Gjatë shqyrtimit të raportit të auditimit të performancës “Prokurimi në Korporatën Energjetike të Kosovës (2018-2020)”, kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen Financiare, Hykmete Bajram, theksoi se gjetjet nga auditori në KEK janë tepër shqetësuese, pasi ka dhjetëra kontrata të firmosura me negocim të drejtpërdrejt dhe mungesë të transparencës.
Deputetja Bajrami ka thënë se në atë periudhë janë shpenzuar 181.5 milionë euro, prej tyre rreth 60 milionë euro me kontrata të negociuara, gjë që ka shkaktuar kontrata më të shtrenjta.
Ajo ka numëruar kontratat, për blerjen e kushinetave, të cilat sipas saj, kanë qenë të dëmshme për buxhetin e KEK-ut.
“Ka pas raste kur ka pasur kërkesa që e kanë limituar konkurrencën si rezultat ka pas ankesa në OSHP, ku më pas KEK ka hy në negocim të drejtpërdrejt me konstruktorët që fillimisht i ka konsideruar të papërgjegjshëm. Nuk ka në asnjë rast ku ne kemi vërejt që janë shqiptuar ndëshkime. Tani po filloj të shpalos të gjitha gjetjet prej kontratave. Prej mostrës është për gjatë tre viteve është llogaritur që prej shumës 181.5 milionë diku 18% janë kontrata të negociume”, tha ajo.
Kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi nuk ka mohuar të gjeturat nga auditori, por tha se nuk merr përgjegjësi, pasi që në krye të KEK-ut, ka ardhur në tetor të vitit 2021.
“Shumica e gjetjeve që ZKA i ka listuar qëndrojnë, ka pas neglizhencë. Ka ndikuar që pastaj KEK-u të hy në prokurime edhe që i shkelin rregullat e prokurimit”, tha ai.
Krasniqi tha se dje i kanë dërguar komentet tek ZKA-ja , për të cilën tha se rekomandimet e tyre janë të përgjithësuara.
“Ne do të mundohemi që gjetjet t’i implementojmë edhe nuk kemi pse të kemi kundërshtime në ato që qëndrojnë”.
Edhe Skender Haziri, kryesues i bordit të KEK-ut, tha se nuk ka informata të plota për aktivitetet e prokurimit që kanë ndodhur në periudhën 2018-2020, por premtoi se bordi i ri do të marrë masa për përmirësimin e prokurimit në KEK.
“Ne pajtohemi që ka pas keq menaxhim të kontratave. Ka hapësire për përmirësim. Sidoqoftë, mendoj që disa prej tyre kanë filluar të përmirësohen dhe janë bërë disa ndryshime në 2021 se është herët me thënë 2022. Të gjitha rekomandimet që janë të zbatueshme KEK-u ka mi zbatu pa kompromis të cilat janë ardh nga ZKA. Ne e mirëpresim përkrahjen e ZKA, sepse rekomandime e tyre i konsiderojmë si përkrahje”.
Ndihmësauditorja e përgjithshme nga ZKA, Mirvete Gashi tha se “sa i përket komenteve. Ne e kemi pranuar vetëm një koment nga KEK që e kemi shqyrtuar dhe kem reflektuar në draft raport. Por, pas kësaj s’kemi pranuar diçka”.
“Rekomandimet që ato të jenë specifike. Është përgjithësi e bordit që të bëjnë analizë në lidhje me veprimtarinë e KEK-ut dhe në përputhje me të të implementojnë praktikat e mira”.
Tutje kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi tha se para se të fillonte punën në KEK, kishte punuar në sektorin financiar në këtë institucion.
“Problemi kryesor jo vetëm kushinetave po në përgjithësi, menaxhimi i të gjitha depove në KEK nuk është bërë në mënyrë të centralizuara. Një njësi porosit diçka, përderisa njësia tjetër mund ta ketë të njëjtën. Problemi që duhet të zgjidhet në radhë të parë është të bëhet centralizini i depove”.
“Nuk mund të bëhet kjo me emaila sepse dërgon dikush email e nuk përgjigjet. Mënyra se si bëhet është se kur bëhet centralizimi në sofverin qëndor askush nuk mund të bëjë porosi diçka që ka në deponi. Ne jemi në proces të implementimit të një moduli që ka të bëjë me menaxhimin qendror të depove”./EO/
Berisha i PDK-së uron Ditën Ndërkombëtare të Televizionit
Vendosen posterë në veri me mbishkrimin “Ja ku jemi për Kris...
Qeveria mban mbledhje elektronike, këto janë tri vendimet
Sot i jepet lamtumira e fundit 21-vjeçarit nga Malisheva që ...
Arrestime të kundërligjshme dhe tortura fizike dhe psikologj...
Kosova U-19 synon fitoren tjetër, ja formacioni zyrtar