Ekspertët rekomandojnë me mbjelljen e grurit, pavarësisht që ka kaluar koha optimale e mbjelljes

10:43 | 8 Nëntor 2016
Arbresh.info

 

Kultivuesit e kulturave lavërtare, ka kohë që kanë filluar mbjelljen e kulturave lavërtare, ku deri më tani fermerët kanë mbjellë sipërfaqet e planifikuara të tokës me grurë. Por, siç është fillimi me kohë i mbjelljes së grurit ashtu duhet të jetë edhe fundi i mbjelljes së kësaj kulture bujqësore. Edhe pse koha e cila po mbretëron në Kosovë është përgjithësisht e mirë, nuk ka ngrica dhe kjo ka bërë që edhe mbjellja e grurit të shtyhet deri në kohën e përshtatshme që sipas ekspertëve deri me 15 nëntor apo edhe deri në fund të viti.

Po ashtu ekspertët këshillojnë që në rast të zgjatjes së periudhës së mbjelljes, fermerët duhet të kenë kujdes që të shtojnë sasinë e farës dhe plehut të hedhur për të pasur një realizim sa më të mirë të këtyre mbjelljeve.

Drejtor i Departamentit për Politika Bujqësore dhe Tregje z. Isuf Cikaqi për portalin “bujqësia.org” u shpreh: “Bazuar në kushtet agroklimatike që ka Kosova si afat optimal për mbjelljen e grurit mund të konsiderohet deri në mesin e nëntorit. Megjithatë mbjellja mund të vazhdoj deri në fund të muajit nëntor pa asnjë problem, por me kujdes që mbas afatit optimal duhet të rritet sasia e farës se hedhur për mbjelle diku rreth 10%.”

Më tej z. Cikaqi shtoi: “Sipas informacioneve nga tereni mbjellja është duke u realizuar me intensitet të madh dhe deri në fund të muajit do të mbillen sipërfaqet e planifikuara nga fermerët.”

Ndërsa, Prof. Dr. Imer Rusinovci, ka një kërkesë për të gjithë fermerët që mbjelljen e grurit ta përfundonë deri me 15 nëntor.

“Të nderuar fermerë, përfundoni mbjelljet e grurit deri me 15 nëntor, për arsye se gruri, është kultura bujqësore me rëndësinë më të madhe strategjike. Me bukë gruri, sot ushqehen rreth 70 % të popullatës në botë.”

Më tej profesor Rusinovci deklaron: “Sa i përket prodhimit të grurit, Kosova nuk i plotëson kërkesat nga prodhimi i brendshëm. Kjo është arsyeja kryesore që mullinjtë dhe furrat e bukës në vendin tonë, importojnë sasi të mëdha të grurit merkantil dhe miellit të grurit, nga vendet për rreth. Prodhimin vendor të grurit në konditat tona e karakterizojnë rendimentet e ulëta.”

Ai po ashtu thekson: “Mesatarja e prodhimit vendor të grurit në Kosovë sillet rreth 3,5 – 4,2 t/ha, për derisa në vendet tjera kjo mesatare është shumë më e lartë dhe arrin mbi 6,0 t/ha. Faktorët klimatik, veçoritë e tokave, përdorimi i repromaterialeve jo përkatëse, teknologjia e ulët kultivuese etj., janë disa nga faktorët kufizues të prodhimit të kësaj kulture strategjike dhe shkaktarët kryesor të sasirave të mëdha të importit të grurit.”

“Pavarësisht, se ne posedojmë sipërfaqe të mira kultivuese, ngastra ideale, rendimente të larta (në raste individuale edhe mbi 7,0 t/ha), prodhimin e gjithmbarshëm në shkallë vendore, akoma e kemi me mesatare shumë të ulët dhe me cilësi jo përkatëse. Gjatë këtij viti, në regjionet prodhuese të Kosovës, afati optimal agroteknik i mbjelljes së grurit nuk korrespondojë me mbjellje të planifikuara, si pasojë e pranisë së lagështisë së tepërt në tokë, reshjeve që mbretëruan gjatë tetorit, furnizimit jo të duhur të tregut me inpute cilësore, aftësive jo të mira organizative etj., dukuri kjo që do të rezulton serish me prodhimtari të pamjaftueshme të grurit vendor,” u shpreh Rusinovic.

“Kjo edhe vitin vijues do të na detyron të shpenzojmë sasi të mëdha dhe marramendëse të mjeteve materiale (parave) për importin e grurit merkantil, farës së grurit, miellit të grurit dhe prodhimeve tjera konditore të kësaj kulture. Importi i kontingjenteve të konsiderueshme të grurit, nga vendet për rreth, shpesh po na karakterizohet edhe me afera nga më të ndryshmet për parametra të caktuar. Kjo për faktin se, ose profesionalizmi nuk po vjen në shprehje, apo zingjiri i krijuar në tregtimin e grurit është jo i qëlluar. Pamjaftueshmëria e prodhimit vendor të grurit dhe çmimet e larta të repromatrialeve për mbjelljen e kësaj kulture, si një nga kulturat prioritare strategjike për një vend, duhet t’i detyrojnë mekanizmat qeveritar që t’a mbështesin këtë prodhimtari, dukuri kjo që ka filluar vite më parë edhe në vendin tonë,” theksoi prof. Rusinovci.

“Megjithatë, masat stimulative duhet monitoruar nga mekanizmat ekzekutiv, sepse në të kundërtën përkrahjet e prodhimeve strategjike, kur rezultatet mungojnë nuk do të kishin ndonjë logjikë agronomike. Të dhënat e viteve kontinuele, nga fillimi i mbështetjeve të prodhimeve strategjike deri me tani, nuk koincidojnë me ndonjë indikatorë përmirësues për prodhimin e realizuar. Pavarësisht skadimit të afatit optimal agroteknik të mbjelljes së grurit (tetori), rekomandojë që në të gjitha regjionet tona prodhuese, fermerët t’i vazhdojnë mbjelljet e këtë kulture deri me 15 nëntor, porse të njëjtit (fermerët) të shtojnë sasinë e repromatrialeve (farës dhe plehut vjeshtor) për 10-15 % mbi normat e parapara për këtë qëllim,” u shpreh në fund Rusinovi për bujqësia.org.

Në anën tjetër agronomi Berat Gërguri nga kompania “Agrimatco Kosovo”, për portalin bujqesia.org deklaroi: “Pavarësisht nga ajo se ka kaluar koha optimale e mbjelljes, kjo nuk duhet dekurajoj fermerët të mos vazhdojnë dhe të përfundojnë sa me shpejt mbjelljen e grurit.”

“Kompania “Agrimatco Kosovo”, si përfaqësues i kompanisë se njohur botërore “YARA”, për fermerët në Kosovë ka sjellë këtë vit në tregun e Kosovës plehun granular “Yara Mila” 16-27-7+S + Z për mbjellje vjeshtore i cili hynë në plehrat e quajtur Premium, i cili dallohet me vetit e saj fiziko-kimike, e që është pleh shpejt i zbërthyeshme dhe i absorbueshem, me një fosfor mbi 80% të absorbueshem nga ana e bimës, e që është tejet i rëndësishëm gjatë periudhës pas mbjelljes,” u shpreh në fund agronomi Gërguri./bujqesia.org/

Përgatiti: Shkëlzen Rrecaj

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme