Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) vazhdon të refuzojë padrejtësisht fermerët që aplikojnë për grante pa ua shqyrtuar fare projektet.
Vetëm këtë vit janë refuzuar 55.47 përqind e aplikacioneve të fermerëve. Ky refuzim bëhet me arsyetimin se fermerët që kanë aplikuar nuk i kanë të gjitha dokumentet e kompletuara, e që janë përcaktuara me Udhëzuesin për Aplikues.
Por është pikërisht ky Udhëzues për Aplikues që e ndalon një refuzim të tillë. Në faqen 26 të këtij udhëzuesi shkruan se: “Në rast të mungesës së ndonjë dokumenti të detyrueshëm, zyrtari i AZHB-së (Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë e cila funksionin në kuadër të MBPZHR-së) nuk e pranon aplikacionin. Aplikuesi ka afat deri në përfundim të thirrjes për aplikim që t’i kompletojë dokumentet”.
Në një hulumtim të Qendrës Kosovare për Gazetari Hulumtuese – Preportr, e cila funksionon në kuadër të organizatës ÇOHU! është gjetur se fermerët refuzohen edhe në rastet kur u mungon një kopje e letërnjoftimit, apo kopja e xhirollogarisë.
Pasojat më të mëdha po i vuajnë fermerët, të cilët paguajnë deri në 500 euro për të përgatitur një projekt dhe refuzohen për shkaqe të tilla. Pra ka fermer që refuzohet për disa vite radhazi dhe përveç se nuk përfiton asgjë, ai humb kohën dhe mjete financiare për çdo vit.
Edhe më skandaloz është fakti se në momentin kur fermerët aplikojnë, atyre u lëshohet një dokument nga zyrtarët e AZHB-së se të gjitha dokumentet i kanë të kompletuara. Por kur shpallen përfituesit, ata refuzohen për mungesë të ndonjë dokumenti.
Pas publikimit të hulumtimit se në këtë mënyrë janë refuzuar fermerët, zyrtarë të MBPZHR-së dhe vet Ministri Memli Krasniqi kanë deklaruar se kjo ka ndodhur vetëm në vitin 2015 për shkak se shumica e fermerëve kanë aplikuar në ditën e fundit dhe se refuzime të tilla nuk do të ndodhin më.
Refuzimet kanë vazhduar edhe në vitin 2016 dhe janë përsëritur edhe këtë vit. Këtë e tregojnë listat e publikuara nga AZHB ditë më parë.
Në bazë të listave zyrtare të publikuara nga AZHB, rezulton se:
Në vitin 2015 kanë aplikuar 2119 fermerë, janë refuzuar 950 apo 44.83 %
Në vitin 2016 kanë aplikuar 1015 fermerë, janë refuzuar 370 apo 36.45%
Në vitin 2017 kanë aplikuar 914 fermerë, janë refuzuar 507 apo 55.47%
Organizata ÇOHU! konsideron se një refuzim i tillë është i padrejtë, joligjor dhe dëmton shumë fermerët. Ky trend i refuzimit të fermerëve nxitë dyshime se kjo po ndodh për të eliminuar konkurrencën dhe grantet t’i përfitojnë ata që janë të favorizuar nga MBPZHR.
Organizata ÇOHU! i bën thirrje MBPZHR-së që të ndalojë një praktikë të tillë të refuzimit të fermerëve, ndërsa fton prokurorinë e shtetit që të hetojë këtë rast.
Bill Clintoni shtrohet në spital
Federata e Futbollit në Gjermani nderon legjendën Franz Beck...
Përgjuesi i Vullnetit po “çmend” banorët
Xuxi aludon se Gresa ka pëlqim për të, tregon momentet kur i...
NASA: Anija kozmike Parker Solar Probe i afrohet Diellit
Pesë lojtarë të kombëtares shqiptare nuk e kanë humbur asnjë...