e buxhetit të shtetit të Kosovës vazhdon të mblidhet nga Doganat, kjo pasi që Kosova vazhdon të importojë mbi 80 për qind të produkteve konsumuese.
Por, me rastin e rritjes së nivelit të integrimit të Kosovës në mekanizmat evropianë, këto të hyra do të zvogëlohen dhe disa prej tyre, madje edhe do të eliminohen.
Megjithatë, sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike dhe atyre doganore, hendeku që do të krijohet sa i përket taksës doganore që është 10 për qind për importin e produkteve nga Bashkimi Evropian, nuk do të ketë efekte të mëdha.
“Efektet e saj nuk do të jenë jashtëzakonisht të mëdha. Sipas disa përllogaritje që janë bërë, janë 25 milionë euro në vit, e ato do të mbulohen përmes investimeve, të cilat do t’i bëjë Bashkimi Evropian nëpërmjet instrumenteve të para-anëtarësimit dhe nëpërmjet tyre do të bëhet kompensimi i atyre ‘humbjeve’ që do t’i pësojë arka e buxhetit të shtetit të Kosovës”.
“Ne, si shoqëri dhe si ekonomi, nuk duhet t’u frikësohemi integrimeve evropiane se vetëm ato gjenerojnë zhvillim”, thotë për Radion Evropa e Lirë, eksperti i çështjeve ekonomike Naim Gashi.
Pjesa dërmuese e të hyrave për arkën e buxhetit të shtetit të Kosovës, të cilat grumbullohen në pikat kufitare, nuk janë vetëm taksë doganore, shumica prej tyre janë Tatim mbi Vlerën e Shtuar në import dhe akciza.
Të gjitha këto taksa, sqaron Gashi, do të mbeten edhe pasi që Kosova të nënshkruajë Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe pasi që të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian.
Në anën tjetër, ish-drejtori i Doganave të Kosovës, Naim Huruglica, thotë se mbledhja e të hyrave për arkën e shtetit nga Doganat, aktualisht, është mënyra e vetme.
“Realisht, kjo ka qenë zgjidhja e vetme. Në një rrethanë ku 80 për qind e asaj që ne e konsumojmë janë mallra nga importi, nuk ka pasur një zgjidhje tjetër vetëm se të bëhet kjo. Gjithsesi, kjo ka qenë më e lehtë sepse shtrirja apo mbledhja e tatimeve në brendi, është shumë më e komplikuar sesa ajo që bëhet nga autoriteti doganor në kufi”, sqaron Huruglica.
Por, sipas Huruglicës, gradualisht duhet të ketë një shtrirje tatimore në brendi dhe jo shteti të varet aq shumë nga të hyrat që futen në kufi.
Fuqizimi i Administratës Tatimore të Kosovës, shton Huruglica, është thelbi i një shtrirje më të mirë të kontrollit tatimor.
“Duhet të gjendet një mundësi që përmes masave stimuluese të nxitet zhvillimi ekonomik i vendit, punësimi dhe duke i nxitur këto, gradualisht do të krijohet një bazë më e mirë tatimore në brendi. Po ashtu, duhet të luftohet informaliteti, sepse vlerësohet se ka informalitet në brendi nga shërbimet ose nga veprimtaritë e caktuara, ku nuk paguhen tatimet e mjaftueshme”, thekson Huruglica.
Edhe eksperti i çështjeve ekonomike, Naim Gashi, thekson faktin se Kosova duhet të investojë në kapacitetet prodhuese dhe shërbyese, që të jetë konkurrente fillimisht me rajonin dhe pastaj me vendet tjera të Bashkimit Evropian.
“Ne mund të jemi konkurrent me prodhime bujqësore, ne mund të jemi konkurrent me prodhimin e energjisë elektrike, pasi që kemi kapacitete të mëdha, mund të jemi konkurrent me miniera dhe minerale dhe ne duhet ta gjejmë atë sektor ekonomik ku nuk është konkurrenca e ashpër nga vendet e Bashkimit Evropian”, shton Gashi.
Buxheti i Kosovës, i cili mbushet nga Doganat dhe Administrata Tatimore e Kosovës për vitin 2015 është 1.5 miliardë euro.
Haradinaj: Kosova direkt në NATO, është kthesa e madhe për K...
Erdogan synon rritjen e tregtisë me Rusinë
Incidentet në takimin e Ramës me shqiptarët e Britanisë, një...
I bie një profilë metalit në kokë, vdes 25-vjeçari në Prizre...
Kadrijaj e AAK-së komenton skandalet me subvencione në Minis...
Osmani e Maqedonci takuan Bauerin, flasin për përkushtimin e...