Hoti: Kosova ka bërë progres në Programin për Reforma në Ekonomi

14:34 | 22 Nëntor 2016
Arbresh.info

Ministri i Financave Avdullah Hoti ka takuar sot përfaqësuesit e Komisionit Evropian, të kryesuar nga Hillen Francke, Koordinatore për programet ekonomike të Reformës dhe Zgjerim, DG NEAR në Komisionin Evropian, me të cilët ka diskutuar për Programin për Reforma në Ekonomi (PRE).

Hoti,  në cilësinë edhe të Koordinatorit Nacional për hartimin e dokumentit ‘Programi për Reforma në Ekonomi’ (PRE) si pjesë e dialogut për politika ekonomike ndërmjet BE-së dhe Republikës së Kosovës, bëri të ditur se “Në këtë proces, institucionet që ne përfaqësojmë kanë bërë një punë të madhe në forcimin dhe avancimin e këtij dialogu. Siç mund të jeni në dijeni, vlerësimet që kemi pranuar për dokumentin e parë të përpiluar (PRE 2015) kanë qenë mjaft pozitive, ndërkaq na gëzon edhe më shumë fakti se dorëzimi i dytë, ai i vitit të kaluar (PRE 2016) u vlerësua si përmirësim i dukshëm nga ai i pari”, njofton kumtesa nga  Ministria e Financave.

“Për mua këto vlerësime janë njohje e suksesit tonë të përbashkët, sidomos duke pasur parasysh se dorëzimi i këtij dokumenti na vë në nivel të barabartë me shtete që janë më të avancuara se ne në procesin e ‘European Semester’. Është shumë e rëndësishme, besoj për të gjithë ne, që ky përmirësim në kualitet të dokumentit të vazhdojë edhe në dorëzimet e radhës. Prandaj, sot ju ftoj që në mënyrë të përbashkët, të hapim diskutimin mbi sfidat në vazhdim dhe ato të reja që na presin, të vlerësuara si të tilla përmes analizës diagnostikuese, e zhvilluar me ndihmën e ekspertëve të OECD”, shtoi i Hoti.

Ai bëri të ditur se sfidat kanë të bëjnë me fushat si: Menaxhimi i Financave Publike, Energjia, transporti dhe tregu i telekomunikimit, zhvillimet sektoriale, mjedisi i biznesit dhe ulja e ekonomisë joformale, hulumtimi dhe inovacioni, tregtia e jashtme dhe përkrahja e investimeve, arsimi dhe aftësitë, punësimi dhe tregu i punës,  përfshirja sociale, ulja e varfërisë dhe mundësitë e barabarta.

Ndërsa, Hillen Francke, Koordinatore për programet ekonomike për Reformë dhe Zgjerim, DG NEAR në Komisionin Evropian, theksoi se Komisioni Evropian dhe Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) do të ofrojnë përkrahjen e tyre gjatë  këtij procesi për të tejkaluar sfidat me të cilat përballet Kosova. Gjithashtu ne mund të themi se Kosova po bënë progres sa i përket  zhvillimit ekonomik të saj si dhe në fushën e raportimit dhe bashkëpunimit me BE-në.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme