Qeveria federale me sa duket dëshiron ta bëjë të varur lehtësimin e mëtejshëm të masave nga zhvillimi i shifrave të infeksionit. Një takim përkatës i kryeministrave të landeve me kancelaren Angela Merkel për të diskutuar se si të procedohet është planifikuar për të mërkurën. Sidoqoftë, disa lande federale tashmë po nxitojnë me masa konkrete të veçuara, për t’u rikthyer në normalitet.
Në Bavari, qeveria e landit ka vendosur të hapë përsëri kopshtet e birrës nga data 18 maj, me kushte të caktuara.
Kryeministri Markus Söder (CSU) tha pas një mbledhjeje të kabinetit se kufizimi i mëparshëm i daljes nuk do të zbatohet më nga e mërkura.
Sipas qeverisë së shtetit, hotelet, apartamentet për pushime dhe sheshet e kampeve mund të përdoren përsëri nga data 30 maj. Edhe institucionet e kohës së lirë si kështjellat dhe parqet argëtuese mund të hapin portat e tyre. Koncepti bavarez gjithashtu siguron relaksim për shkollat, azilet dhe shitësit me pakicë.
Bavaria është landi me numrin më të madh të infektimeve me virusin Corona dhe me më shumë vdekje. Söder theksoi se kufizimet e javëve të kaluara kanë qenë një sukses i madh. “Coronavirusi është nën kontroll”, kjo bën të mundur guximin për të ndërmarrë hapa të kujdesshëm drejt hapjes.
Vendime të ndryshme
Bremen vendosi të hapë sërish sheshet e lojërave dhe muzetë. Edhe kryetari i Bashkisë së Hamburgut Peter Tschentscher (SPD) tha që Hamburgu është i gatshëm nga e mërkura të ndërmarrë “hapa më të mëdhenj” sesa kohët e fundit në sektorët e shkollave, kopshteve ditore, sporteve dhe gastronomisë. Ai mendon se hapja e hoteleve në maj është “e përfytyrueshme”.
Sipas kryeministrit Winfried Kretschmann (Të Gjelbrit), restorantet në Baden-Württemberg gjithashtu mund të shpresojnë për një rihapje së shpejti.
Nga java tjetër, sportet në natyrë pa kontakt si tenisi dhe golfi do të lejohen përsëri. Në Saksoni-Anhalt, turizmi duhet të rifillojë gradualisht nga 15 maji. Nga 22 maji, restorantet gjithashtu mund të hapen përsëri. Mecklenburg-Pomerania Perëndimore kishte vendosur që të hënën në mbrëmje që restorantet dhe baret mund të rihapen nga e shtuna. Nga data 18 maj, hotelet, pensionet dhe apartamentet e pushimeve duhet të jenë në gjendje të akomodojnë përsëri mysafirët vendas. Saksonia e Ulët kishte njoftuar më parë se do të rihapte restorantet që nga e hëna. Edhe apartamentet e pushimeve mund të përdoren përsëri.
“Mbajtja e distancës është jeta e re e përditshme”
Instituti Robert Koch (RKI) e vlerëson pozitivisht zhvillimin e numrit të infektimeve me Corona në Gjermani.
“Numri i infekstimeve të raportuara vazhdon të ulet. Ky është një lajm shumë i mirë”, tha presidenti i RKI Lothar Wieler në një konferencë shtypi në Berlin.
Në javët e kaluara, u raportuan në RKI çdo ditë midis 700 dhe 1,600 raste. Të hënën ishin 685. Shkalla e riprodhimit vlerësohet aktualisht në 0.71 – kjo do të thotë se mesatarisht jo çdo pacient me COVID-19 e kalon virusin te një person tjetër dhe se patogjeni përhapet më ngadalë.
Shumë e rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm është që të respektohen edhe më tej rregullat e distancës.
“Mbajtja e distancës është rutina e re e përditshme. Kjo me siguri do të na shoqërojë edhe për disa muaj të tjerë”, tha Wieler. /Deutsche Welle/
Jaha: Më 9 shkurt LDK-ja do të rikthehet si partia e parë në...
Katër vitamina dhe minerale të nevojshme për çdo shqiptar
“E di që do të na mungoj”, Arioni flet i përlotur pas largim...
Francë/ Teleferiku përplas stacionin e mbërritjes, 8 persona...
Gresa, Sara dhe Ana hamendësojnë për arsyen e daljes së Dian...
Kura kundër kolesterolit dhe dhimbjes së kyçeve, ja si ta pë...