Dogana zotohet për partneritet më të fuqishëm me komunitetin e biznesit

13:58 | 4 Prill 2017
Arbresh.info

Heqja e barrierave në qarkullimin e mallrave, sfidat e tjera me të cilat përballen bizneset në vend dhe luftimi i ekonomisë joformale, ishin në fokus të diskutimit të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë me drejtorin e Përgjithshëm të Doganës së Kosovës, Bahri Berisha.

Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka e vlerësoi pjesëmarrjen e drejtorit të ri të Doganës në një diskutim për të dëgjuar shqetësimet e bizneseve anëtare të Odës Amerikane.

Zeka tha se investimet në infrastrukturën rrugore Kosovë-Shqipëri janë të pamjaftueshme nëse nuk shfrytëzohen për qarkullimin e lirë të mallrave, duke kërkuar edhe shtimin e dinamikave në krijimin e mëtejmë të lehtësirave si me Shqipërinë, ashtu edhe me vendet tjera të rajonit.

Ai theksoi se ka pasur përmirësim në aspektin e rivlerësimit të mallrave, duke pasur parasysh numrin e vogël të ankesave nga anëtarët e Odës Amerikane.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha u shpreh i kënaqur të takohet me bizneset anëtarë te Odës Amerikane për të diskutuar mbi sfidat tregtare, gjetjen e zgjidhjeve për t’i eliminuar këto barriera dhe thellimin e bashkëpunimit.

Ai vlerësoi se Dogana është një institucion mjaft stabil që ofron një qasje pro zhvillimit të përgjithshëm të bizneseve dhe që shfrytëzohet për lehtësirat tregtare, por edhe mbledhjen e taksave.

Berisha tha se dogana ka bërë progres edhe në bashkëpunimin e saj me institucionet tjera ndërkombëtare pas anëtarësimit në Organizatën Botërore të Doganave, anëtarësim ky i cili do të ndikojë që Kosova të jetë pjesëmarrëse në ngjarje të rëndësishme që ndihmojnë në eliminimin e barrierave për bizneset kosovare.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme