Brenda muajit, Kosova do të nënshkruajë marrëveshje financiare afro 70 milionë euro

15:47 | 5 Korrik 2015
M. A.

Qeveria e Kosovës do të nënshkruajë gjatë këtij muaji marrëveshjen financiare IPA 2014 me Komisionin Evropian, që kap vlerën prej afro 70 milionë euro, të cilat programohen nga Ministria e Integrimit Evropian.

Kjo marrëveshje, sipas përfaqësuesve të Qeverisë do t’i sjellë përfitime direkte Kosovës në shumë sektorë zhvillimorë, shkruan kp.

Ministri për Integrim Evropian, Bekim Çollaku, ka bërë të ditur se përmes kësaj marrëveshjeje Kosova do të ketë rastin të përfitojë përvojat më të mira të shteteve të BE-së në përmirësimin e shërbimeve, rritjen e kapaciteteve e përfitimin e ekspertizës në sektorë të ndryshëm.

“Sektorët që do të mbështeten në kuadër të këtij programi lidhen me demokracinë dhe qeverisjen, sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore të njeriut, sektorin e energjisë, bujqësinë dhe zhvillimin rural, si dhe inovacionin dhe konkurrueshmërinë”, ka thënë Çollaku.

Në fushën e energjisë ka bërë të ditur se do të mbështetet dekomisionimi i Kosovës A dhe Studimi i Fizibilitetit për Kosovën B në vlerë prej mbi 5 milionë euro. Kurse në fushën e rritjes së konkurrueshmerisë ka thënë se do të mbështetet përmirësimi i infrastrukturës biznesore dhe publike në vlerë prej mbi 7 milionë euro.

“Po ashtu, në kuadër të mbështetjes së sektorit të bujqësisë do të ofrohen grantet në vlerë prej 7 milionë euro. Me qëllim të avancimit të sigurisë së ushqimit dhe përafrimit me standardet evropiane do të investohen 3.5 milionë euro, në zbatimin e legjislacionit të BE-së në kuadër të sigurisë së ushqimit”, ka shtuar Çollaku.

Instrumenti i Para Anëtarësimit (IPA) është instrument i Bashkimit Evropian që ka për qëllim ofrimin e mbështetjes financiare dhe teknike për vendet që aspirojnë të bëhen anëtare të BE-së, me qëllim të përkrahjes së tyre në ndërmarrjen e reformave të parapara në kuadër të procesit të anëtarësimit.

Kosova ka përfituar mbi 635 milion euro nga instrumenti i IPA-s gjatë periudhës 2007-2013, ndërsa gjatë periudhës 2014-2020 pritet të përfitojë mbi 645 milionë euro

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme