Google ADS

BKS-ja nënshkruan kontratë të dëmshme me vlera milionëshe (Dokument)

10:04 | 16 Nëntor 2015
Arbresh.info

Byroja Kosovare e Sigurimeve ka nënshkruar një kontratë me kompaninë private ALT3C për zhvillimin e modulit softuerik për llogaritje të primit sipas elementit bonus-malus nga të gjithë kompanitë e sigurimit të licencuara në Kosovë me një çmim marramendës e i cili dëmton rëndë palën e tretë të kësaj kontrate që janë vetë kompanitë e sigurimeve.

Ligji Nr 04/L-018 për sigurimin e detyrueshëm nga autopërgjegjësia dhe rregullorja mbi implementimin e sistemit bonus-malus të Bankës Qendrore të Kosovës, nga data 1 korrik 2013 obligojnë të gjitha kompanitë e sigurimeve në Kosovë që të implementojnë sistemin bonus-malus.

Sistemi Bonus-Malus merr për bazë një histori një vjeçare të aplikuesit për sigurim dhe në bazë të aksidenteve të shkaktuara ose jo gjatë kësaj periudhe kalkulon Bonusin ose Malusin që i takon duke filluar nga 10% e primit bazë.

Arbresh.info, posedon dokumente të cilat dëshmojnë se BKS ka lidhur kontratë me ALT3C për zbatimin e këtij ligji dhe rregulloreje, me kohëzgjatje katër vjeçare (1 janar 2014-1 janar 2018) dhe sipas kësaj kontrate çmimi për secilën policë të sigurimit të lëshuar do të jetë 1,10 euro plus TVSH-ja.

Për më tepër kjo kontratë ishte nënshkruar pa emrat dhe pozitat e personave që e kanë nënshkruar atë.

Sipas vlerësimit që Banka Qendrore e Kosovës, konkretisht Departamenti i Mbikëqyrjes së Sigurimeve i ka bërë planit buxhetor të BKS-së, dokument të cilin e posedon arbresh.info, del që vetëm për vitin 2014, shpenzimet për sistemin bonus-malus ishin në vlerë prej 401 mijë e 85 euro, para këto që kanë shkuar në xhirollogarinë  e ALT3C.

Ndërkohë, nga hulumtimet që ka bërë arbresh.info, del se në vendet e rajonit, kompanitë që kryejnë të njëjtën punë, inkasojnë brenda vitit 7000 deri në 8000 euro.

BKS-ja kishte nënshkruar në vitin 2013 kontratë provuese gjashtë mujore me kompaninë ALT3C për mirëmbajtjen e aplikacionit për llogaritje të primit sipas sistemin Bonus-Malus, mirëpo çmimi i kësaj kontrate ka qenë 0,99 cent.

Drejtori ekzekutiv i BKS-së Faton Abazi i cili e ka nënshkruar kontratën katër vjeçare me ALT3C ka thënë për arbresh.info se ai vetëm e ka zbatuar vendimin e Asamblesë së Përgjithshme të Byros Kosovare të Sigurimeve e cila është pajtuar që ta nënshkruajë kontratën me çmim prej 1,10 euro për çdo policë të sigurimeve të lëshuara nga kompanitë e sigurimeve.

“Realisht ishit dasht që këto pyetje me ja ba organit më të lartë që është Asambleja sepse ne Byroja Kosovare e Sigurimeve zbatojmë politikat dhe vendimet të cilat merren nga Këshilli administrativ dhe Asambleja që është organi më i lartë. Asambleja ka miratuar një vendim dhe kjo kontratë është nënshkruar dhe ka hyrë në fuqi me 1 janar 2014. Edhe një kontratë tjetër ka qenë e cila ka qenë gjashtë mujorshe me 0,99 cent për arsye se e ka gjetur Asemblenë para aktit të kryer”, ka thënë Abazi.

Ai ka shtuar se komisioni i Asamblesë i cili ka vendosur për lidhjen e kontratës e ka negociuar vetëm çmimin pasi nuk ka pasur fare oferta.

“Vendimin e ka marrë Asambleja, e ka bërë një komision dhe ka negociuar vetëm çmimin, domethënë s’ka pasë oferta dhe asgjë, është negociuar vetëm çmimi, pra vendimi ka qenë që vetëm të negociohet çmimi i cili ka qenë edhe shumë më i lartë mirëpo kanë arritur që ta zbresin derisa kanë gjetur një konsensus me kompaninë ALT3C”, është shprehur Abazi.

Arbresh.info ka kontaktuar edhe drejtorin e Bordit të ALT3C Ilir Pushka për ta pyetur në lidhje me këtë çështje mirëpo ai ka kërkuar që t’i dërgohen pyetjet përmes postës elektronike. Megjithatë, edhe pas pesë ditësh pritjeje, Pushka nuk i ka kthyer përgjigjet në pyetjet e portalit./arbresh.info.

Image

Image (2) Image (3) Image (4) Image (5) Image (6) Image (7) Image (8) Image (9) Shpenzimet

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme