Google ADS

Diaspora “na mbanë gjallë”, për gjashtë muaj u dërguan mbi 20 milionë euro më shumë

08:32 | 18 Shtator 2019
Arbresh.info

Bashkatdhetarët tanë të cilët jetojnë nëpër shtete të ndryshme të Evropës e deri në SHBA vazhdojnë të jenë një shtyllë e fortë e të ardhurave për ekonomitë familjare por edhe për vendin.

Në një përgjigje për arbresh.info, zëdhënësi i BQK-së Kushtrim Ahmeti thotë se nga janari deri në qershor e këtij viti për dallim nga periudha e njëjtë e vitit të kaluar kjo shifër është 20.7 milionë euro më shumë.

Sipas tij vendet që prijnë në listën e shteteve me më së shumti dërgesa nga mërgimtarët janë Gjermania dhe Zvicra.

“Vlera e remitencave për periudhën Janar-Qershor 2019 ishte 405.4 milionë euro, apo 20.7 milionë euro më shumë se periudha e njëjtën në vitin 2018 (Janar-Qershor), ku shuma e remitencave të dërguara ishte 384.7 milionë euro. Shtetet gjermano folëse (Gjermania dhe Zvicra), prijnë në listën e shteteve prej nga vijnë më së shumti dërgesat nga mërgimtarët, ndërsa pas tyre janë SHBA, Italia, Franca dhe vendet tjera”, bënë të ditur Ahmet.

Ndërsa eksperti i ekonomisë, Musa Limani në një përgjigje për arbresh.info ka thënë se është e vërtetë se remitencat e migracionit shqiptar kanë rritje permanente.

“Sidomos pas vitit 2011, kështu që 493 milionë euro në vitin 2011, ndërsa në vitin 2018 arriti vlerën mbi 800 milionë euro, këto mjete që kanë ardh në Kosovë në bazë kanaleve publike siç janë bankat, agjencitë për transferin e mjeteve e të tjera, nëpërmes bankave diku 15%, nëpërmes agjencive 49%, burimeve të tjera diku 36 %”, përpos këtyre burimeve në Kosovë kanë ardh një vlerë shumë e madhe e mjeteve të cilat vijnë nëpërmes gjepave dhe mendoj që diku remitencat në Kosovë arrijnë vlerën 2 miliardë euro çka do të thotë se diku një buxhet vjetor i Kosovës”, deklaron Limani.

Ai tutje thotë se remitencat para qesin një kontribut jashtëzakonisht të madh për Kosovën, qoftë për qytetarët qoftë për ekonominë.

Sipas tij kjo është për çdo lëvdatë sepse ende ekziston ajo ndjenja farefisnore, humane të ndihmojnë njëri tjetrin.

“Mund të them se konsumi ne Kosovë kryesisht sigurohet përmes mjeteve të remitencave të cilat i dërgojnë mërgimtarët tanë, diku mbi 80% shkojnë në konsum një pjesë tjetër shkon në blerjen e papunësive”, është shprehur ai.

Limani thotë se rritja e vlerës së remitencave që dërgohen nga migracioni jonë në Kosovë është e ndryshme, por që sipas tij kryesisht është blerja e patundshmërisë.

“Tani gjeneratat e vjetra të cilat kanë nostalgji për vendlindjen e tyre tani po blejnë banesa dhe patundshmëri të tjera qoftë vila qoftë shtëpi, por kryesisht banesa, dhe sipas meje ata nuk duan ti bëhen barrë vëllait apo dikujt nga farefisit nëqoftëse nuk e kanë shtëpinë e tyre, një pjesë e tyre shkon edhe për blerje të tjera të patundshme por sido që të jetë ato konsumohen në Kosovë. Gjatë qëndrimi të tyre ata bëjnë një investim, derdhjen e të ardhurave të atyre gjatë pushimit do të thotë qoftë për ushqim qoftë për vendosje, rekreacion”, thotë Limani.

Megjithatë Limani fajin e hedh tek qeveria për mungesë të planit për këto mjete që dërgohen në Kosovë, për të cilat thotë se duhet të orientohen në zhvillim ekonomik e jo në patundshmëri ose në konsum.

Ai shpreson që qeveria e ardhshme te ketë një plan të veçantë që këto të ardhura të ndikojnë në zhvillimin ekonomikë vendit.

“Një gabim mendoj se është këtu i qeverisë për arsye se nuk ka ndonjë plan për këto mjete me të cilën do ti orientonte jo në patundshmëri që i bëjnë ata ad-hoc ose në konsum por do të duhej të orientoheshin në zhvillimin ekonomik, prandaj mendoj se qeveria e ardhshme duhet të ketë një plan të veçantë që nëpërmes instrumenteve të politikës fiskale të tregtisë së jashtme të orientojnë këto mjete dhe në këtë mënyrë do të ndikonin në zhvillimin ekonomik të Kosovës”, vlerëson  Limani./arbresh.info/R.Rexhepi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme