Google ADS

Hoti: Moskrijimi i institucioneve rrezikon zgjedhjet lokale

09:17 | 8 Korrik 2017
arbresh.info

Organizimi i zgjedhjeve të përgjithshme i kushtoi buxhetit të shtetit 4 milionë e 944 mijë euro, kurse për zgjedhjet lokale janë planifikuar rreth 6 milionë euro.

Por institucionet do të kenë të vështirë që të sigurojnë mjetet që nevojiten për organizimin e zgjedhjeve të 22 tetorit, ngase mjetet e parashikuar për zgjedhjet lokale u shpenzuan për ato nacionale.

Ministri në detyrë i Financave Avdullah Hoti në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se vonesat në krijimin e qeverisë dhe konstituimi i kuvendit do të pamundësonin rishikimin e buxhetit.

Hoti bënë thirrje që sa më shpejtë të themelohen institucionet në mënyrë që të rishikohet buxheti dhe të sigurohen fondet e nevojshme për zgjedhjet.

“Do të kemi probleme me buxhetin për zgjedhjet lokale, sepse sivjet kanë qenë të planifikuar 6 milionë për zgjedhjet lokale, e meqenëse ato i kemi shfrytëzuar për zgjedhjet e përgjithshme neve na duhet edhe 6 milionë për zgjedhjet lokale. Prandaj po bëjë thirrje që sa më parë të themelohen institucionet dhe të bëhet rishikimi i buxhetit dhe të sigurohet këto fonde”, ka thënë Hoti.

Mirëpo ministri në detyrë i Financave thotë se qeveria në çdo formë do të gjejë zgjidhje për siguruar buxhetin prej 6 milionësh për zgjedhjet lokale, transmeton arbresh.info.

Ai garanton se do të shfrytëzojnë mundësit ligjore në mënyrë që të realizojnë alokim të brendshëm deri në 15% në ministrinë e Financave e deri në 25% në qeveri.

“Nëse nuk ndodh formimi i shpejtë i institucioneve ne si ministri e Financave dhe si qeveri do të shfrytëzojmë mundësin ligjore që kemi në alokime të brendshme deri në 15% në ministri dhe deri në 25% në qeveri për të siguruar mjetet për funksionim normal. Unë prapë garantoj që institucionet do të funksionojnë normalisht, obligimet financiare që ka qeveria do të kryhen normalisht, por janë këto vështërisë që mund të kemi ngecje në realizimin e disa projekteve kapitale”, ka sqaruar ai./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme