Google ADS

Hoti: Është momenti i fundit që të përfundoj fiskalizimi i të gjitha pikave të karburanteve

15:49 | 8 Qershor 2016
Arbresh.info

Ministri i Financave Avdullah Hoti deklaroi të mërkurën se është momenti i fundit që të përfundojë fiskalizimi i të gjitha pikave të karburanteve. Ministri Hoti këtë deklaratë e bëri gjatë takimit që pati me përfaqësues të Shoqatës së Naftëtarëve.

“Është momenti i fundit që të gjitha subjektet e këtij sektori pa përjashtim t’i nënshtrohen procesit të fiskalizimit. Administrata Tatimore e Kosovës do t’i merr të gjitha masat ligjore për kontrollin e subjekteve dhe zbatimin e ligjshmërisë sa i përket fiskalizimit të pikave të shitjes së karburanteve”.

Nga ana e tyre përfaqësuesit e naftëtarëve, shprehën gatishmërinë që të bashkëpunojnë me të gjitha institucionet relevante në mënyrë që ky proces të përfundoj sa më shpejt.

Sa i përket çështjes së ngritur nga Shoqata e Naftëtarëve, që ka të bëjë me humbjen dhe avullimin e produkteve të caktuara gjatë transportit dhe ruajtjes së tyre, Ministri Hoti tha se Ministria e Financave bashkë me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë është duke e trajtuar këtë çështje dhe së shpejti do gjejnë një zgjidhje. Ai bëri të ditur se kjo do të bëhet përmes aprovimit të një ligji të ri ose vendim, që do të bazohet në direktivat e BE-së që e rregullon këtë çështje.

Ministri i siguroi naftëtarët se do të trajtohet edhe kërkesa e tyre për Depo Doganore, përmes formimit të një grupi punues që do e analizojë këtë kërkesë dhe do propozoj një rekomandim për zgjidhje.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme