Fermeri nga Podujeva: MBPZHR-ja manipuloi me mua, po më kërkon t’ia kthej rreth 10 mijë euro (Dokument)

16:15 | 20 Korrik 2015
Arbresh.info

Nexhmi Hyseni, një fermer në sektorin e qumështit nga fshati Batllavë e Podujevës i cili ka përfituar nga fondet përkrahëse të Ministrisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë tri vite radhazi tani është në probleme me këtë ministri dhe me Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë e cila vepron në kuadër të kësaj ministrie.

Ai akuzon Ministrinë e Bujqësisë se ka manipuluar me të përmes një konkursi të shpallur për fermerët për të përfituar mbështetje financiare i cili është publikuar në shtypin ditor më 13 shkurt 2013.

Nexhmi Hyseni

 Fermeri Nexhmi Hyseni

Në vitin 2013 ky fermer ka përfituar një grant në vlerë prej 43 mijë e 76 euro për të blerë mekanizëm bujqësor dhe duke shfrytëzuar këto mjete ai ka blerë një traktor me specifika të veçanta të caktuara në konkursin e shpallur nga MBPZHR-ja në vlerë prej 40 mijë e 500 euro.

Hyseni ka shpjeguar për arbresh.info se kur është shpallur konkursi për përfitim, kusht ka qenë që të blihen traktor të mesëm me fuqi deri në 75 kW dhe të mëdhenj mbi 100 kW mirëpo më vonë pa asnjë konkurs tjetër është caktuar që të blihen vetëm traktor me fuqi mbi 75 kW.

Po ashtu edhe afati i realizimit të projektit i shpallur në konkurs ka qenë 90 ditë nga data e aprovimit të projektit mirëpo më pas ky afat është shkurtuar në 30 ditë.

fermeri 4

Fermeri (3)

Hyseni ka përfituar nga ky konkurs dhe bazuar në kushtet e caktuara, ai ka blerë traktor nga kompania “AgroDrinia” në Prizren në vlerë prej 40 mijë e 500 euro.

Mirëpo pasi atij i është miratuar projekti me këtë çmim të traktorit dhe i ka investuar mjetet e fituara, i ka ardhur një shkresë nga Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë përmes së cilës i kërkohet atij që te kthejë një pjesë të mjeteve për shkak të rikalkulimit të pagesave për traktor sipas listës së re të çmimeve.

“Me kërkesën e Divizionit të Autorizimit të Pagesave në AZHB, për kthimin e mjeteve financiare të fituara nga AZHB, për shkak të rikalkulimit të pagesave për traktor sipas listës së re të çmimeve kërkojmë nga ju që mjetet e fituara të projektit “Ristrukturim të potencialit fizik në sektorin Agro-Rural” -Mekanizëm në vlerë prej 51.872 euro ku sipas çmimorës së re ju duhet t’i ktheni shumën në vlerë prej 9.630.00 euro…Në rast se nuk kthehen mjetet financiare brenda afatit 5 ditë pune jemi të detyruar të fillojmë procedurat gjyqësore sipas ligjit në fuqi”, thuhet në shkresën e AZHB-së të datës 14 mars 2014.

Fermeri (1)

Hyseni konsideron se nuk është e drejtë kërkesa e AZHB-së duke insistuar që traktorin e ka paguar 40 mijë e 500 euro duke marrë borxh dhe hua në bankë për çka ende është duke paguar këste pasi mjetet nuk i ishin dhënë me kohë.

“Në kuadër të kësaj shpallje afati i aplikimit ka qenë 45 ditë dhe ata kanë manipuluar këtë afat duke e vazhduar edhe më tutje e tani po e kuptoj që qëllimi i shtyrjes së këtij afati ka qenë manipulimi, gjithashtu afati i realizimit të projektit ka qenë për 90 ditë dhe ata e kanë reduktuar në 30 ditë. Gjatë këtij 30 ditëshi asnjë traktor me specifikime teknike të përcaktuara në kuadër të Planit të Biznesit nuk ka qenë prezent në tregun e Kosovës dhe kjo mund të vërtetohet në evidenca doganore dhe interesimi për të siguruar nga vendet që prodhojnë traktorë me kapacitete të tilla ka qenë e pamundur të sigurohet nëse porosia nuk është bërë 90 ditë më parë”, është shprehur Hyseni.

Meqenëse Hyseni nuk i ka kthyer mjetet e kërkuara nga AZHB-ja, atij i ka ardhur një vendim nga po kjo agjenci më 25 mars 2014 përmes së cilit përjashtohet nga të gjitha programet përkrahëse për tri vitet e ardhshme dhe po ashtu më vonë është ngritur edhe padi civile ndaj tij.

“Për shkak se nuk ju ka përgjigjur Kërkesës për kthimin e mjeteve të bëra me Kërkesën e Divizionit për Autorizimin e Pagesave…përveç obligimit të kthimit të mjeteve aplikuesi përjashtohet nga programet përkrahëse deri në tri vite”, thuhet në këtë vendim.

Fermeri (2)

Fermerit Hyseni i është refuzuar edhe gjatë vitit 2015 mbështetja financiare për përkrahje në Bujqësi me arsyetimin se nuk i plotëson kushtet e Udhëzimit Administrativ për masat dhe kriteret e përkrahjes në bujqësi.

“Gjatë kontrollës administrative të dokumentacionit të aplikuesit Nexhmi Hyseni është konstatuar se aplikuesi nuk e kalon pragun e pranueshmërisë së aplikacioneve duke u bazuar në Udhëzimin Administrativ Nr.05/2014 për masat dhe kriteret e përkrahjes për bujqësi dhe zhvillimin rural për bujqësi për vitin 2014 i cili merr vendim për refuzimin për tri vite nga përkrahja publike”, thuhet në këtë vendim të AZHB-s të datës 1 qershor 2015.

Në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural thonë se ata nuk janë kompetent për të folur për këtë por AZHB-ja.

“Ministria nuk është kompetent të flasë për këtë rast, meqë është Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë, qe implementon programin dhe i adreson krejt këto. Ju lutem, drejtoni ne AZHB”, ka qenë përgjigja përmes postës elektronike e zëdhënësit të kësaj ministrie Shkëlzen Dragaj.

Ndërkaq, në AZHB nuk i janë përgjigjur kërkesës së arbresh.info për të dhënë sqarime në lidhje me këtë problematikë.

Redaksia ka kontaktuar njërin prej zyrtarëve të lartë në këtë agjenci për të marrë një prononcim mirëpo ai ka kërkuar që t’i drejtohemi kryeshefit ekzekutiv Elhami Hajdari mirëpo as ky i fundit nuk i është përgjigjur kërkesës sonë.

I ndodhur përballë gjithë kësaj situate, Nexhmi Hyseni thotë se ndihet tejet i zhgënjyer duke pasur parasysh se ai është kthyer nga Gjermania për të zhvilluar bujqësinë në Kosovë dhe tani akuzohet për mashtrim dhe manipulim nga Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë.

Ai thotë se as në Ministrinë e Bujqësisë e as në AZHB nuk po i japin sqarime se çka është duke ndodhur.

“Unë as nuk dua dëmshpërblim as diçka tjetër, vetëm dua që ata me dal nëpërmjet mjeteve të informimit dhe me informu se Nexhmi Hyseni nuk e ka keqpërdorur buxhetin e shtetit të Kosovës. Krejt grantet që i kam përfituar jam i gatshëm t’i kthejë mirëpo dua që emri të më hiqet nga lista e keqpërdoruesve të buxhetit. Akuzë më e rëndë se për një fermer që zgjohet në ora 05:00 të mëngjesit dhe qëndron deri në 10:00 duke punuar nuk ka”, është shprehur ai./F.Gashi-Mehmeti/arbresh.info.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme