Google ADS

Harrohet kompensimi i qytetarëve që paguan energjinë e shpenzuar në veri

08:28 | 20 Janar 2018
Arbresh.info

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj me të përfunduar viti 2017 ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë që në afat sa më optimal të gjendet mënyra e kompensimit të qytetarëve për ngarkesën e shtuar tarifore e cila është aplikuar me vite të tëra, shkruan arbresh.info.

Kjo ngarkesë ishte aplikuar për mbulimin e humbjeve në komunat veriore.

Abresh.info ka kërkuar përgjigje nga Qeveria e Kosovës se kur pritet të fillojë ky kompensim por përgjigja e tyre e vetme ka qenë që më 5 janar të këtij viti kryeministri ka kërkuar nga ZRrE-ja, që sa më parë t’u kthehen mjetet qytetarëve të vendit të cilët kanë paguar faturat edhe për pjesën veriore.

“Më datën 5 janar 2018, kryeministri Haradinaj ka pritur në takim përfaqësuesit e Zyrës së Rregullatorit për Energji ( ZRrE),  nga të cilët ka kërkuar që ZRrE-ja të gjejë sa më parë mënyrën e kthimit të këtyre mjeteve për qytetarët e Kosovës”, ka thënë zëdhënësja e Qeverisë Donjeta Gashi.

Ndërsa kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala ka deklaruar për arbresh.info se si KMDLNj, kanë propozuar që të gjitha mjetet që u janë plaçkitur qytetarëve të pjesës tjetër të Kosovës për pjesën veriore t’u kompensohen me para.

Ai ka thënë se kjo gjë mund të bëhet përmes faturimit.

“Realisht ne kemi propozuar që të  gjitha mjetet që u janë plaçkitur qytetarëve të Kosovës duke ua faturuar rrymën të shpenzuar nga serbët në veri kjo të kompensohet me para sepse nuk ka asnjë mundësi që ato para t’u kthehen, mirëpo tu kompensohet përmes faturimit apo t’u zbritet për aq para sa u janë marrë gjatë këtyre viteve për aq para t’u zbritet shuma e shpenzuar dhe KEDS-i apo ZRrE-ja e ka marrë një vendim që 3.5 për qind e vlerës së faturës që është diçka e papërfillshme të krahasohet me plaçkitjet që janë bërë”, ka thënë Shala.

Sipas tij, vendimi i ZRrE-së, për ulje të tarifave në fatura prej 3.5 për qind është i padrejtë dhe se kjo e fundit siç thotë Shala e ka gjetur edhe mundësinë e radhës për t’i mashtruar qytetarët.

“ZRrE-ja nuk është e gatshme t’i kompensojë qytetarët për një shumë kaq të madhe të parave por thjesht e ka gjet një mundësi edhe t’i mashtrojë qytetarët që kinse po ua zbret në fatura rrymën e shpenzuar. Ky vendim është i padrejtë sepse llogaritne 100 euro një fature i bie që ta merrni faturën më 3.5 euro zbritje dhe kjo nuk është asgjë hiq nëse merret parasysh plaçkitja që iu është bërë. Qytetarët nuk duhet të pajtohen me këtë dhe duhet të organizohen të bëjnë protesta në kërkim të së drejtës që u është mohu , në kërkim të mjeteve që u janë plaçkitur”, ka pohuar Shala.

Arbresh.info gjatë gjithë javës ka pritur një përgjigje edhe nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë se kur do të fillojë kompensimin mirëpo ata nuk kanë dashur të flasin./J.Zhuniqi/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme