Google ADS

Brenda tri viteve hekurudhat e Kosovës lidhen me rajonin dhe Evropën

11:56 | 3 Shtator 2016
Arbresh.info

Hekurudhat e Kosovës kanë një shtrirje në gjatësi prej 333 kilometra, por funksionale në Kosovë janë vetëm linjat Fushë Kosovë-Pejë dhe Fushë Kosovë – Hani i Elezit. Transporti i udhëtarëve, është një transport që nuk është profitabil. Brenda tri viteve do të përfundojnë punimet e linjës kryesore e cila ndërlidhë hekurudhat e Kosovës me rajonin dhe me Evropën, ka theksuar kështu kryeshefi ekzekutiv në Infrakos, Agron Thaçi në një intervistë për KosovaPress.

Segmentin Fushë Kosovë-Prishtinë, si linjë shumë e shkurtër afër 5 kilometra, është shumë herë gjatë ditës për t’i bartë punëtorët, studentët e.t.j, që arrin numri i përgjithshëm përafërsisht 1 mijë persona në këtë destinacion.

Ndërsa, linja prej Fushë-Kosovës në Mitrovicë sipas Thaçit teknikisht është funksionale, mirëpo, për shkak të barrierave politike nuk është mundur që të funksionalizohet nga Infrakos.

Ndër hekurudhat tjera që janë jashtë funksionit është ajo për Podujevë dhe tjetra nga Xërxa në Prizren, mirëpo, Thaçi beson dhe pret që në afatin dy vjeçar të fillohet edhe rehabilitimi i kësaj linje në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare financiare. Ai pret që edhe në qytetet tjera si për Gjilan dhe Gjakovë që nuk ka fare hekurudhë në një të ardhme të afërt të fillohet me ndërtimin e këtyre linjave që janë me rëndësi për këto dy qytete. Po ashtu, ai tha se janë duke punuar që rrjeti hekurudhor të ndërlidhet edhe me atë të BE-së.

 

“Jashtë funksionit nga aspekti i dëmtimeve, hekurudhat që kanë pësuar dëmtime është linja për Podujevë, respektivisht nga Bardhoshi në Podujevë… për shkak të bombardimeve të tunelit po edhe të eliminimit apo heqjes së tri deri katër kilometra binarë dhe material tjetër, e cila ka ndodhur menjëherë pas luftës nga persona të pa përgjegjshëm. Po ashtu, kemi pjesën e Prizrenit që është problematike nga Xërxa në Prizren, ndërsa, të tjerat pjesë janë teknikisht të operushme. Është një lajm i mirë se ne për pak ditë do të fillojmë hartimin e projketdizajnit për linjën Fushë Kosovë – Prishtinë-Podujevë që do të thotë se gjatë këtij viti dhe vitit të ardhshëm do të hartohet dokumentacioni detal teknik dhe shpresojmë në një afat sa më të shpejt”, theksoi ai.

Infrakos ka fituar një grant prej 1.2 milion euro nga KE për ta hartuar projekt dizajnin për Podujevë,  i cili sipas tij po fillon brenda pak ditëve.

Kështu sipas Thaçit do t’i vije radha për mundësi të investimeve edhe në jug  të vendit, në pjesën e Prizrenit dhe pjesën tjetër nga Peja, por që këto janë projekte që do të vijnë më vonë, sepse ka edhe një listë prioritare të miratuar nga Këshilli nacional i Kosovës për investime në infrastrukturë.

Ndërsa, sipas kryeshefit ekzekutiv të hekurudhave për linjën kryesore Fushë Kosovë – Leshak, tanimë është siguruar buxheti prej mbi 80 milionë euro dhe kanë filluar fazat e përgatitjes. Thaçi thekson se nëse shkojnë punët ashtu siç janë planifikuar, në fillimin e vitit të ardhshëm do të fillohet edhe me punët në terren për rehabilitimin dhe modernizimin e kësaj linje.

Ai tha se brenda tri viteve do të përfundojnë punimet e linjës kryesore e cila ndërlidhë hekurudhat e Kosovës me rajonin dhe me Evropën.

“Ne jemi në proces, në fazën e përzgjedhjes së operatorit dhe pritet që deri në fund të këtij viti nëse nuk kemi ndonjë ngecje apo ndërprerje me arsye, ne mendojmë që deri në fund të vitit ta kemi edhe kompaninë fituese për ndërtimin përkatësisht rehabilitimin e kësaj linje… Është plotësisht transparent janë të përfshira institucionet përkatëse, siç është Qeveria e Kosovës, ministritë përkatëse, ndërmarrja Infraskos, Banka Evropiane për Rindërtim Zhvillim (BERZH) e cila është bartëse kryesor e krejt procesit të tenderimit dhe prokurimit dhe banka evropiane invetsive…Ne presim që në tre mujorin e parë të vitit të ardhshëm të fillohet me punën për restaurimin e hekurudhës”, theksoi ai.

E rëndësishme sipas tij është që po përmbyllin fazat e para investuese, fazat përgatitore dokumentacionin teknik projektues, dhe po bëhen përzgjedhjet e duhura. Ai shtoi se në garë janë dhjetë kompani të huaja.

“Është një proces ndërkombëtar ku marrin pjesë dhjetë kompani ndërkombëtare me renome, me kushte jashtëzakonisht të vështira për t’i plotësuar në mënyrë që të kemi një siguri se do të përzgjedhim kompani kualitative dhe kompani profesionale për ndërtimin e hekurudhave. Infraskos është shumë i vendosur që në rrugën e saj të përzgjedhjes së kompanive mos të lejoj që të marrë ndikime anësore që të përzgjidhen kompani sipas tekeve apo dëshirave të dikujt”, tha ai.

Thaçi beson se kompania që do të bënë ndërtimin, të jetë kompani prestigjioze, sepse në rrethin e dhjetë kompanive vërtet ka kompani jashtëzakonisht të mëdha, kompani me eksperiencë dhjetë vjeçare, me qarkullim financiar deri në miliarda me projekte të realizuata. Ai tha se 70 kompani kishin shprehur interesim për ndërtim të kësaj hekurudhe.

Sipas tij, për emrat e këtyre dhjetë kompanive në garë, nuk deshi të bëjë publike, përveç se tha se janë të njohura për BERZh-in.

Ai nuk deshi të komentojë as arsyen e largimit nga gara e njërës nga kompanive me të mëdha botërore dhe gjermane, Hekurudha Gjermane ( Deustche Ban , http://www.deutschebahn.com ) .

 

“Ka kompani italiane, ka kompani amerikane, ka kompani turke, kompani polake, ka kompani nga shteti i Greqisë dhe ka kompani nga shteti gjerman, këto janë pesë gjashtë shtetet… për shkak se jemi në proces të përzgjedhjes fillestare. Kjo do të merë kohë, jemi në fazën e parë, do të vjen faza e dytë, pra është çështje e proceduarave të cilat zhvillohen bashkërisht edhe me BERZh”, theksoi i pari në Infrakos.

Sa i përketë projektit, ai tha se është me standard të larta interoperabile, mirëpo nuk është paraparë elektrifikimi i kësaj linje hekurudhore, sepse sipas kryeshefit kot bëhet elektrifikimi në linjën Fushë Kosovë –Hani i Elezit, nuk ka mundësi qarkullimi dhe krijohet një rrjet elektrik i cili do të jetë shënjestër e hajnive.

 

“Projekt-dizajni bëhet me elektrifikim, d.m.th. kur dorëzohet dokumentacioni teknik përfshin edhe elektrifikimin. Mirëpo, gjatë implementimit ne këtë gjë nuk do ta bëjmë, nuk e kemi buxhetu elektrifikimin, sepse kot së koti ne e elektrifikojmë linjën Fushë Kosovë –Hani i Elezit, dhe presim edhe dy vjet linjën tjetër dhe ne nuk kemi mundësi qarkullimi dhe e krijojmë një rrjet elektrik i cili do të jetë shënjestër e hajnive, e dëmtuesve, pe shihni edhe në autostradë se si po ndodh, por ne bashkërisht më Bankën Evropiane, dhe me ministrinë dhe me institucionet tona kemi vendos që të jemi racional dhe fillimisht ne t’i hartojmë të gjitha projektet me elektrifikim, ndërsa, elektrifikimi të jetë faza e fundit kur edhe Republika e Serbisë që ka rreth 100 km hekurudhë të pa-elektrifikume edhe pjesa e Maqedonisë , ta bëjë elektrifikimin atëherë edhe ne sigurisht do të tentojmë të konkurrojmë me një projekt të përbashkët p ër elektrifikimin e kësaj linje”, tha ai.

Sipas tij, shtyllat, bazamenti dhe konstruksionet elektrike do të vendosen gjatë rehabilitimit të linjave.

Ndërsa, se kur do të ketë Kosova rrjet hekurudhor të ngjashëm me atë të rajonit dhe me atë të BE-së, Thaçi tha se rajoni nuk është se ka një zhvillim shumë më të hovshëm se hekurudhat e Kosovës.

 

“Edhe transporti hekurudhor është një shtysë për zhvillimin industrial dhe këto njëra tjetrën sikundër që e mbështesin, mirëpo në një afat të mesëm hekurudhat e Kosovës pas rehabilitimit dhe modernizimit do të vijnë në standard të barabarta të njëjta me hekurudhat e rajonit dhe pse jo me hekurudhat e Bashkimit Evropian dhe pas një përmirësimi të dukshëm të hekurudhave tona dhe ndërlidhjes tyre në korridoret pano evropaiane, siç është korridori i dhjetë hekurudhor, pse jo edhe korridori i 8 në jug, si dhe lidhja e hekurudhës tonë me sa më shumë porte ujore, siç është lidhja me Selanikun dhe pretendohet që në një të ardhme se do të kemi mundësi edhe jo me Durrësin apo me Shëngjinin nëpërmjet Shqipërisë”, tha ai.

Ai tha se ky do të jetë ai plani strategjik.

Sipas tij, transporti i udhëtarëve, është një transport që nuk është profitabil. Për sa i përket gjetjeve të auditorit, ai tha se gjetjet janë shumë të vogla, nuk janë gjetje material por procedurale që herë pas here njësitë e caktuara personale brenda për brenda “InfraKosit”, bëjnë ndonjë lëshim të vogël. Thaçi tha se nga aspekti i gjetjeve materiale tek keqpërdorimet e parasë publike nuk ka pasur asnjë rast të tillë.

Shumica e linjave hekurudhore në Kosovë nuk ekzistojnë apo nuk funksionojnë si pasojë e mosekzistimit të tyre apo dëmtimeve, sikur që është linja për Gjakovë, Prizren, Suharekë, Podujevë, Gjilan, Viti, Kamenicë, Istog dhe Dragash.

Edhe pse në Evropë e gjithë Hekurudha funksionon më dy linja, në Kosovë edhe në këto që ekzistojnë, ekziston vetëm një linjë dhe e gjithë hekurudha e Kosovës është e paelektrifikuar

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme