Më 31 tetor të këtij viti, Qeveria e Kosovës aprovoi Projektligjin për buxhetin 2018, që ishte edhe afati i fundit bazuar në nenin 22 të Ligjit për financat publike dhe përgjegjësitë (LFPP).
Tani, projektligji është miratuar në leximin e parë në Kuvendin e Kosovës. Instituti GAP ka analizuar shpërndarjen aktuale të projektbuxhetit në kategoritë kryesore duke u fokusuar në përparësitë dhe sfidat e tij.
Në vitin 2018, të hyrat buxhetore pritet të jenë rreth 1 miliard e 829 milionë euro, që janë rreth 6% më të larta se në vitin 2017; ndërsa shpenzimet afro 2 miliardë e 82 milionë euro, apo rreth 15% më shumë se në vitin paraprak.
GAP thekson se diferenca në mes të shpenzimeve dhe të hyrave planifikohet të mbulohet kryesisht nga huamarrja dhe përdorimi i fondeve të likuidimit të Agjencionit Kosovar të Privatizimit (AKP).
Pjesa më e madhe e buxhetit do të shpërndahet në kategoritë si shpenzimet kapitale (33%), pagat dhe mëditjet (28%) dhe subvencionet dhe transferet (25%). Për dallim nga 2016 (60%) dhe 2017 (59%), në 2018 përqindja e buxhetit e destinuar për paga dhe subvencione është zvogëluar (53.9%).
Ndërsa, për pjesën e të hyrave, rritjen më të madhe pritet ta ketë kategoria e të hyrave tatimore, konkretisht tatimet indirekte, me afro 87 milionë euro (6.8%) më shumë se në vitin 2017. Nga 819 milionë të hyra nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) apo 71 milionë euro më shumë se në vitin 2017, mbi 75% pritet të burojnë nga TVSH e mbledhur në kufi (616 milionë euro).
GAP konsideron se një projeksion i tillë (rritës) i TVSH-së së mbledhur në kufi tregon varësinë e të hyrave buxhetore nga tregtia, gjegjësisht rritjes së importit të mallrave nga vendet tjera dhe ngecjes në ngritjen e kapaciteteve prodhuese brenda vendit.
Buxheti i komunave sipas Projektbuxhetit 2018 pritet të jetë rreth 50 milionë euro më i lartë se në vitin paraprak (gjithsej 491 milionë euro).
Nga komunat e mëdha, rritjen më të madhe të buxhetit për vitin 2018 pritet ta kenë komuna e Prishtinës (nga 62.3 në 72.3 milionë euro) dhe ajo e Prizrenit (nga 38.8 në 45.1 milionë euro) me nga 16%.
Burimet e rritjes së buxhetit për Prishtinën do të jenë të hyrat vetanake dhe transferet qeveritare, ndërsa për Prizrenin burim i tretë do të jetë edhe huamarrja (500 mijë euro).
Ndërsa, komunës së Lipjanit, Suharekës dhe Kamenicës nuk do t’u ndryshojë buxheti nga ai i vitit 2017, për shkak se kuvendet komunale të këtyre tri komunave kanë dështuar ta aprovojnë buxhetin komunal për 2018.
Krahasuar me 2017, kategoria e mallrave dhe shërbimeve nga buxheti i komunave sipas GAP është rritur për 43%, ndërsa ajo e investimeve kapitale për 13%.
Rritje të shpenzimeve në kategorinë e mallrave kanë thuajse tërë komunat, por më të veçuara nga komunat e mëdha mbeten ajo a Prishtinës dhe e Prizrenit me rritje prej afro 70%.
Konkretisht, shpenzimet e komunës së Prishtinës në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve do të rriten nga 7.9 milionë (2017) në 13.4 milionë euro (2018), ndërsa ato të komunës së Prizrenit nga 3.4 milionë (2017) në 5.8 milionë euro (2018).
Në projektligjin e buxhetit 2018 vërehet një rritje në shumën e ndarë për kategorinë e pagave dhe mëditjeve prej 4.1% (nga 566 në 589.4 milionë euro), që është në vijë me nenin 22/C të LFPP-së i cili kufizon rritjen e pagave në sektorin publik bazuar në rritjen nominale të Bruto Produktit Vendor (BPV) të vitit 2016.
Mirëpo, nuk është alokuar buxhet për mbulimin e kostos së punëtorëve të rinj potencial edhe pse Ministria e Financave ka rritur tavanin për numrin e punëtorëve në shumë institucione në këtë projektligj, ku numri total është rritur për mbi 1,000 punonjës.
Akomodimi i punonjësve të rinj potencial mund të behët vetëm nëse ndodh rritja e pagave bazuar në performancën e shërbyesve civil dhe jo rritje e pagave për tërë shërbyesit civil në sektorin publik. Rritja e pagës bazuar në performancën e shërbyesve civil është cekur më herët edhe nga vetë ministri i Financave, z. Bedri Hamza.
Kurse, përkundër premtimit të Qeverisë për rritje të buxhetit për Skemën e Ndihmës Sociale për 20%, projektligji për buxhetin e 2018 parasheh rritje prej vetëm 15%; nga 27.4 në 31.4 milionë euro. Por, edhe një rritje e tillë është e pamjaftueshme që përfituesit e ndihmës sociale t’i ikin pragut të varfërisë së skajshme.
Konkretisht, me këtë rritje prej 15%, shuma që do të marrin përfituesit arrin të mbulojë vetëm 61% të shumës së nevojshme për t’i ikur pragut të varfërisë së skajshme.
“Për shkak të planifikimit për trefishim të bilancit negativ buxhetor (primar) krahasuar me vitin paraprak, ku shpenzimet pritet të tejkalojnë të hyrat buxhetore për 253 milionë euro, shumica e institucioneve do të kenë rritje të buxhetit.”
“Por, çuditërisht shkurtim buxhetor do të pësojnë dy nën- programe vitale në fushën e arsimit ajo për Trajnimin e mësuesve, që në 2018 pritet t’i ulet buxheti për 46%, dhe ajo për Zhvillimin e planprogramit në arsimin parauniversitar, që pritet të ketë buxhet më të vogël për 29%”, thekson GAP.
GAP thekson se në vitin 2017, Kosova u rangua e fundit në rajon dhe nga pesë të fundit në botë nga vlerësimi ndërkombëtar në fushën e arsimit, PISA, ku nxënësit 15 vjeçar performuan shumë dobët në të gjitha lëmitë. Në këto rrethana, qeveria do të duhej të bënte reforma në arsim duke tentuar që ta rrisë cilësinë e mësimdhënies dhe ndryshojë planprogramet.
Në vitin 2017, shumica e fondeve të huaja në fushën e arsimit në Kosovë kanë qenë të orientuara pikërisht në përditësimin dhe ndryshimin e planprogrameve. Mirëpo, Qeveria e Kosovës ka vendosur ta bëjë pikërisht të kundërtën duke i neglizhuar këto nën- programe buxhetore.
Për më shumë, shuma që shpenzon Kosova akutalisht për nxënës është sa 10% e asaj që shpenzon Sllovenia dhe shumë më pak se ajo që shpenzojnë vendet si Kroacia, Republika Çeke, etj.
Në buxhetin e vitit 2018, kategoria e shpenzimeve kapitale do të ketë rritjen më të madhe, rreth 37%.
Ministria e Infrastrukurës do të menaxhojë me 43% të buxhetit të Kosovës të orientuar për shpenzime kapitale (295 milionë euro). Thuajse i tërë buxheti i kësaj ministrie është planifikuar të shkojë në shtrimin dhe ndërtimin e rrugëve.
Në këtë pikë, është e vështirë të provohet edhe ndikimi në zhvillimin ekonomik i 47 nga 57 milionët që do të merr kjo ministri në 2018 nga klauzola e investimeve për t’i drejtuar po ashtu për asfalt, pasi që asnjëherë nuk është bërë një vlerësim në Kosovë rreth ndikimit ekonomik të investimeve në infrastrukturë.
Gjithsej, afro 137 milionë euro të bartura nga viti 2017 do të shkojnë vetëm për austostradat Prishtinë-Han i Elezit (77.9 milionë euro) dhe Prishtinë- Gjilan-Konqul (59.1 milionë euro).
Ndërsa, dy ministritë e reja të formuara në vitin 2017, Ministria e Zhvillimit Rajonal dhe ajo e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, gjatë vitit 2018 do të menaxhojnë me 4 dhe 9.8 milionë euro, respektivisht.
Krahas Ministrisë së Infrastrukturës, pjesë të konsiderueshme të buxhetit të destinuar për shpenzime kapitale do të kenë dhe institucionet tjera sikurse Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Ministria e Arsimit (MASHT), Ministria e Kulturës (MKRS), etj.
Për dallim nga 2017, rritjen më të madhe të buxhetit në këtë kategori në 2018 do ta kenë Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës (13 milionë euro), MMPH (10 milionë euro), MASHT (9 milionë euro) dhe MKRS (8 milionë euro). Këto të dhëna tregojnë në një aspekt se sektorët me rëndësi të veçantë në zhvillimin ekonomik sipas qeverisë aktuale janë infrastruktura, mjedisi dhe kultura.
Sa i përket adresimit të rekomandimeve të raportit të fundit të Komisionit Evropian (2016) për Kosovën, vërehet që në disa institucione apo departamente nuk ka rritje të kapaciteteve njerëzore në vijë me rekomandimet në fjalë.
Nga të dhënat buxhetore për kategorinë e pagave sipas GAP vërehet se dallimi në ndarjen e buxhetit për disa institucione apo departamente në mes të vitit 2016 dhe 2018, sikurse Zyra e Rregullatorit për Energji apo Inspektorati i Punës, është shumë i vogël. Kjo i bie se në 2018 ka hapësirë buxhetore për punësim të vetëm 3-4 punëtorëve më shumë nga aq sa ishin në 2016.
Ndërsa, për Agjencinë për Pronësi Industriale dhe atë për Efiçiencë të Energjisë nuk ka hapësirë buxhetore për rritjen e kapaciteteve njerëzore krahasuar me 2016, marrë parasysh se buxheti i 2018 përfshin edhe rritjen e pagave për punonjësit aktual.
Ndërsa, siç edhe dallohet nga grafi i poshtëm buxheti për paga për prokurorët special është edhe më i vogël se sa në 2016, që potencialisht nënkupton shkurtim dhe jo rritje të stafit në këtë departament, e që është në kundërshtim me rekomandimin që adreson raporti i Komisionit Evropian.
Burimi pyet Sarën: A ishte mërzit nëse dal sonte?
Rohde përgëzon policinë e Kosovës dhe atë gjermane për aksio...
Haradinaj: Rinia e Aleancës është e përgatitur të jetë shtyl...
Maqedonci falënderon ushtarët amerikanë për punën e tyre për...
LDK njofton se “Turneu i Ndryshimit” do të mbahe...
Ukraina do t’i kërkojë NATO-s ftesë për anëtarësim javën e a...