“Ekonomia botërore do të tkurret në 2020 për shkak koronavirusit”

11:55 | 26 Mars 2020
Arbresh Info

Agjensia e vlerësimit të kredisë Moody’s zvogëlon pritshmëritë për ekonominë globale për këtë vit nga niveli pozitiv prej 2.6 për qind në 0.5 për qind negativ

Ekonomia botërore pritet të tkurret me 0.5 për qind në vitin 2020 për shkak të ndikimit negativ të koronavirusit, njoftoi të mërkurën vonë agjencia e vlerësimit të kredisë Moody’s me seli në SHBA.

Parashikimi i mëparshëm i agjencisë në nëntor 2019 për këtë vit ishte 2.6 për qind, thuhet në një njoftimin për shtyp.

Kompania e shërbimeve financiare, megjithatë, tha se pret që ekonomia globale të rritet me 3.2 për qind në vitin 2021.

Më tej tha se megjithëse bankat qendrore kishin reaguar shpejt, “paqëndrueshmëria e sektorit financiar ka arritur në nivelet të cilat për herë të fundit u panë gjatë krizës globale financiar të vitit 2008”.

“Stresi i tregut financiar është një reflektim i një ankthi të thellë dhe i pasigurisë rreth kostove reale ekonomike që familjet dhe bizneset në të gjithë botën do të përballojnë”, thuhet në deklaratë, duke shtuar se gjatë muajve në vijim do të rritet numri i humbjeve të vendeve të punës globalisht.

“Sa më gjatë të vazhdojnë këto kushte, aq më shumë ato potencialisht do të ushqejnë dinamikën recesionale të vetë-mbajtjes, dhe ekspozojnë dobësitë ekzistuese në ekonominë reale dhe sektorët financiarë”, u theksua më tej.

Parashikimi i Moody’s për ekonomitë e zhvilluara është me 2 për qind negativ në vitin 2020, ndërsa pozitive 1.9 për qind për vendet në zhvillim. Agjencia pret një rënie prej 2.2 për qind për eurozonën.

Agjencia, e cila pret norma negative të rritjes në vitin 2020 për pothuajse të gjitha vendet e G20, parashikon që ekonomia turke do të tkurret me 1.4 për qind në vitin 2020 dhe do të rritet me 0.8 për qind në 2021.

Lloji i ri i koronavirusit, i cili për herë të parë shpërtheu dhjetorin e kaluar në qytetin kinez Wuhan është përhapur në më shumë se 170 vende dhe territore. Organizata Botërore e Shëndetësisë shpërthimin e koronavirusit e ka shpallur pandemi.

Më shumë se 472 mijë njerëz janë infektuar nga lloji i ri i koronavirusit në botë, ndërsa 21.300 kanë vdekur si rezultat i infeksionit. Më shumë se 114.800 janë shëruar, njofton Universiteti amerikan “Johns Hopkins”.

Virusi ka shkaktuar që disa vende të imponojnë një bllokim: mbylljen e shkollave dhe universiteteve, tregjet, qendrat, restorantet, si dhe pezullimin e trafikut ajror dhe tokësor. /AA

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme