Google ADS

Hoti në Estoni, kërkon eliminimin e tatimit të dyfishtë

11:36 | 9 Dhjetor 2016
Arbresh.info

Ministri i Financave Avdullah Hoti i shoqëruar nga drejtori i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës Sakip Imeri, dhe u.d drejtori i përgjithshëm i Doganës së Kosovës Fahri Gashi, po qëndron për vizitë në Republikën e Estonisë.

Gjatë kësaj vizite ministri i Financave Avdullah Hoti u prit në takim nga homologu i tij  Sven Sester, të cilin e njoftoi për situatën e përgjithshme makrofinanciare të Kosovës , gjithashtu për programin e vendit me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Sipas një komunikate të MF-së, në këtë takim u diskutua edhe për mundësinë e bashkëpunimit sidomos në fushën e administratës tatimore dhe asaj doganore, me theks të veçantë ofrimin e përvojës së shtetit të Estionisë për Kosovën, në procesin e bashkimit të Administratës Tatimore të Kosovës dhe Doganës në një administratë të vetme.

“Të dy ministrat diskutuan gjithashtu edhe për Procesi i fiskalizimit dhe bashkëpunimi në këtë fushë, si dhe për  Marrëveshjen e Eliminimit të Tatimit të Dyfishtë ndërmjet dy vendeve. Gjatë kësaj vizite gjithashtu u nënshkrua edhe Memorandumi i Bashkëpunimit ndërmjet Administratës Tatimore të Kosovës, Doganës së Kosovës dhe Bordit të Taksave dhe Doganave të Estonisë. Nën praninë e Ministrit të Financave të Republikës së Kosovës Avdullah Hoti, Memorandumi i Mirëkuptimit u nënshkrua nga drejtori i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës Sakip Imeri,  nga u.d drejtori i përgjithshëm i Doganës së Kosovës Fahri Gashi, si dhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Bordit të Tatimeve dhe Doganave të Estonisë Marek Helm. Qëllimi i këtij Memorandumi është të inkurajojë bashkëpunimin ndërmjet administratave tatimore dhe doganore të të dyja vendeve në fushën e tatimeve, përmes shkëmbimit të përvojave, sido mos në në sigurimin dhe shkëmbimin e përvojave në fushën e mbrojtjes së të dhënave, mbrojtjen e infrastrukturës kritike, ndërtimin e identitetit digjital dhe regjistrat dhe bazat e të dhënave shtetërore”, thuhet në komunikatë.

Memorandumi me theks të veçantë përfshinë ndihmën e shtetit të Estonisë për Kosovën në trajnimin e specialistëve dhe menaxherëve e në të gjitha fushat e mëdha të biznesit duke përfshirë edhe shërbimet e taksapaguesve, menaxhimin e pajtueshmërisë, pagesat dhe zhvillimin e sistemit të dosjeve, praktikat e të qenit Agjencia e Vetme e të Hyrave, menaxhimin strategjik dhe menaxhimin e performancës së operacioneve.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme