Google ADS

Brezovica ‘bardh e zi’

11:22 | 18 Prill 2015
Arbresh.info

Gati një dekadë është nevojitur që të përfundojë koncesionimi i kompleksit turistik “Brezovica” që gjendet në komunën e Shtërpcës. Ky projekt është finalizuar gjatë kësaj jave, pasi Qeveria e Kosovës ka nënshkruar kontratën me konsorciumin fitues, shkruan sot rel.

Për rubrikën “Fokus”, kemi përgatitur një kronologji rreth zhvillimeve që kanë përcjellë koncesionimin e ‘Brezovicës’ për gati dhjetë vjet.

Përgatitjet për këtë proces kishin filluar që nga viti 2006, nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit. Por, problemet fillimisht nisen nga banorët e asaj ane, për faktin se Brezovica gjendet në rajon të banuar me shumicë serbe dhe ndërhyrjes së Beogradit zyrtarë.

Derisa banorët e komunës së Shtërpcës dhe Beogradit zyrtarë mundoheshin të pengonin procesin, autoritetet kompetente deklaronin se “privatizimi ose koncesionimi duhet të ndodhë, pavarësisht faktit se në cilat komuna gjenden ndërmarrjet shoqërore”.

Pezullimet e projektit për këto arsye nuk munguan, duke përmendur nganjëherë si problem në atë botë edhe statusin e pazgjidhur të Kosovës.

Kompleksi “Brezovica” është një nga potencialet më të mëdha turistike që ka Kosova, si qendër e turizmit veror dhe dimëror.

Kjo qendër është ndërtuar në vitin 1970 dhe që nga atëherë nuk ka pasur investime në mirëmbajtjen e saj.

Për këtë arsye, zyrtarë qeveritarë, ekspertë të turizmit dhe të ekonomisë, konsideronin se koncesionimi i kësaj qendre do të ndikonte në ringjalljen ekonomike të këtij rajoni, por edhe ekonominë e përgjithshme.

Në vitin 2008, Kosova u shpall shtet i pavarur, ku në atë periudhë me planin e Ahtisarit, shuhet Agjencia Kosovare e Mirëbesimit dhe krijohet Agjencia e re Kosovare e Privatizimit.

Kjo e fundit, përgatitjet nuk i ndaloi asnjëherë, me gjithë problemet evidente në këtë proces. Madje udhëheqës të kësaj agjencie njëherë paralajmëruan se koncesionimi do të ndodhë në vitin 2010.

Në atë botë, këtë deklaratë për rel, e kishte thënë ish zëvendësdrejtori i AKP-së, Shkumbin Bicaj, duke pohuar se problemet politike janë evituar.

“Në të kaluarën ka pasur çështje të tilla, dhe zakonisht kanë qenë si rezultat i interferencave të ndryshme politike, jashtë kontrollit tonë”.

“Si agjenci e pavarur që jemi, këto interferenca të tilla janë neutralizuar që në fillimet e para. Mandati ynë ligjor është i qartë, dhe fundi i fundit privatizimi i të gjitha pronave shoqërore dhe asetet e tyre, në Kosovë është mandat kushtetues”, thekson Bicaj.

Por, koncesionimi edhe këtë vit kishte dështuar, por pasojnë përgatitje edhe të një master-plani nga zyra ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Kosovë, për rikuperim ekonomik në mënyrë që të bëhet më atraktive për investitorët e huaj kompleksi turistik.

Një vit më vonë, ringjallën kundërshtimet e autoriteteve të Serbisë për procesin e privatizimit në Kosovë.

Në vitin 2012, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë kishte dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për të shqyrtuar kushtetutshmërinë e privatizimit në tërë territorin e Kosovës që nga viti 1999 e deri më 2012.

Kurse, autoritetet kompetente në Prishtinë i kujtojnë shtetit të Serbisë se “nuk ka drejtë ta kontestojë procesin e privatizimit të ndërmarrjeve publike në Kosovë”.

Sipas Kushtetutës së Kosovë dhe Pakos së Ahtisarit, Republika e Kosovës ka në pronësi të vet të gjitha ndërmarrjet në territorin e saj që janë ndërmarrje në pronësi publike.

Madje deklaratat e zyrtarëve të Serbisë, zyrtarë të AKP-së i quanin deklarata boshe.

Në fillim të vitit 2012, Komiteti Drejtues ndër-ministror për projektin Brezovica, kishte shpallur mundësinë e shprehjes së interesit për identifikimin e investitorëve për këtë projekt.

Ndërkaq, një vit më vonë, u bënë publike pesë kompani dhe konsorciume që shprehnin interesim për marrjen në shfrytëzim për 99 vjet, të kompleksit “Brezovica”. Në mesin e ofertuesve ishte edhe një kompani turistike nga Serbia.

Këto kompani, sipas autoriteteve kompetente, posedonin kapacitete të nevojshme për të projektuar, financuar dhe ndërtuar një qendër për turizëm malor dhe rekreacion për gjatë gjithë vitit për vizitorët lokal dhe ndërkombëtar.

Por, nga ekspertë të turizmit nuk konsideronin si kompani atraktive.

Ndërkaq, në vitin e kaluar kur pritej të shpallej kompania fituese, në Kosovë u mbajtjen zgjedhjet e përgjithshme. Ngërçi politik gjashtë mujor deri tek formimi i qeverisë se re, ka detyruar autoritetet kompetente, tashmë Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë që të pezullojë shpalljen e kontratës finale për koncesionim.

Sidoqoftë, në muajin dhjetor të vitit të kaluar konsorciumi francez MDP Consulting –Compagnie des Alpes ishte shpallur fitues, me një çmim prej 409 milion euro, nga të cilat 165 milion pritet të investohen në tri vitet e para, kurse ka premtuar se do të krijojë 4000 vende të reja pune.

Në investime parashihet zgjerimi apo krijimi i shtigjeve të klasit botëror për skijim, më të gjata se 100 km (më të gjatat në Ballkan), të pajisura me rreth 20 teleferikë dhe pajisje tjera moderne, me standarde të sigurisë dhe të kualitetit më të lartë në rajon.

Gjatë nënshkrimit të kontratës, ditën e mërkurë të kësaj jave, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hikmete Bajrami ka thënë se koncesionimi i këtij projekti do të ndikojë në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik njëherësh do të ketë ndikime pozitive edhe tek investitorët tjerë ndërkombëtar.

“Projekti do të ketë një ndikim në zhvillimin ekonomik, para se gjithash në komunën e Shtërpcës, por në përgjithësi do të ndikojë shumë pozitivisht në zhvillimin ekonomik të Kosovës”, ka thënë Bajrami.

Kurse, përfaqësuesit zyrtar të Kozorciumit francez Pascal Roux, kanë thënë se Brezovica do të ndërtohet në atë mënyrë që do të jetë e shfrytëzueshme gjatë 12 muajve të vitit.

“Ky patjetër që është projekt i madh për Kosovën dhe jemi mjaft krenar që ta zbatojmë atë. Ky projekt është më shumë sesa një resort skijimi. Ai do të jetë një resort malor që nënkupton që ta kemi një projekt për katër stinët e vitit, i cili do të jetë atraktiv gjatë gjithë kohës. Jemi të përkushtuar që këto resorte të jenë të klasit botëror duke i plotësuar standardet ndërkombëtare”, ka thënë Roux.

Ndryshe, sipas një vlerësimi, Brezovica ka sasi të borës për 151 ditë të vitit, çka paraqet sasinë më të madhe, krahasuar me të gjitha vend-skijimet tjera të Evropës.

Gjendet në lartësi mbidetare prej 900 deri në 2,522 metra, me një hapësirë prej 2,500 hektarësh dhe është larg vetëm 60 kilometra nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme