Google ADS

Fondi për garanci kreditore për 6 vjet, 20 mijë të punësuar

13:29 | 17 Qershor 2015
Arbresh.info

Ministrja e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami tha se me Fondin Kosovar për Garanci Kreditore do të përmirësohet ambienti i biznesit.

Bajrami po ashtu tha se me këtë Fond do të zvogëlohen barrierat e krijuara ndër vite për marrjen e kredive, dhe se brenda 6 viteve nga kreditë që do të përfitohen, krijohet mundësia për shtimin e 20 mijë vendeve të reja të punës.

Sipas saj me këtë Fond do të ketë zbritje të kolateralit prej 50 përqind, për çka tha se shpreson në reflektimin e institucioneve bankare, të cilat pas kësaj ulje të rrezikut për 50 përqind të ulin edhe normat e larta të interesit.

“Për shkak të rrezikut të madh të perceptuar bankat siç e dini kanë procedura shumë të mëdha burokratike, kanë kolateral shumë të madh në shuma financiare të cilat kërkojnë, dhe kanë interesa të mëdha të cilat janë pothuajse të papërballueshme për ndërmarr jet mikro, të mesme dhe të vogla… Fondi fillimisht do e mobilojë 50 përqind të kolateralit, i cili në mënyrë automatike do e zbrit për 50 përqind të rrezikut për bankat dhe ne besojmë institucionet bankare dhe ato jo bankare dhe mikrofinanciare do të reflektojnë në uljen e këtij rreziku prej 50 përqind dhe sigurisht do të ulin edhe sigurisht do të ulin edhe normat e interesit”, tha Bajrami.

Ministrja Bajrami theksoi se njëra ndër arsyet për themelimin e këtij Fondi është fakti se donatorët ndërkombëtarë për themelimin e këtij Fondi janë zotuar të japin mbi 18 milionë euro.

Sipas saj zvarritja e themelimit të këtij Fondi do të shtonte mundësi që Qeveria të humbasë fondet e donatorëve të cilat sipas saj ka mundësi që një vit më pas të mos ishin në dispozicion.

Bajrami tha se qëllimi kryesor i këtij Fondi është që të mbulojë diku rreth 50 përqind të kolateralit mirëpo ky nuk do të jetë qëllimi i vetëm, mundësia do të jetë e hapur që në të ardhmen në bazë të kërkesave të Qeverisë dhe mbështetjes financiare nga ana e saj të kryejë edhe shërbime të tjera financiare.

“Ky fond prej rreth 20 milionë eurove me kapital fillestar llogaritet që diku në gjashtë vitet e para do e rrisë mundësinë për kredi të reja rreth 360 milionë euro dhe pritet që nga këto 360 milionë hua të reja mund të krijohen deri në 20 mijë vende të reja të punës”, tha Bajrami.

Qeveria sipas saj është zotuar të ndaj 1 milion euro për këtë fond, i cili do të jetë një institucion i pavarur.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme