Heronjtë e nëntokës jetojnë me “ymyt”

12:56 | 8 Janar 2016
Arbresh.info

Profesioni i minatorit që konsiderohet ndër profesionet më të vështira, megjithatë është krejt ndryshe kur e sheh dhe prek nga afër realitetin.

Këtë e ka ndjerë më së miri Rrahmon Beqiri, minator në minierën e Trepçës në Stantërg, gjatë gjithë eksperiencës së tij 17 vjeçare.

Ai rrëfen për KosovaPress se si ka shkuar jeta e tij qindra metra nën tokë, derisa thotë se familja është arsyeja kryesore për të cilën ka pranuar të bëjë kompromis për këtë punë kaq të vështirë.

Sipas tij, puna e minatorit përveçse është shumë e vështirë, është edhe me rreziqe, por ajo kohë vetëm këtë mundësi ia dha.

Duke potencuar se minatorët kohën e lirë e kanë të kufizuar, Beqiri bënë të ditur se viti 2015 ka qenë viti më i rëndë për Trepçën.

Ai nuk mendon se gjendja do të përmirësohet as vitin e ardhshëm, por jeton me shpresë, duke thënë ‘me ymyt oj loçkë’.

 

“Më ka shtyrë familja që të punoj në minierë, sepse nuk është zanat i lehtë puna e minatorit. Është një punë shumë e rëndë me sfida dhe rreziqe të ndryshme…Profesioni i minatorit është një profesion ndër më të vështirat që munden me ekzistu… duke llogaritur rrezikshmërinë e lartë, ajri i ndotur, lagështia e madhe e ajrit, vendgërmimet janë të rrezikshme shumë, që do të thotë aty çdo moment mund të ndodhë diçka. Janë makinat e rënda që punojnë me dizel edhe ato e bëjnë të veten, kështu që është punë shumë e rëndë… Koha e lirë jovetëm për mua, por besoj për të gjithë minatorët është e kufizuar, gjumë, punë dhe më shumë s’kemi… Jemi 17 anëtarë të familjes…Kam 7 fëmijë, 6 nipa e mbesa…Shumë është e vërtetë se viti 2015 ka qenë viti më i rëndë që edhe ne si minatorë e kemi ndjerë. Njëherë ka qenë mungesa e licencës, do të thotë na ka munguar eksplozivi, ne i kemi duart e lidhura kur s’kemi eksploziv, e sfida tjera si amortizim i i mjeteve, nuk kemi donacione nga qeveria që të ngjallet Trepça dhe të bëhet një zhvillim ekonomik më i mirë…Ta përmendi një thënie të një fshatari tim që thoshte ‘ me ymyt oj loçkë’, edhe unë po them njëjtë ‘me ymyt oj loçkë’, po presim ditë më të mira, por ymyti dhe shpresa jonë kishte qenë shumë e gjatë…Jam skeptik se në vitin 2016 do të përmirësohet diçka”, ka thënë Beqiri.

Në anën tjetër, Ahmet Tmava, menaxher i përgjithshëm i Trepçës, duke folur për sfidat dhe vështirësitë e kësaj Ndërmarrje gjatë vitit 2015, ka bërë të ditur se këtë vit, për fat të keq, gjithçka ka filluar mbrapsht dhe nuk janë arritur objektivat e synuara.

Ai e ka quajtur vitin 2015 si vitin më të rëndë dhe të mbijetesës.

Megjithatë, shtoi ai, mundësitë reale ekzistojnë për ndryshime pozitive, sepse Trepça ka posedimin e resurseve.

Tmava ka porositur institucionet qendrore që të reflektojnë sa më parë, sepse statusi i pazgjidhur i Trepçës nuk duron më në aspektin kohor.

 

“Për fat të keq në këtë vit filloi gjithçka mbrapsht dhe u përmbyll pa arritjen e objektivave të cilat kanë qenë synim edhe i menaxhmentit, por edhe i punëtorëve dhe i pritjes së qytetarëve të shumtë, sepse e shohin si një perspektivë për punësim dhe zhvillim… Sfidat nëpër të cilat ka kaluar Trepça, e përcaktojnë si vitin më të rëndë, vit të mbijetesës dhe kjo mbijetesë ka qenë vetëm fal angazhimit të jashtëzakonshëm të minatorëve dhe kursimeve të shumta që kemi bërë, sepse do të vinim në një situatë që me të vërtetë Trepça të ketë reflektime jashtëzakonisht negative në çdo aspekt…Krejt këto sfida u tejkaluan me një shpresë dhe një mesazh për institucionet qendrore që dua ta bëjë shumë të qartë, se statusi i Trepçës nuk duron në aspektin kohor dhe në aspektin kohor jemi në një emergjencë të jashtëzakonshme për me ardhë tek ajo kthesë pozitive që pritet me reflektu zhvillim dhe me i realizu shpresat e qytetarëve për punësim dhe zhvillim. Mundësitë reale ekzistojnë, posedimin e resurseve e kemi… kështu që me shpresën se përmbyllëm një vit shumë të rëndë”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se deri në nëntor nëse nuk bëhet diçka, atëherë gjithçka shkon në procedurë të likuidimit të Trepçës.

 

“Kemi ardhur në një situatë kur tani do të reflektojnë institucionet qendrore, por edhe ne do të marrim obligime zhvillimore dhe të reflektojmë interes për vendin…Institucionet qendrore do të merren me Trepçën, mirëpo nuk kemi nevojë të presim momentin e fundit me imponimet e përshpejtimit, por menjëherë tani të del et me një vizion zhvillimor i cili duhet të sqarohet me një ligj të veçantë për Trepçën dhe të jepet zhvillimi. Ky vit është pa mundësi të prolongimit sepse po them edhe njëherë, deri në nëntor nëse nuk bëhet diçka, atëherë gjithçka shkon në procedurë të likuidimit”, ka thënë për Kosovapress Tmava.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme