Google ADS

Gjejnë zgjidhje zejtarët dhe Komuna e Prishtinës lidhur me borxhin dhe qeranë

19:27 | 25 Janar 2016
M. A.
Komuna e Prishtinës dhe zejtarët që protestuan ditë më parë kanë gjetur zgjidhje lidhur me borxhin dhe qiranë që ia detyrohen Ndërmarrjes Publike Banesore. Ata janë pajtuar që të stimulohen zejtarët dhe mos të ketë paradhënie tre-mujore të qerasë.
 Zejtarët ditë më parë kishin shprehur pakënaqësitë rreth vendimit që ishte marrë më 15 Janar të këtij viti nga Ndërmarrja Publike Banesore, që rezultonte në rritjen e qerasë për lokalet në pronësi të kësaj ndërmarrje.

banesore-250116122

Sekretari i sindikatës së zejtarëve, Agim Krasniqi u shpreh se nga takimi i mbajtur sot, u vendosën disa konkluza të cilat do të krijojnë lehtësime për zejtarët e Prishtinës të cilët janë të sistemuar në lokalet e ndërmarrjes publike banesore. Ndër të tjera ai sqaroi se zejtarët nuk do të obligohen me parapagime.

krasniqi-2501161

“Sa i përket zejtarëve, kamatat dhe tremujorshin par apagim nuk do të ketë, tani duhet t’i bëjmë disa pika për t’u marrë vesh mes veti, që të mos bëhet ky shtrenjtim i menjëhershëm, mirëpo të shkojmë me rritje graduale me një përqindje më të vogël” deklaroi Krasniqi.

Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti u shpreh se komuna do të angazhohet në krijimin e kushteve sa më të mira dhe lehtësimin e obligimeve për zejtarët qiramarrës.

Ai shtoi se komuna së bashku me Ndërmarrjen Publike Banesore do të angazhohen në kthimin e borxhit prej 5 milionë eurosh që aktualisht kanë qiramarrësit ndaj kësaj ndërmarrje.

Shpend Ahmeti ; Foto Arsim Namani (16)

“Sot i diskutuam të gjitha kërkesat një nga një të Ndërmarrjes Publike Banesore dhe u diskutuan, pse ka në disa vende ngritje të çmimeve të qerasë, pse po e luftojmë qeran mbi qera, pse po i luftojmë parregullsitë që janë akumuluar që 14 vite, si do t’i mbledhim 5 milionë euro borxh që i kanë në ndërmarrjen publike banesor qeraxinjët. Dhe erdhëm te disa konkludime, e para është se do të përpilojmë një listë të zeheve që t’i mbrojmë sepse ajo është në interes të komunës të Prishtinës, pra ta rruajmë rrobaqepësin dhe këpucëtarin, gjitha këto janë zehe të cilat duhet të mbrohen sepse janë në vdekje e sipër dhe në qoftë se nuk stimulohen nga komuna, atëherë do të jenë në vështirësi. Po ashtu, u morrëm vesh që nuk do të ketë paradhënie tre-mujore të qerasë. Do të paguhet kamata në vonesë aty ku ka”, përfundoi Ahmeti.

Drejtori i bordit të Ndërmarrjes Publike Banesore, Nexhat Kryeziu theksoi se ndërmarrja për h erë të parë ka nxjerr një rregullore për ndarjen e pasurive komerciale të dhëna me qera. Ai shtoi se kjo rregullore mundëson harmonizimin e çmimeve të qerasë, ku disa lokale rezultuan të kenë ngritje të çmimit e disa të tjera ulje të saj. Si problem ende prezent dhe që do të luftohet, është qeraja mbi qera që aktualisht po bëhet nga disa qiramarrës, të cilët shfrytëzojnë çmimin e ulët që është ofruar nga Ndërmarrja Publike Banesore.

“Është hera e parë që ndërmarrja publike banesore ka nxjerrë një rregullore për ndarjen e pasurive komerciale për dhënie me qera. Në kuadër të kësaj rregullore bordi ka autorizuar kryeshefin ekzekutiv që të bëjë harmonizimin e qerave. Në kuadër të këtij harmonizimi nuk kemi vetëm ngritje por edhe zbritje të qerave në hapësirat ekzistuese, kemi edhe lokale ku qe raja ka mbetur e njëjtë. Kështu që harmonizimi ka prekur pak edhe zejtarët, siç e tha edhe kryetari. Kështu që ne sot e gjetëm gjuhën e përbashkët, që të vazhdojmë t’i përkrahim me metodat tona dhe politikat tona zejtarët, mirëpo çështjet tjera që lidhen me parregullsitë që i kemi vërejtur për shkak të çmimit të ulët ka pas qera mbi qera, atëherë ne jemi duke adresuar secilin rast veç e veç”. tha ai.

Ndaj këtij vendimi ditë më parë ishin shprehur edhe shumë qiramarrës të tjerë të cilët, nuk vendosën të vazhdojnë më tutje me kërkesat e tyre. Ndërmarrja Publike Banesore përgjatë viteve është ballafaquar gjatë gjithë kohës me vonesën e pagesave që kanë qiramarësit ndaj saj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme