1.73 miliard euro shënon vlerën borxhi i jashtëm bruto i Kosovës, i cili përfshin borxhin publik dhe borxhin privat, deri në fund të dhjetorit 2014, bënë të ditur Banka Qendrore e Kosovës (BQK). Ajo ka publikuar statistikat për sektorin e jashtëm për tremujorin e katërt të vitit 2014 dhe për muajin janar 2015.
Sipas publikimit, Kosova edhe në këtë periudhë vazhdon të zhytet në borxh të jashtëm. Borxhi publik ka një pjesëmarrje të ulët në gjithsej borxhin e jashtëm (rreth 23%), gjendja e të cilit në fund të dhjetorit ishte 392.8 milionë euro. Pjesa më e madhe e borxhit publik përbëhet nga borxhi i jashtëm i Qeverisë, i cili në fund të dhjetorit 2014 ishte 326.4 milionë euro.
Ndërsa, borxhi i sektorit privat në fund të dhjetorit 2014 shënoi vlerën prej 1.34 miliard euro. Pjesa më e madhe e borxhit privat është në formë të kredive ndërmjet kompanive, që janë në relacion të investimeve direkte (719.9 milionë euro), pasuar nga borxhi i sektorëve tjerë të ekonomisë (390.1 milionë euro) dhe huamarrjet e bankave komerciale (229.0 milionë euro).
Në kuadër të sektorëve tjerë bëjnë pjesë korporatat financiare jobankare, korporatat jofinanciare, ekonomitë familjare dhe organizatat joqeveritare.
Kreditë tregtare dominojnë në kuadër të sektorëve të tjerë, vlera e të cilave në fund të tremujorit të katërt 2014 arriti në 158.5 milionë euro.
Sipas raporteve të Ministrisë së Financave, qeveria borxhin më të madh e ka ndaj kredituesve të jashtëm. Ky borxh nuk ka ndonjë rritje të madhe krahasuar me vitet e mëhershme. Ai ka të bëjë me obligimet ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar, si edhe Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim pranë Bankës Botërore, i cili përllogaritet në SDR ( shporta e valutave, vlera e të cilit caktohet në bazë të vlerës mesatare të tyre), ndërsa 84% e borxhit tjetër është i llogaritur në euro.
Nga ana tjetër, borxhi i brendshëm ka filluar të krijohet nga vitit 2012, kryesisht përmes emetimit të bonove të thesarit. Atëherë ishin emetuar bono në vlerë prej 73,3 milionë eurosh.
Llogaritur sipas kohës së maturimit ( kthimit), atëherë më problematik mund të jetë borxhi i brendshëm, meqenëse ai duhet të kthehet për 4,28 muaj, përderisa borxhi i jashtëm për 9,24 vjet. Mirëpo, ka filluar të zgjatet edhe afati i maturimit për borxhin brendshëm, meqenëse sipas tenderit të fundit, ai do të jetë 12 muaj. Sipas deklaratave të mëhershme të zyrtarëve qeveritar, synohet që afati i maturimit të zgjatet vazhdimisht, në mënyrë që ai të arrijë deri në pesë vjet.
Sipas Ministrisë së Financave, borxhi shtetëror mund të jetë borxh i drejtpërdrejtë, apo borxh i nën-huazuar. Kurse sa i përket juridiksionit të cilit i nënshtrohet, borxhi i përgjithshëm mund të ndahet në borxh ndërkombëtar, dhe në borxh të brendshëm – ku borxhi i brendshëm i nënshtrohet juridiksionit vendor, ndërsa ai ndërkombëtar mund t’u nënshtrohet edhe juridiksioneve jashtë Republikës së Kosovës.
Sipas Ligjit për borxhet publike, në asnjë rast shuma e papaguar e borxhit të përgjithshëm nuk duhet të tejkalojë dyzet për qind të bruto prodhimit vendor (BPV).
Në rast se borxhi i përgjithshëm e tejkalon këtë përqindje të bruto prodhimit vendor, atëherë Qeveria duhet t’i paraqesë Kuvendit strategjinë për të kthyer borxhin e përgjithshëm nën pragun dyzet për qind.
Pronari i një restoranti në Vushtrri kapet në flagrancë duke...
Shërbimi Korrektues nesër mban Maratonën “Vrapimi i Nd...
Përkeqësimi i motit sjell probleme me energjinë dhe rrugë të...
“Mbaje përgjegjësinë”, Sara e rreptë me Drilonin – por pse?
Dardan Berisha: Kosova ndaj Irlandës do ta tregojë fytyrën e...
Njëmbëdhjetë persona të vrarë nga sulmet e Izraelit në Bejru...