BQK pranon se vjet rritja ekonomike ishte 0.9 për qind, për këtë vit s’ka vlerësim

10:24 | 30 Korrik 2015
Arbresh.info

Banka Qendrore të Kosovës (BQK), në raportin e fundit ka vlerësuar se ekonomia e Kosovës gjatë vitit 2014, shënoi rritje reale prej 0.9 për qind. Ky vlerësim bazohet në rritjen e investimeve prej 1.5 për qind dhe konsumit prej vetëm 1.4 për qind, ndërkohë që neto eksportet e thelluan deficitin tregtar për 3.2 për qind.

Komponentë kryesore në kuadër të PBB-së mbetet konsumi, me pjesëmarrje prej 104.5 për qind, investimet me 27.8 për qind dhe neto eksporti me -32.3 për qind. Në përgjithësi, viti 2014 është karakterizuar me rritje të konsiderueshme të remitencave 11.8 për qind dhe arritën vlerën prej 693.7 milionë euro. Në anën tjetër, sipas BQK-së, është shënuar rënie e konsiderueshme e investimeve publike 22.3 për qind, ndërkohë që edhe investimet e huaja direkte pothuajse u përgjysmuan në vitin 2014, krahasuar me vitin 2013. Sipas vlerësimeve të BQK-së, bilanci i investimeve të huaja u karakterizua me përkeqësim në vitin 2014, përcaktuar kryesisht nga rënia e IHD-ve në vend, të cilat u zvogëluan në 151.3 milionë euro nga 280.2 milionë euro sa ishin në vitin 2013. Llogaria financiare në vitin 2014 regjistroi bilanc negativ prej 145.1 milionë euro, krahasuar me bilancin negativ prej 132.2 milionë eur o në vitin 2013.

Sa i përket vitit 2015, pritet që ekonomia e Kosovës të përshpejtojë ritmin e rritjes. Kjo rritje, sipas BQK-së, pritet të gjenerohet nga kërkesa e brendshme, ndërsa neto eksportet parashihet të vazhdojnë të kenë kontribut negativ në rritjen e PBB-së. Konsumi, si komponentë kryesore e kërkesës së brendshme, pritet që edhe gjatë vitit 2015 të ketë kontributin kryesor në rritjen ekonomike. Investimet për dallim nga viti i kaluar, pritet të karakterizohen me rritje të konsiderueshme të investimeve publike.

 

 

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme