Emërimet e parregullta e bonuset ndaj vetës shkarkuan kryeshefin dhe bordin e KEK-ut

09:21 | 27 Prill 2020
Arbresh.info

Bordi i ri i Korporatës Elektroenergjetike e Kosovës ka shkarkuar kryeshefin, Njazi Thaçi dhe zëvendëskryeshefin e ndërmarrjes.

E Qeveria e Kosovës ka njoftuar se dy zyrtarët dhe bordi i shkarkuar mbajnë përgjegjësi për disa gjetje në KEK, shkruan arbresh.info.

Aty përmenden ndarja e bonuseve, shpenzimet e paplanifikuara, shkeljet në punësim etj.

Më poshtë mund t’i gjeni të plota shkeljet sipas Qeverisë.

Bordi i ri ka shkarkuar kryeshefin dhe zëvendëskryeshefin. Ka emëruar ushtrues dety­re të kryeshefit z. Luigj Ymeri, drejtor i termocentralit Kosova B. Në ndërmarrje kemi identifikuar këto gjetje, për të cilat përgjegjësinë e ndajnë bordi i shkarkuar dhe dy ish-zyrtarët e lartë tashmë të shkarkuar:

  • Bonuset në kundërshtim me vendimin e Ministrit — Më 2017, ministri i Zhvillimit Ekonomik ka ndaluar dhënien e bonuseve për bordet e ndërmarrjeve publike. Por bordi i KEK-ut ka vendosur t’i ndajë vetes bonuse. Për më tepër, në vitin 2019 ka përcaktuar kriteret për t’ia vlerësuar vetes punën që ka bërë më 2018. Vendimet e bordit pra janë jo vetëm të paligjshme, por të turpshme.
  • Shpenzime të paplanifikuara, problemet në prokurim — Në vazhdimësi ka probleme me tenderët. Një nga shembujt më të fundit është kontrata mbi 1-milionëshe e skanimit: Në dhjetor të vitit të kaluar, KEK-u ka lidhur kontratë me vlerë mbi 1 milion euro për të digjitalizuar dokumente. Kontrata s’ka qenë fare e paraparë në planin e biznesit.
  • Shkeljet në punësim

◦     Nepotizmi — Listat e të punësuarve në ndërmarrje dëftojnë për parregullsi dhe nepo­ti­zëm në procedura të rekrutimit. Anëtarët e bordit kanë arritur të punësojnë të afër­mit e tyre në pozita të rën­dë­sishme në menaxhment.

◦     Dyfishimi i pozitave — Për të mundësuar punësime të reja, ndërmarrja ka dy­fi­shuar pozitat dhe njësitë administrative pa arsye e pa ecuri të ligjshme. Janë emëruar pa konkurs zyrtarë në sa e sa pozita të rëndësishme.

◦     Emërimet e gradime të parregullta — P.sh., është emëruar zyrtari i auditi­mit të brend­shëm pa qenë fare kontabilist i certi­fi­ku­ar, siç kërkohet me ligj.

◦     Punësimi i pensionistëve — KEK-u ka punësuar kundërligjshëm persona mbi moshën 65-vjeçare të pen­si­o­nimit dhe i ka mbajtur në punë për vite të tëra. Rrje­dhimisht, ka shkaktuar dëm që kalon vlerën 270 mijë euro. Bordi nuk ka ndër­marrë veprime konform ligjit për të trajtuar këtë çështje.

◦     Diskriminimi në paga — Struktura e pagave është përpiluar sipas perso­nave, jo pozitave. Ka punonjës që paguhen dyfish sa eprori.

◦     Keqpërdorimet me pagat jubilare — Ndërmarrja nuk u ka paguar puno­njës­ve të vet pagat jubilare që u takojnë, duke shkaktuar konteste të kush­tuesh­me në gjy­kata. Por në prag të zgjedh­je­ve, ndërmarrja u ka dhënë pagë jubi­la­re puno­njës­ve që nuk kanë pasur këtë të drejtë, dhe kështu ka shkak­tuar padi për diskriminim dhe shpenzime shtesë të pro­cedurave gjyqësore.

  • Keqmenaxhimi i pronës dhe shkelje të tjera

◦     Vonesat në shpronësime — Shkaku i mosveprimit dhe mosbashkëpunimit me komunën, ndërmarrja shpronëson ngastra pasi ato të jenë mbushur me ndërtesa spekulative, që s’kanë qëllim tjetër pos të përfitojnë nga kompen­simi për shpro­nësim. Kostoja e shpronësimit në dy projekte të fundit, për sipër­faqe prej rreth 170 hektarësh, pritet të tejkalojë 50 milionë euro.

◦     Rreziku nga kërkesat ligjore — KEK-u përballet me rreth 20 milionë euro kër­kesa ligjore, si pasojë e keq­me­naxhimit. Një pjesë e këtyre kërkesave rrezikojnë arbitrazhin, që mund të përcillet me kosto dhe ndëshkime shtesë. Në një tjetër rast, ndërmarrja nuk ka filluar me kohë dhe nuk ka vazhduar arbit­ra­zhin për borxhin në lartësi 4,5 milionë euro që një ope­ra­tor privat i ka KEK-ut nga viti 2013.

◦     Keqmenaxhimi i financave — Ndërmarrja i është detyruar rreth 11 mili­onë euro ndëshkime Administratës Tatimore të Kosovës. 6 milionë dyshohet se janë ndë­sh­ki­me e gjoba vetëm për shkak të moskomunikimit dhe shpër­filljes së rasteve prej për­fa­qësuesve të KEK-ut.

◦     Shpenzime të tjera — Ndërmarrja ka blerë pa nevojë mbi 20 vetura, ka paguar për shërbime të kontraktuara pa procedura ligjore, dhe ka lidhur kontrata për shit­blerje të energjisë me operatorë që dyshohen të jenë rremë. Në fund, u janë dhënë bonuse menaxhmentit dhe auditorëve, si nxitje për të mos audituar menaxhmentin.

  • Aktakuza ndaj drejtorit — Në prill 2020, Prokuroria Speciale ka ngritur akt­akuzë ndaj anëtarit të bordit të shkarkuar dhe disa zyrta­rë­ve të lartë të KEK-ut për veprën penale keqpërdorim i detyrës zyr­tare në lidhje me pro­nën e ndër­marrjes. Dëmi i shkaktuar sipas aktakuzës është rreth 12 milionë euro”, thuhet në komunikatë./arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme