Digjitalizimi shkurton vendet e punës në banka

13:29 | 18 Maj 2015
Arbresh.info

Përdorimi i teknologjisë informative, përveç lehtësirave që ka krijuar për njerëzit, ka pasur edhe ndikim negativ tek disa prej tyre. Për shkak të digjitalizimit të shërbimeve, sidomos në sektorin bankar, janë shkurtuar edhe disa vende të punës dhe shumë punonjësve iu kanë ndërprerë kontratat.

Disa të punësuar në sektorin bankar kanë mbetur pa vendet e tyre të punës për shkak të digjitalizimit të shërbimeve, respektivisht ofrimit të shërbimeve elektronike.

Njëri prej tyre në kushte anonimiteti ka rrëfyer për Radio Kosovën se pas mbylljes se departamentit ku punonte në një nga bankat më të mëdha në vend, së bashku me disa të tjerë është njoftuar nga menaxhmenti se do t’i shkëputet marrëdhënia e punës. Por ai nuk dëshiron të flasë pasi thotë se është njoftuar me kohë për ndërprerjen e kontratës dhe tashmë është inkuadruar në një tjetër institucion financiar.

Drejtori i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija, tha për Radio Kosovën se teknologjia informative mund të ndikojë në shuarjen e disa pozitave ne sistemin bankar. “Ne nuk kemi informata të tilla sa i përket largimit të punëtorëve nga puna, pra ndonjë largimi masiv. Por sa i përket trendeve të përgjithshme nuk është vetëm në Kosovë po në shumicën e vendeve të botës që teknologjia informative po ndikon në eliminimin e disa pozitave të cilat më parë kanë përmbushë këtë nevojë, kurse tani teknologjia informative i ka zëvendësuar”, tha ai.

Balija thotë se ekonomia e Kosovës duhet të përshtatet me ndryshimet e teknologjisë informative dhe të krijohen vende të reja të punës në ato që quhen “punëtorë të dijes”, ku punëtorët merren me përpunimin e të dhënave e jo me shërbime fizike ndaj klientëve.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme