Me nënshkrimin e Marrëveshjes për Energji në mes të Kryeministrit të Kosovës dhe atij të Serbisë nën ndërmjetësimin e Komisionit Evropian në shtator 2013, e cila rezultoi edhe me nënshkrimin e Marrëveshjes për Operim (inter-TSO Agreement) në mes të Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe Operatorit të Sistemit të Transmisionit të Serbisë (EMS) në shtator të vitit 2014, u krijuan kushtet për fillimin e procesit të anëtarësimit të KOSTT në mekanizmat ndërkombëtar relevant siç është ENTSO-E (European Network Transmission System Operators-Electricity).
Pas aktiviteteve intenzive ndërmjet grupeve punuese të expertëve të KOSTT dhe të organizatës së Operatorëve Evropian të Sistemit të Transmisionit të energjisë elektrike (ENTSO-E), tashmë KOSTT është në proces të themelimit dhe operimit si zonë/bllok kontrollues i pavarur në kuadër të Zonës Sinkrone të Evropës Kontinentale. Operimi i pavarur i KOSTT si zonë/bllok rregullues pritet të jetësohet me nënshkrimin e Marrëveshjes për Kyçje i cili është edhe hapi i parë drejt anëtarësimit në ENTSO-E.
Përkundër vështirësive që bëhen nga Operatori i Transmisionit të Serbisë (EMS) në proces, KOSTT dhe grupi punues i ENTSO-E janë duke punuar në procesin e vlerësimit të përmbushjes së standardeve teknike të operimit nga ana e KOSTT-it për operim si zonë/bllok i pavarur kontrollues.
Vlerësimi i përmbushjes së standardeve do t’i nënshtrohet një monitorimi gjatë muajve Gusht dhe Shtator dhe si kërkesë do të kenë regjime operimi që i nënshtrohen kritereve më të larta.
Gjatë këtyre regjimeve të operimit mund të paraqiten eventualisht edhe kufizime të furnizimit që mund të instruktohen nga KOSTT dhe për këtë paraprakisht kërkojmë mirëkuptimin e konsumatorëve.
E njoftojmë publikun se tërë procesi është i koordinuar nga MZHE dhe akterët implementues përveç KOSTT janë edhe ZRRE,KEK dhe KEDS.
Në anën tjetër, KOSTT në koordinim me të gjitha palët relevante në sektorin e energjisë elektrike në Kosovë, janë duke punuar në vazhdimësi për operimin dhe balancimin e Sistemit Elektroenergjetik sipas kërkesave dhe standardeve të ENTSO-E. Njohja e KOSTT si zonë rregulluese e pavarur do të sjellë benefite si dhe obligime për të gjitha palët e sektorit të energjisë elektrike në vend.
Me finalizimin e këtij procesi, KOSTT do të mund të ushtroj mandatin e plotë si Operator i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Republikës së Kosovës. Me këtë, KOSTT do të bëjë alokimin e kapaciteteve interkonektive (linjat ndërshtetërore), do të realizojë të hyrat nga transiti i energjisë elektrike nëpër rrjetin transmetues të Kosovës dhe do të kompensohet për humbjet në rrjetin horizontal të transmetimit të energjisë elektrike. Këto çështje të cilat kanë qenë të hapura tashmë disa vite, përfundimisht do të rezultojnë me përfitim edhe për konsumatorët e energjisë elektrike të Kosovës përmes tarifave të energjisë elektrike.
MINT prezanton thirrjet për aplikim në kuadër të Fondit të S...
Sot nis ndërtimi i Parkut Industrial në Drenas, marrin pjesë...
Mo Salah bëri histori me fanellën e Liverpoolit pas dy golav...
Rama ndan fotografitë e një dite kuq e zi në Londër
Të paktën një i vdekur pas rrëzimit të një avioni mallrash n...
Media spanjolle: Vizitoni Shqipërinë për Krishtlindje, një p...