Mustafa, në një intervistë për Telegrafin ka folur për ndikimet që mund të ketë në ekonominë vendore situata pas pandemisë COVID-19.
Mustafa ka thënë se situata pas pandemisë do të jetë e vështirë dhe mund të ketë rënie të ekonomisë vendore dhe se tashmë ndikimet janë duke u parë.
Sipas tij, Kosova i ka mundësitë e limituara, ndaj këtë barrë nuk mund ta mbajë vetëm buxheti i shtetit dhe se kriza me pandeminë dhe dimensionet e saj, që tani, shtrojnë nevojën për një ristrukturim të buxhetit.
Si ka ndikuar pandemia COVID-19 në ekonominë e Kosovës?
Mustafa: Që tani ende pa u bërë dy muaj shihen ndikimet, përmasat e të cilave ende nuk janë vlerësuar më saktësisht. Në bashkëngjitje të pakos së masave që ndërmori Qeveria vlerësoj se rritja ekonomike do të bie nga 4.2 në 2.5 % . Unë do të isha i kënaqur edhe nëse mbajmë nivelin e GDP të vitit të kaluar, ose nëse kemi zvogëlim më të madh se 3-5%. Pra duhet pritur një kontraktim më të madh. Sidoqoftë mendoj se duhet bërë një vlerësim më gjithëpërfshirës dhe më të hollë të efekteve sa më shpejtë, në mënyrë që edhe intervenimet të jenë me efekt më të madh dhe të përqendruar aty ku ky efekt është më i nevojshëm në aspektin social dhe më frytdhënës për aktivitetin ekonomik.
Sa jemi të gatshëm ekonomikisht për këtë situatë në të cilën ndodhemi?
Mustafa: Po mundësitë i kemi të limituara, ndaj këtë barrë nuk mund ta mbaj vetëm buxheti i shtetit. Secili duhet të bëjë, të them një program konsolidimi të gjendjes duke shfrytëzuar maksimalisht mundësitë dhe rezervat që ka – pra secili biznes, punëdhënës, secila familje dhe kuptohet edhe Qeveria. Kriza me pandeminë dhe dimensionet e saj, që tani, shtrojnë nevojën për një ristrukturim të buxhetit. Në këtë ristrukturim sigurisht duhet të shihet edhe mënyra me produktive e mbështetjes së sektorit privat . Por kjo duhet të shihet me kujdes dhe të studiohet më mirë, dhe jo nën presionin… Për shembull të shihet efekti i subvencionimit të pagave me 170 euro apo mund të përdoren më mirë. Pastaj lë të kuptohet së tërë barrën e kësaj situate nuk mund ta mbajë vetëm buxheti modest i Kosovës. Ndaj, së paku në këtë moment, po duket e tepruar një eufori me kërkesa shoqatash e sindikatash te adresuara tek intervenimet buxhetore.
Janë marrë disa vendime e masa nga ana Qeverisë të Kosovës, cili ka qenë ndikimi të bizneset vendore?
Mustafa: Mendoj se pako e publikuar e masave të Qeverisë në përgjithësi janë në drejtimin e duhur, duke përfshi edhe aspektin social e edhe sektorin privat dhe stimulim për ata që janë në ballë të luftës kundër pandemisë. Këto masa gjithashtu janë të shumtën në linjën e asaj që kërkuan asociacionet e biznesit. Për fillim është mirë. Më tutje duhet reaguar sipas nevojës, por në mënyrë shumë më selektive – asistencë të rasteve sociale dhe mbështetje e rritjes së prodhimit e shërbimeve dhe mbajtje të nivelit të punësimit dhe mundësisht gjenerim të vendeve të reja të punës. Pra duhet bërë një vlerësim dhe studim për këtë.
Sa ka rezerva ushqimore në vend dhe cilat janë nevojat që duhet shteti të reagojë për ekonominë e bizneset në vend?
Mustafa: Mendoj se nuk do të paraqitet problem me ushqimet. Shteti duhet të bëjë një vlerësim të rezervave të tij dhe t’i konsolidojë ato që të jenë të mjaftueshme për intervenime që mbulojnë nevojën e produkteve elementare për rreth 3 muaj.
Si duhet të reagojmë në një situatë të tillë nëse do të zgjatet?
Mustafa: Siç thash edhe më lartë duhet sa më shpejtë të përgatitet një ristrukturim i buxhetit, që duhet të zvogëlojë së pari shpenzimet për mallra dhe shërbime (shpenzimet për udhëtime e të ngjashme), e pastaj edhe pjesë të investimeve kapitale që nuk janë me urgjencë. Dhe, krahas qeverisë secili biznes dhe secila familje duhet të bëjnë planet e “emergjencës”. Situata mund të përballohet vetëm me forca të përbashkëta. Duhet të shihet që të aktivizohen aktivitete prodhuese, të nxiten punët në bujqësi, arsimi dhe shëndetësia të mbesin mobile. Të shpresojmë se kjo nuk do të zgjasë shumë, por aq sa zgjatë duhet të kemi pak a shumë këtë qasje, pa pritur vetëm nga buxheti modest i Kosovës.
Ministria e Bujqësisë në Shqipëri: Mbi 85% e mandarinave pa ...
Aksident në mes dy automjeteve në Klinë
Arrestohet një grua në Prishtinë, nën ndikim të alkoolit sul...
Ministri i Jashtëm i Jordanisë do të zhvillojë bisedime me l...
Policia shqiptoi mbi 1 mijë e 400 gjoba trafiku në 24 orët e...
Vdes një person në QKUK