Reduktimi i shkallës së TVSH-së në disa produkte ka ndikuar negativisht në të hyrat buxhetore, mirëpo aplikimi i TVSH në barna dhe rritja e importit në këto produkte e ka kompensuar këtë humbje.
Këto të dhëna janë bërë të ditura sot nga Instituti GAP, i cili mbajti konferencën “Efektet e Ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”
Me këtë rast analisti i politikave në GAP Berat Thaçi, prezantoi të gjeturat kryesore të analizës.
Thaçi tha se përderisa TVSH është ulur në një numër të vogël produktesh, ajo është ngritur për 18 përqind në shumicën e produkteve dhe kjo ka pasur ndikim pozitiv në të hyrat doganore.
Nga kjo rritje e TVSH-së , sipas Thaçit Dogana e Kosovës ka mbledhur mesatarisht 4.5 milionë euro më shumë në periudhën janar-gusht 2016 sesa në periudhën janar-gusht 2016.
“Qeveria e Kosovës e ka ulë në një pjesë të vogël të produkteve të konsumit, kryesisht produkte ushqimore dhe shërbime publike e ka ulë TVSH-në nga 16 përqind në 8 përqind që nëse e shohim efektet në të hyrat buxhetore të Doganës atëherë shohim se ky ndryshim nuk i ka ndikuar të hyrat e Doganës. Kjo për arsye se importi në këto produkte do të thotë, në të cilat është ulur TVSH-ja është rritur dukshëm dhe njëkohësisht humbja është kompensuar me aplikimin e TVSH-së prej 8 përqind në barna. Siç e dimë para hyrjes së këtij ligi në fuqi TVSH në barna ka qenë 0 përqind dhe me hyrjen e këtij ligji është aplikuar TVSH prej 8 përqind. Pra falë këtyre dy faktorëve siç është rritja e importit në produkte në të cilat është ulur TVSh-ja dhe aplikimi i TVSH-së në barna të hyrat e Doganës nuk janë ndikuar nga kjo ulje e TVSH-së”, tha Thaçi.
Po ashtu, Thaçi tha se rritja e TVSH-së nga 16 në 18 përqind ka pasur ndikim pozitiv ku Dogana e Kosovës ka mbledhur rreth 68 milionë euro më shumë.
“Si pasojë e rritjes së TVSH-së nga 16 në 18 përqind Dogana ka mbledhur rreth 68 milionë euro më shumë në periudhën janar- gusht 2016 krahasuar me vitin e kaluar. Pra, në rast se vazhdon ky trend i importit vetëm brenda këtij vitit Dogana do të mbledhë rreth 54 milionë euro më shumë vetëm nga rritja e TVSH-së. Natyrisht kjo do të thotë se të hyrat do të financohen nga buxheti i qytetarëve dhe me fjalë të tjera buxheti i Kosovës do të rritet mirëpo buxheti i qytetarëve do të varfërohet dhe tek e fundit ky ka qenë njëra prej qëllimeve të kësaj reforme për arsye se është dashur të mbushen zbrazëtitë në buxhet nga shpenzimet qoftë në autostradën Prishtinë-Shkup qoftë me rritjen para elektorale të pagave e cila ka ndodhur gjatë qeverisjes së kaluar” ka thënë Thaçi.
Një ndikim tjetër pozitiv që ka prodhuar rritja e TVSH-së, sipas Thaçit është edhe rritja e të hyrave të ATK-së, ku vetëm përgjatë periudhës shtator- dhjetor 2015 ATK ka mbledhur rreth 6.5 milionë euro më shumë të hyra nga produktet në të cilat është aplikuar TVSH-ja e ngritur.
Po ashtu, Thaçi tha se aspekt tjetër me rëndësi i ndryshimeve tek ligji mbi Tatimin mbi Vlerën e Shtuar janë edhe ndryshimet të cilat e prekin në mënyrë direkte bizneset, por që natyrisht pastaj edhe qytetarët sepse këto ndryshime mund të kenë efekt me të madhe në punësim apo potencialisht në rritje të eksportit.
“Bizneset i kanë mirëpritur ndryshimet që kanë ardhur me ndryshimin e TVSH-së në lëndën e parë, makineri prodhuese dhe pajisje të teknologjisë informative. Vlen të përmendet se largimi i TVSH-së në lëndën e parë nuk e ka ndikuar buxhetin ajo vetëm do të thotë është bartur në kohë si pagesë, mirëpo nuk ka pasur ndonjë efekt në rënien e të hyrave buxhetore, deri në shtator të vitit 2016 Dogana e Kosovës ka larguar nga TVSH në lëndën e parë makineritë prodhuese dhe teknologjitë informative produkte me vlerë rreth 15 milionë euro TVSH”, shtoi Thaçi.
Në fund, ai prezantoi edhe rekomandimet e dala nga kjo analizë ku GAP rekomandon se krahas uljes së TVSH-së për disa produkte dhe shërbime, Ministria e Financave duhet të paraqesë lehtësime direkte tatimore për qytetarët si masa më efektive për rishpërndarjen e të hyrave; Ministria e Financave të fillojë lirimin gradual nga taksa doganore të lëndës së parë si dhe të ndajë buxhet për rritje të numrit të inspektorëve dhe trajnimeve për ATK-në si masë për uljen e informalitetit
Sara dhuron spektakël, realizon vallëzim si dënim nga Xuxi
Akuzat e Pecit, Pacolli: Dikur mbante bluzën me emrin e firm...
A do ta ndaje ndonjërën prej banoreve nga partneri i saj bre...
Tare: Sjellja e futbollistëve të Kosovës tejet dinjitoze
Zarfi ngjyrë hiri shfaqet në ekran – banorët nisin hamendësi...
Papa ‘bekon’ lumturimin e 2 martirëve të krishterë në Shkodë...